EKONOMI

Mësuesit me pedagogjike, zgjidhet situata me pagat

13:25 - 20.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Qeveria zgjidh ‘ngërçin’ e krijuar me pagat e mësuesve të arsimit parashkollor dhe ciklit të ulët, të cilët nuk përfituan rritjen prej 10%. Shkak për këtë situatë u bë kategorizimi i pagave nga ana e Ministrisë së Financave, sipas të cilit mësuesit me arsim në institutet pedagogjike dhe ata me diplomë “Bachelor”, zbresin në kategori. Ndërkohë që, sipas vendimit të djeshëm, të miratuar në Këshillin e Ministrave, “Punonjësit aktualë mësimorë/edukatorë të cilët zotërojnë diplomë të ciklit të parë të studimeve universitare ‘Bachelor’, ose të barasvlershme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë dhe deri para datës 1 mars 2017, kanë përfituar pagën e grupit në masën 14 000 lekë, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën masë të pagës së grupit deri në momentin e ndryshimit të nivelit të diplomës, apo ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me institucionin arsimor përkatës”. Po ashtu, vendimi saktëson se “punonjësit mësimorë/edukatorë që fillojnë punë për herë të parë si punonjës mësimorë/edukatorë në arsimin parauniversitar pas datës 1 mars 2017, do të trajtohen me pagë grupi sipas përcaktimeve të lidhjes nr.2 të vendimit”, të cilin e gjeni bashkëngjitur shkrimit. Ndër-kaq, duke qenë se rritja e pagës për këtë kategori nuk është reflektuar, vendimi saktëson se efektet financiare do të shtrihen prej datës 1 mars 2017, çka do të thotë se ata do e marrin të gjithë shtesën. Zgjidhja e problemit financiar të krijuar me këta mësues u konfirmua më herët nga ministrja e Arsimit dhe Sporti, Lindita Nikolla, e cila theksoi se shtesa do të merrej në muajin pasardhës. “Po reflektohet ky moment i kategorizimeve, pasi janë një bashkësi mësuesish që kanë mbaruar studimet 3-vjeçare në ish-institutet pedagogjike dhe ata me diplomë ‘Bachelor’. Kjo është një vendimmarrje që do reflektohet në mbledhjen e kësaj jave të qeverisë, dhe nuk ka asnjë ulje pagash për ta”, – tha Nikolla, dy ditë më parë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.