AKTUALITET

Detaje të reja/ Droga drejt Italisë, doganieri “zbulon” sekretin, fundos kolegët

09:28 - 22.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gjykata la në burg dje 18 policë të Portit Durrës dhe punonjës të tri doganave, të akuzuar për “lejimin” e trafikimit të 10 tonëve kanabis drejt Italisë.

Zbulohen të tjera detaje lidhur me trafikun e drogës me kamion drejt Italisë që u pasua me furtunë në dogana, me 19 të arrestuar, policë e doganiere.

Sipas Prokurorisë, droga ka kaluar në dy episode, nga 8 dhe 2 tonë, e fshehur në kamionë dhe nuk është pikasur nga kontrollet doganore.

Organi i akuzës tha në gjyq se ka pasur një telefonatë që ka urdhëruar ndryshimin e destinacionit të kamionit dhe për këtë telefonatë po bëhen hetime. Gjykata për Krimet e Rënda bëri dje verifikimin e masave të sigurisë “arrest në burg”, të caktuara në mungesë ndaj tyre, duke i lënë të pandryshuara.

Të arrestuarit, policë kufitarë dhe doganierë të Qafë-Thanës, Durrësit dhe Tiranës, u njohën me masën e sigurisë në seanca të veçanta nga njëri-tjetri, dhjetë prej të cilave u kryesuan nga gjyqtari Fran Prendi, dhe tetë të tjera nga gjyqtarja Miliana Muça. Burime brenda seancave konfirmuan se të gjithë të dyshuarit mbajtën qëndrim mohues në lidhje me akuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj tyre, atë të “trafikimit të narkotikëve, në bashkëpunim”.

Përmes avokatëve dhe në deklarimet e dhëna në sallën e gjyqit, të arrestuarit kanë pretenduar se nuk kanë pasur asnjë dijeni në lidhje me ngarkesat e drogës. Agjentët doganorë kanë pretenduar se kanë zbatuar me përpikëri kërkesat ligjore që u kërkon detyra funksionale. Ndërsa njëri prej policëve ka pohuar se nuk mund të fajësohen individët nëse qeni antidrogë nuk mundet të nuhasë lëndën narkotike të fshehur në kamion.

DOGANIERI

Maliq Kadilli, një nga agjentët doganorë të Qafë- Thanës, ku dyshohet të ketë kaluar fillimisht kamioni me 8 tonë kanabis më 5 shkurt 2017. Prokurori tha dje se Kadilli është personi që ka përpiluar deklaratën doganore të kamionit, duke shënuar daljen e tij në pikëkalimin kufitar të Hanit të Hotit.

Por, sipas prokurorit, gjatë rrugës, kamioni ka ndërruar portën dalëse dhe i dyshuari Kadilli ka bërë kërkesë për dalje të tij në Portin e Durrësit. “Detyra ime është të përpiloj dokumentacionin në bazë të faturës dhe Kodit Doganor. Unë nuk kam përgjegjësi të kontrolloj ngarkesën”, tha Kadilli.

Sipas tij, kamioni në fjalë kishte destinacion Belgjikën. Në lidhje me ndryshimin e pikëkalimit kufitar dalës, ai tha se ky është një veprim rutinë për agjentët doganorë. Gjatë seancës së tij, prokurori Dritan Prençi tha se ndryshimi i destinacionit është bërë pas një telefonate në këtë doganë. “Po hetohet nëse telefonata është bërë nga elementë kriminalë, apo jo”, tha prokurori.

Dëshmia e doganierit: Na telefonuan nga Durrësi

Prokuroria ka thënë se gjatë dëshmisë, agjenti doganor Maliq Kadilli ka deklaruar se për devijimin e destinacionit të daljes së kamionit është njoftuar nga agjenti tjetër doganor, që nuk ndodhej atë ditë pushim, shtetasi Kastriot Topulli. Ky ka deklaruar se nuk është detyrë e tij të ndjekë praktikën doganore të përpiluar nga agjenti doganor tjetër, por, më datë 05.02.2017, rreth orës 14:00, atë e ka telefonuar një person nga Dogana Durrës, që ndodhej me shërbim, duke i kërkuar ndryshimin e destinacionit të daljes së automjetit kamion, targa maqedonase, më datë 05.02.2017, nga Dogana Durrës për në Itali.

Në dëshminë e vet, përgjegjësi i turnit, shtetasi Ymer Blloshmi, ka deklaruar se ndryshimin e destinacionit të daljes së automjetit kamion të mësipërm nga Dega e Doganës Durrës për në Itali e ka bërë ai, në bashkëpunim me doganierin Ilirjas Malja.

TRAFIKU

Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se të 18 të arrestuarit, mes të cilëve Julian Doraci, shef i Stacionit Policor, Porti Durrës, Mexhit Xhixha, Roland Metani, Agron Kapllani e Gentian Selmani, specialistë të strukturës antidrogë, si dhe doganierë dhe kontrollorë, kanë bashkëpunuar në trafikimin e drogës.

Sipas Prokurorisë, episodi i parë ka ndodhur më 5 shkurt 2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 tonë kanabis, që kishte hyrë në Shqipëri nga Qafë-Thana dhe dalë nga Porti i Durrësit. Episodi i dytë është shënuar më 24 mars 2017, kur në Itali u kap një kamion me gati 2.2 tonë kanabis në ngarkesë./ Panorama/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.