SPORT

Idrizi: Arbitrat në krahun tonë? Delen e panë një herë me bishtin përpjetë dhe e quajtën lavire

12:00 - 18.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Sinan Idrizi e cilëson si shumë të rëndësishme fitoren me Luftëtarin. Për administratorin e vlonjatëve ky trepikësh jep pak qetësi, ndërsa ka komplimentuar edhe Luftëtarin.

“Jam shumë i kënaqur me ekipin dhe me këtë fitore. Ishte një trepikësh që na jep qetësi. Dua të them se luajtëm me ekipin më të mirë në Shqipëri, siç është Luftëtari dhe që ka bërë mirë deri më tani, ndaj ishte një fitore që merr më shumë rëndësi. Ekipi më pëlqeu, luajti shumë mirë. Ne kemi elementë shumë cilësorë dhe që po bëjnë mirë në të gjitha ndeshjet”, tha fillimisht Idrizi për “Panorama Sport”.

REPLIKA

Administratori Sinan Idrizi nuk beson se Luftëtari do të tërhiqet nga gara. Për Idrizin fitorja e Flamurtarit në Gjirokastër nuk duhet të diskutohet pasi ishte e merituar.

“Kjo histori e akuzave ndaj Flamurtarit është si ajo historia e dhisë me delen. Dhia e mban bishtin përpjetë gjithmonë, por kur e panë një herë delen me bishtin përpjetë e quajtën lavire. Kështu është edhe puna e Flamurtarit. Nuk ka shanse që ne të kemi arbitrat me vete. Ju e dini që ne jemi dëmtuar prej tyre.

Më vjen keq edhe me Luftëtarin se edhe ai është dëmtuar prej tyre. Por, në rastin e djeshëm (pardje) të penalltisë sonë, mund të them se nuk ka aspak dyshime. Nuk e kam lexuar deklaratën e presidentit të Luftëtarit, por them se nuk ka asnjë gjë për diskutim. Nuk dua të komentoj për këtë deklaratë.

Jam shumë i bindur që Luftëtari nuk do të tërhiqet nga gara, pasi futbolli nuk do të kishte bukuri pa këtë ekip. E them që Luftëtari sot është ekipi më i kompletuar në superligën shqiptare dhe ka qenë i dëmtuar nga arbitrat”, u shpreh kreu i klubit vlonjat.

GARA

Sinan Idrizi thotë se Flamurtari nuk bie nga kategoria, ndërsa përsërit kërkesën për arbitra të huaj në ndeshjet e mbetura. “Ne kemi luftë deri në fund. E kam thënë që Flamurtari nuk bie nga kategoria. Ne i bëjmë llogaritjet edhe me pikët e hequra. Ndaj them se nuk ka shanse që ekipi të bjerë. Ndaj e përsëris që të mos kemi edhe keqkuptime duhet që ndeshjet e mbetura të gjykohen nga gjyqtarë të huaj”, përfundoi Idrizi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.