EKONOMI

Amnisti për minatorët dhe invalidët pensionistë. Relacioni, 1733 personave u falen borxhet

08:27 - 22.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Mbi 1700 minatorë në pension pleqërie dhe invalidë që përfitojnë pension invaliditeti do të përfitojnë nga falja e borxheve, e krijuar për shkak të punësimit të tyre. Tashmë projektligji i miratuar në qeveri ka mbërritur në Kuvend për diskutim, ndërkohë që relacioni që e shoqëron, sqaron në detaje kategoritë përfituese. Më konkretisht, në këtë dokument thuhet se, “nga një përplasje që i është bërë regjistrit elektronik të përfitimeve dhe bazës së kontributeve të transmetuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është konstatuar se një numër i caktuar personash, krahas përfitimit të pensionit të minatorit apo pensionit të invaliditetit, qoftë të plotë apo të pjesshëm, për periudha të ndryshme kanë qenë të punësuar, madje disa prej tyre edhe sot vijojnë të jenë të punësuar”. Gjithashtu, nga përplasja e këtyre të dhënave kanë rezultuar të punësuar edhe ushtarakë në pension të parakohshëm, të cilët në deklaratat e tyre vjetore pretendonin të ishin të papunë, punonjës të universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë tituj shkencorë apo persona që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjës të shtetit. Për këtë arsye, këtyre personave u është pezulluar përfitimi dhe iu është vlerësuar masa e debisë. Por sipas relacionit, ushtarakët dhe personat me tituj shkencorë nuk do të përfitojnë nga falja e borxheve. “Nga të gjitha shtresat e konstatuara më lart, nisur nga problematika komplekse e ardhur edhe për shkak të moskoordinimit mes institucioneve, mes tyre dhe punëdhënësve, ku personat e deklaruar invalidë të plotë nuk lejohet të punojnë dhe ata me rekomandime nga mjeku për punë në kushte të caktuara, duhet të punojnë në këto kushte, si dhe për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të këtyre kategorive, janë përzgjedhur për të përfituar nga kjo falje rreth 1000 persona në pension invaliditeti dhe pension pleqërie të parakohshëm”, – thuhet në dokument, teksa saktësohet se nuk mund të përjashtohen nga detyrimet, pra nuk mund të jenë subjekte të kësaj faljeje personat në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi apo pension suplementar, të cilët kanë deklaruar se janë të papunë dhe vijojnë të jenë të punësuar, si ushtarakët apo punonjësit e universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë tituj shkencorë si dhe personat që kanë kryer funksione kushtetuese apo punonjësit e shtetit.

Borxhet

Gjithsej, në të gjithë Shqipërinë janë konstatuar 260 minatorë në pension pleqërie dhe 1473 persona në pension invaliditeti, nga të cilët 626 invalidë të plotë dhe 847 invalidë të pjesshëm, të cilët kanë qenë të punësuar dhe kanë tërhequr pensionet. Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, invalidëve në pension të plotë invaliditeti u është ndërprerë pagesa e pensionit dhe janë rikomisioniuar për t’u rivlerësuar gjendja shëndetësore. “Për periudhat që kanë punuar dhe derdhur kontribute në favor të sigurimeve shoqërore janë shpallur debitorë dhe në zbatim të nenit 62, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, u mbahet 50% e masës së pensionit që ata përfitojnë si invalidë”, – shtohet në relacion. Sipas legjislacionit aktual, invalidët e plotë kanë rekomandim nga Komisioni Mjekësor që të mos punojnë, pra nuk mund të pranohen në punë, ndërkohë që invalidët e pjesshëm mund të punojnë, por me orar të reduktuar apo duhet të ndryshojnë vendin e punës. Nga të dhënat e konstatuara nga sigurimet shoqërore rezulton se pjesa më e madhe e këtyre personave kanë gjendjen shëndetësore të tillë, që nuk i lejon të punojnë, por vështirësitë ekonomike, masa e ulët e pensionit të invalidietit, i ka detyruar këta persona të punojnë, kryesisht të siguruar me pagë minimale dhe gjatë kësaj kohe kanë tërhequr edhe pensionin. Gjithashtu, është edhe kategoria e invalidëve të pjesshëm, të cilët duhet të punonin me orar të reduktuar dhe mund të përfitonin pensionin, por ulja e pagës do të ndikonte dukshëm në gjendjen e tyre ekonomike dhe kanë vijuar të punojnë edhe kundër rekomandimeve mjekësore, me orar të plotë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.