SPORT

Tirana, “rrotacion” ndaj Kukësit. Bardheblutë ruhen për derbin

11:44 - 23.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Tirana programon “rrotacion” në Kukës. Dëmtimet dhe kartonët do të kushtëzojnë zgjedhjet e stafit teknik. Zyrtarisht dy lojtarë nuk kanë udhëtuar me ekipin drejt qytetit verilindor (por në këtë listë është Muça, Domgjoni e Bajrami, dëmtime të kahershme). Afrim Taku nuk ia del, ndërsa shqetësimet që ndien në kofshë kanë “vulosur” mungesën e tij.

E njëjta situatë paraqitet për Gilman Likën, i cili prej dy ditësh është me temperaturë dhe për pasojë as dje nuk u stërvit fare. Nga ana tjetër, Olsi Teqja, edhe pse është grumbulluar për këtë transfertë, ka pak shanse që të sakrifikohet. Ai gjithashtu është i dëmtuar, ndërsa kujtojmë që ndaj Besëlidhjes e la fushën duke çaluar. Ai ka kontraktim në kofshë.

Qendërmbrojtësi, bashkë me Takun, u përgatitën të veçuar nga pjesa tjetër e ekipit, megjithatë kjo nuk e ka penguar Mirel Josën që të përfshijë vetëm Teqjen në 18-she. Në pikëpyetje është edhe kapiteni. Erando Karabeci gjatë gjithë kësaj kohe ka marrë ngarkesa normale me grupin, megjithatë fakti që ka dy të verdhë, por mbi të gjitha se vjen pas një dëmtimi që e mbajti larg ekipit për më shumë se dy muaj, krijon dyshime mbi aktivizimin e tij.

Kujtojmë që “Zeqir Ymeri” ka terren sintetik dhe rreziku që mund t’i kanosej para Partizanit, sikletos bardheblutë. Gjasat janë që ai të mos jetë titullar, megjithatë fjala e fundit do të jepet sot, kur Mirel Josa të zhvillojë edhe analizën që zhvillohet para çdo ndeshjeje.

PROVAT “GJENERALE”

Tirana i ka llogaritur si mungesa të sigurta Takun, G.Likën dhe Teqjen, paçka se ky i fundit është grumbulluar. Referuar asaj që është provuar në fushë, porta i mbetet I.Likës, krahët e mbrojtjes do t’u “blindohen” Hoxhallarit dhe Dokës, ndërsa në qendër janë provuar Cake me Turtullin.

Në rast se riaftësohet Teqja, atëherë 17-vjeçarin e pret stoli. Në mesfushë pritet Daja, Akuah e Merveil, por nuk përjashtohet mundësia që të luajë edhe Karabeci, ndërsa në krahët e sulmit priten Moise me Kërçikun, ndërsa në sulm Edeh, Cise ose Halili.

LLOGARI PËR MBIJETESËN

Për bardheblutë situata nuk është aspak e qetë. Mbijetesa është vënë në rrezik prej kohësh dhe për të shpëtuar duhet medoemos që të grumbullojnë sa më shumë pikë në këto 7 javë që kanë mbetur. Shanset që t’ia dalin ndaj të pathyeshmëve të kampionatit janë minimale, ndaj llogaritë e Tiranës pritet që të nisin nga derbi e deri në finish.

Shkalla e vështirësisë sa vjen edhe rritet dhe duhet thënë se kalendarin nuk e kanë kurrsesi në krahë. Ekipi, që nuk fiton prej 12 javësh, është i dënuar për të fituar dhe sidomos kur “zona e ftohtë” është e ngjeshur. /PanoramaSport/

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.