AKTUALITET

Zbulohet parcela me kanabis, në kërkim kryeplaku i fshatit Xhaj

09:30 - 20.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryeplaku i fshatit Xhaj në Malësinë e Madhe, Rrok Ducaj është shpallur në kërkim, pasi policia ka gjetur dhe asgjësuar një parcelë me 168 fidanë kanabis sativa. Ndërkohë ka filluar procedimi në gjendje të lirë ndaj inspektorit të shërbimit pyjor, Dodë Durgaj, 59 vjeç. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës dje bënë me dije se 61-vjeçari nga fshati Xhaj dhe inspektori i pyjeve, banues në fshatin Ducaj akuzohen për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Sipas bluve, bimët narkotike u gjetën në një faqe mali, në vendin e quajtur “Stanet e Draganit” në fshatin Xhaj, njësia administrative Shkrel, Bashkia Malësi e Madhe. Mësohet se parcela me kanabis ishte ndarë në formë brezaresh. Sipas hetuesve të çështjes, bimët narkotike ishin mbjellë në tokë, në shishe plastike me fundin e tyre të prera. Lartësia e 168 fidanëve varionte nga 2 cm deri në 5 cm. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, blutë deklaruan se dyshohet që kryeplaku i fshatit Xhaj si dhe inspektori i pyjeve nuk kanë dhënë informacion për bimët narkotike të asgjësuar.

Ndërkohë që sipas policisë, kryepleqtë dhe inspektorët e shërbimit pyjor kanë përgjegjësi në rastet kur konstatohen bimë narkotike në territorin që ata mbulojnë. Ky aksion është zhvilluar nga policia në kuadër të kontrolleve të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Nga ana tjetër, mësohet se kryeplaku i fshatit Xhaj e ka braktisur detyrën dhe se aktualisht ndodhet në Itali.

KRYEPLAKU

Banorë të zonës pohuan dje për “GSH” se prej afro një viti, kryeplaku i fshatit Xhaj në njësinë administrative të Shkrelit, Rrok Ducaj (ish-kryetar i Partisë Socialiste në atë zonë) ka braktisur detyrën. Që nga ajo kohë dhe deri më sot, asnjë nga banorët e fshatit nuk ka pranuar që të emërohet apo të zgjidhet si kryeplak, pikërisht nga frika se mund të arrestohet nga policia për shkak të bimëve narkotike. Ndonëse Rrok Ducaj ka deklaruar me kohë se ai ka dorëzuar detyrën dhe nuk është më kryeplak, ai është shpallur në kërkim. Sipas policisë, duke qenë se askush tjetër nuk e ka marrë përsipër këtë detyrë, atëherë 61-vjeçari vazhdon që të jetë në detyrë. Po të njëjtat burime thanë për gazetën se Ducaj prej disa muajsh nuk ndodhet në Shqipëri dhe është larguar drejt Italisë tek disa të afërm të tij.

“REBELIMI”

I KRYEPLEQVE

Disa ditë më parë, prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani zhvilloi një takim me dyer të mbyllura mes drejtorit të policisë vendore, Alban Çela dhe kryepleqve të fshatrave. Përveçse një përballje në tavolinë, ky takim ishte edhe për t’u treguar kryepleqve se ata kanë përgjegjësi ligjore në rast se në territoret që kanë marrë përsipër gjenden të kultivuara bimë narkotike. Çela u kërkoi kryepleqve që të informonin strukturat e policisë për çdo rast. Nga ana tjetër, disa prej kryepleqve braktisën mbledhjen. Ata u shprehën se nuk është detyra e tyre të kontrollojnë në oborre dhe shtëpitë e fshatit për drogë dhe se nuk janë dakord me përgjegjësinë që iu është ngarkuar. Pavarësisht këtij reagimi, drejtuesit e policisë së qytetit verior iu bënë me dije se edhe kryepleqtë do të arrestohen apo procedohen në gjendje të lirë për raste të ndryshme të kultivimit të bimëve narkotike. Pak ditë pas këtij takimi, vjen edhe ky rast, ku kryeplaku i fshatit Xhaj, Rrok Ducaj është shpallur në kërkim edhe pse nuk ndodhet brenda vendit. Më përpara u arrestua kryeplaku i fshatit Rrenc në njësinë Guri Zi dhe u procedua në gjendje të lirë administratori i asaj njësie.

Senad NIKSHIQI

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.