BOTA

Tmerri në Paris/ Kush është autori, i ‘fiksuar’ pas sulmit me armë ndaj policëve. ISIS merr përgjegjësinë

10:01 - 21.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Terrorizmi godet sërish Parisin. Një polic u vra dhe dy u plagosën nga një person i armatosur i cili u qëllua për vdekje. Sulmuesi besohet se i ka qëlluar qëllimisht oficerët dhe ishte i njohur nga shërbimet e sigurisë.

Autori i sulmit në Paris ishte një emër i njohur për autoritetet, i dyshuar për terrorizëm, por është lënë më pas i lirë për mungesë provash.

Mediat e huaja raportojnë se është 39-vjeçari, Karim Cheurfi, i dënuar me 20 vjet burg pas tentativës për të vrarë një polic në vitin 2001.

Pas sulmit të kryer një natë më parë në Champs Elysee të Parisit, zyrtarët kanë zbuluar se agresori ka qënë pjese e hetimeve për shkak të dyshimeve për terrorizëm.

Prokuroria nuk ka bërë të ditura shumë detaje, por njoftoi se sulmuesi që u qëllua për vdekje është 39-vjeçari Karim Cheurfi për të cilin po hetohet ende.

Në të shkuarën, ai është marrë njëherë në pyetje për shkak të informacioneve se kishte kërkuar vazhdimisht të blinte armë për të vrarë policë.

ISIS merr përgjegjësinë

Grupi militant Shteti Islamik tha se një prej “luftëtarëve” të tij ka kryer sulmin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

“Ekzekutuesi i sulmit në zonën Champs-Elysees, në qendër të Parisit, është Abu Jusuf al-Beljiki dhe ai është një luftëtar i Shtetit Islamik”, tha agjencia e lajmeve Amaq, e lidhur me grupin ekstremist.

Prokurori i Parisit, Francois Molins, më vonë tha se “identiteti i sulmuesit është i njohur dhe është verifikuar”.

“Nuk do ta zbuloj atë, sepse hetimet dhe bastisjet tashmë janë duke u zhvilluar”, tha Molins.

Zhvillimet e djeshme 

Pak pas lajmit se ka vdekur dhe polici i dytë, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme theksoi se lajmi nuk është i vërtetë. Dy oficerë sipas tij mbeten në gjendje kritike në spital pasi u plagosën nga të shtënat.

Zëdhënësi shtoi se ata besonin që ishte vetëm një person i armatosur i cili kreu sulmin, dhe ai u vra nga policia, por tha se nuk mund të përjashtohet pista që autori mund të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë te cilet mund te jene arratisur.

Zëdhënësi gjithashtu theksoi se ata ende nuk e dinin motivin e sulmit.

Personi i armatosur që hapi zjarr ndaj policëve në Paris, përdori një “armë lufte” për të kryer sulmin e tij, tha një zëdhënës i qeverisë franceze.

Policia ka lëshuar një urdhër arresti për një të dyshuar të dytë, dhe thuhet se ai kishte ardhur në Francë me tren nga Belgjika.

Ngjarja ndodhi jashtë një dyqani në Champs-Elysees, një nga rrugët kryesore tregtare të kryeqytetit francez dhe një zonë e mbushur me turistë, raporton “Skyneës”.

Zëdhënësja e policisë së Parisit, Johanna Primevert tha se sulmuesi kishte në shënjestër policinë që ruante zonën pranë stacionit të metrosë Franklin Roosevelt të enjten mbrëma.

Një numër i madh oficerësh policie janë në vendin e ngjarjes, raportojnë mediat franceze. Një helikopter është parë duke fluturuar në një lartësi të ulët mbi Paris, teksa departamenti i policisë lokale i kërkoi njerëzve që të “shmangnin zonen e Champs Elysees” dhe të ndiqnin udhëzimet e policisë.

Policia flet për një “akt terrorist”. Deri tani thuhet se ishin të paktën dy sulmues, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar.

Një dëshmitar i identifikuar thjesht si Ines, i tha stacionit televiziv francez BFM se dëgjoi të shtëna, pa trupin e një njeriu të shtrirë në tokë dhe zonën që u evakuua shpejt nga policia.

Një dëshmitar tjetër i tha medias lokale: “Papritmas të gjithë u ngritën dhe filluan të vrapojnë, nuk kishim as kohë për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

“Dëgjuam një apo dy të shtëna, vrapuam. Me të vërtetë nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte, ne u zhvendosëm në rrugë, policia na tha të lëvizim të largoheshim.

“Nuk e kam parë nëse ata ishin dy, tre ose vetëm një sulmues. Ne thjesht vrapuam.

“Dëgjuam dy të shtëna me armë. Të gjithë njerëzit që ishin ulur në tarracë u ngritën dhe vraponin, karriget po rrëzoheshin”.

Personi i armatosur që kreu sulm të dyshuar terrorist në Paris hapi zjarr me një armë Kalashnikov, tha një dëshmitar.

Ata raportuan të shihnin një njeri të dilte nga një makinë dhe më pas të hapte zjarr me armë.

Sulmi vjen tre ditë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale që kanë tensionuar klimën në Francë.

Franca ka pasur gjendje të jashtëzakonshme që nga viti 2015 dhe ka pësuar një valë sulmesh terroriste që kanë vrarë më shumë se 230 vetë gjatë dy viteve të fundit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.