EKONOMI

Vendimi i qeverisë: Kriteret e reja për të hyrë në universitet

09:28 - 20.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme kriteret e reja për pranimet në universitet në vitin akademik 2017-2018. Më konkretisht, është përcaktuar niveli minimal i notës mesatare që duhet të kenë kandidatët për të filluar studimet në nivelin “bachelor” dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë. Sipas VKM-së, “Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare minimale për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2017-2018, do të jetë 6”. Ndërkohë që, sa i takon mënyrës së përllogaritjes, vendimi përcakton se nota mesatare do të jetë mesatare aritmetike e thjeshtë e 2 treguesve. Më konkretisht, pjesë e përllogaritjes do të jetë mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërkohë që, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.

Studimet jashtë shtetit

Ndërkaq, vendimi i qeverisë përcakton edhe procedurat për ata kandidatë që kanë përfunduar studimet e shkollës së mesme jashtë vendit. Sipas VKM-së, “Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë do të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në kriteret e vendosura për kandidatët që kanë përfunduar studimet në Shqipëri”. Kjo me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. “Në këto raste, me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat te njësitë arsimore vendore dhe te strukturat e ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”, përcaktohet në vendim. Të drejtën për të aplikuar për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë e kanë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.