SPORT

Starova: Duka është kontradiktor, titullin të mos e vendosin gjyqtarët

09:57 - 23.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Sulejman Starova është i pakënaqur nga niveli i arbitrimit në Shqipëri dhe i bën apel presidentit të FSHF-së që të reflektojë në javët e mbetura, me qëllim që gara të mos cenohet.

“Më vjen mirë që presidenti i FSHF-së gjeti mënyrën të reagonte për arbitrat, pasi mori vesh nëpërmjet gazetës qëndrimin që kishin presidentët e Superiores. Është e drejtë dhe përgjegjësi e tij që kjo garë të mos ndikohet nga gjyqtarët, sikundër ka ndodhur deri tani, – tha dje Starova për “Panorama Sport”. – Megjithatë, Duka është kontradiktor në ato që thotë…

Po, është kontradiktor sepse nuk di se cilin Dukë të besoj: atë të fillimit të deklaratës ku thotë se ‘Partizani qahet kot’, apo Dukën e fundit të deklaratës kur thotë se ‘mes gabimeve njerëzore fshihen arbitra që fiksojnë rezultatin’? Tani një pyetje kam për presidentin e FSHF-së, meqenëse Kridens Meta e kish të shkruar në ballë të mos e lejonte Partizanin të fitonte: Duka ku e klasifikon Metën, tek ata që kanë marrë parà, apo tek ata që kanë marrë urdhër…?”.

Në argumentet që përdor “Bobi” gjatë analizës së tij, përmend edhe “peshoren” e arbitrimit dhe diferencat e mëdha mes kryesuesve.

PENALIZIMET

“Së pari, dua të saktësoj se nuk kam asgjë me individin Duka, por me presidentin e FSHF-së, si një njeri me përgjegjësi të mëdha morale dhe institucionale për mbarëvajtjen e garës. I bëj thirrje të shikojë me vëmendje sjelljen e gjyqtarëve karshi Partizanit. Nuk flas vetëm si trajner i skuadrës, por i referohem edhe analizës që kish bërë gazeta (Panorama Sport) në lidhje me ekipet më të penalizuara dhe më të favorizuara.

Ndër tre pretendentët, Partizani ishte më i penalizuari, ndërkohë që dy të tjerët kishin diferenca të frikshme. Jam dakord që është e vështirë të kemi një arbitrim perfekt, por situata të jetë e balancuar. Shpesh thuhet që në fund të sezonit situata mes favorizimeve dhe penalizimeve është e përafërt, por faktet e publikuara edhe në media treguan diferenca të mëdha.

Është për të ardhur keq, sepse miliona shpenzojnë të tre klubet dhe jo vetëm njëri. Njerëzit të mos harrojnë se janë qindramijëra tifozë të Partizanit brenda dhe jashtë vendit që shohin dhe ndjekin me interes çdo gjë që ndodh”, përfundon trajneri i të kuqve. /PanoramaSport/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.