BOTA

Vuk Drashkoviç: Vizita e Ramës në Beograd ishte historike

12:24 - 18.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Drashkoviç, në një intervistë për Deutche Welle ka zbuluar disa pika të nxehta të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi. Drashkoviç është shprehur për DW se vizita e Ramës në Serbi është e një rëndësie shumë të madhe. “Ai ka ftuar kryeministrin e Serbisë për vizitë në Tiranë. Edhe sikur të mos ishin dakorduar asgjë tjetër, vetë marrëveshja që të nënshkruhet një marrëveshje për udhëtim vetëm me letërnjoftime të shtetasve të Shqipërisë dhe Serbisë në këto vende, paraqet arritje historike.”

Ai shpreson se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, në vizitën e Vuçiçit në Tiranë, dhe pas fillimit të zbatimit të saj, me dhjetëra e dhjetëra mijëra turistë serbë do të nisen drejt bregdetit shqiptar. Kjo marrëveshje sipas Drashkoviç  shënon evropianizimin e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ai shpreson gjithashtu se mosmarrëveshjet mes Rama-Vuçiç të harrohen. Ai është shprehur se Serbia s’ka në Kosovë as pushtetin juridik, legjislativ dhe ekzekutiv e as forcat policore apo ushtarake. “Realitet është fakti, shprehet ai, që Serbia dhe Shqipëria duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se nga 28 vendet anëtare të BE, 23 e njohin pavarësinë e Kosovës”.

Ai gjithashtu thekson se mes Shqipërisë dhe Serbisë kurrë nuk ka qenë më e domosdoshme një marrëveshje e paqes dhe se Serbia dhe Shqipëria kurrë në histori nuk kanë luftuar mes tyre. Drashkoviç theksoi se në Serbi duan të kenë raportet më të mira të mundshme edhe me Prishtinën, sepse vetëm kështu mund të mbrojnë popullin serb në Kosovë. “Sot është një realitet që pavarësinë e Kosovës e njohin 108 vende të botës.” shtoi ai. “Fajin e ka Sllobodan Milosheviqi, i cili i ka prirë një rendi retrograd, të mbrapshtë dhe nuk e ka kuptuar kur para 25 vitesh se Muri i Berlinit është rrëzuar”.

Për sa i përket vendimeve të Vuçiç në lidhje me marrëdhënien Serbi-Kosovë, ish ministri I jashtëm serb nënvizoi se kryeministri ka bërë hapa historik strategjik. Ai ka përmendur këtu tre hapat kryesorë:  marrëveshjen e Brukselit, përcaktimin e rrugës pro europiane dhe perëndimore të Serbisë si dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët.

Sipas tij zbatimi pa kushte i Marrëveshjes së Brukselit dhe zbatimi i Planit të Ahtisarit do të ulë tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Për sa i përket marrëdhënieve Rusi-BE ai thotë se Rusia duhet të bashkëpunojë me BE-në dhe Perëndimin dhe jo të jetë në konflikt me to. “Ne jemi të rrethuar me vendet e BE dhe NATO-s. Pra unë dua që të kemi raporte sa më të mira me Rusinë, por treni serb duhet të shkojë drejt Perëndimit”, ka përfunduar  ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Drashkoviç.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.