Kryesore

66 mijë euro me akte noteriale/ Si u kap për ryshfet shefi i Krimeve tek 2-shi  

08:18 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Xhensila KODRA

Kur kanë kaluar vetëm tri ditë pas caktimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-shefit të Krimeve në Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, zbulohen të tjera detaje në lidhje me hetimet e kryera ndaj tij. Dritan Metani akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarit publik” dhe “Shpërdorim i detyrës”, ndërsa hetimi për të ka nisur më datë 19.12.2016. Burime të sigurta pranë grupit hetimor bënë dje me dije për “Gazeta Shqiptare”, se nga ana e SHÇBA-së janë referuar dy raste kur Metani dhe vartësi i tij kanë evidentuar punime të dyshuara si të jashtëligjshme në fushën e ndërtimit, dhe më konkretisht në ngritjen e tendave të jashtme. Mësohet se këto dy raste janë evidentuar në dy lokale të ndryshme, në rrugën “Astrit Balluku” në Tiranë. Menjëherë pas kësaj, prokuroria ka marrë në pyetje shtetasit E.D. dhe K.B., administratorë të dy lokaleve ku është lejuar ngritja e tendave të jashtme.

Ndërsa, në banesën e ish-zyrtarit të policisë janë gjetur 66.200 euro akte noteriale. Dritan Metani ka qenë i arrestuar në 2007-ën për korrupsion pasiv dhe në 2008-ën është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg. Në vitin 2013, Gjykata e Lartë e ka lënë në fuqi përfundimisht këtë dënim. Ndërsa, në nëntor të vitit të shkuar, ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar në rrjetet sociale denoncimin e një qytetari për shefin e Krimeve në Njësinë 7. Sipas denoncuesit, ai ka qenë i dënuar për korrupsion. Ai shkruan se shefi i Krimeve në Komisariatin Nr.2 është ngritur në detyrë për shkak të korrupsionit.

Deklaratat

Për hetuesit e çështjes, E.D. ka pranuar se fotot e kryera nga shërbimet e SHÇBA-së ishin të lokalit të tij dhe të punimeve që po kryheshin atje, ku ka shpjeguar se në lokalin e tij i ka evidentuar këto punime një punonjës i policisë pa emër. Më pas, ky i fundit e ka adresuar për zgjidhje te Dritan Metani. E.D. ka rrëfyer më tej, se ka marrë takim personal me Metanin në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.2. dhe se ai (Metani) i parashtroi faktin se sipas mendimit të tij, veprimet e E.D. ishin veprime të natyrës penale.

Ndërsa, shtetasi K.B. ka shpjeguar se punimet që ishin kryer në lokalin e tij i ka evidentuar punonjësi i policisë dhe se ky person e ka adresuar për zgjidhje te Dritan Metani, me të cilin ishin takuar në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.2.

Ndërkaq, mësohet se prokuroria ka hetuar në regjistrat e saj të veprave penale dhe ka evidentuar se ndaj shtetasit K.B. nuk ka asnjë referim të veprës penale në vitin 2016, kurse ndaj E.D. ka vetëm një referim të veprës penale për ndërtim të paligjshëm, ku referimi kishte të bënte me punime të brendshme hidrosanitare dhe elektrike, dhe jo për ngritje tende si në rastin konkret. Gjithashtu, në sajë të hetimeve ka rezultuar se në periudhën kohore 01.08.2016 – 10.03.2017, në Komisariatin e Policisë Nr.2 kanë hyrë dhe janë regjistruar E.D. dhe K.B. Ata janë pritur nga Dritan Metani dhe se në regjistrin e veprave penale të Prokurorisë Tiranë nuk ka asnjë referim penal për ta. Ndërkohë, ndërtimet që ata kanë kryer pranë lokaleve të tyre janë të natyrës që kërkojnë deklaratë paraprake e më pas leje nga organi kompetent.

Provat në banesë

Në banesën e Dritan Metanit mësohet se janë gjetur dy grup aktesh juridike. E konkretisht, akte juridike që kishin të bënin me huadhënie në shifrat 23.000 euro, 6000 euro, 1200 euro, 15.000 euro dhe 21.000 euro (66.200 euro gjithsej). Këto veprime juridike janë kryer në një periudhë të shkurtër kohore, çka ngre dyshimin se kjo është vijë sjelljeje e Dritan Metanit dhe jo rastësi. Ky fakt ka ngritur dyshimet për hetuesit se kishin të bënin me kryerjen e veprimtarisë bankare të kredidhënies pa licencë. Gjithashtu, në 4 akte juridike Metani shfaqet si shitblerës automjetesh dhe ai shet e blen sende prej të cilave nxjerr përfitime fshehtazi nga zyrat shtetërore.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.