EKONOMI

Alergjitë stinore, ISHP: Si duhet të sillen personat e diagnostikuar

08:35 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Ola Mitre




Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, alergjitë stinore ashtu si edhe alergjitë e tjera, zhvillohen kur sistemi imunitar i trupit bëhet i ndjeshëm dhe reagon ndaj substancave që ndodhen në mjedis, të cilat në pjesën më të madhe të popullatës nuk japin probleme. “Këto substanca apo alergjenë mund të japin teshtima, kollë dhe kruajtje. Reaksioni alergjik mund të variojë nga një gjendje thjesht e bezdisshme deri në një kërcënim për jetën. Disa alergji janë sezonale, ndërsa disa të tjera janë të lidhura me gjendje shëndetësore kronike si sinusiti dhe astma. Alergjitë respiratore janë ndër format më të përhapura të alergjive në Europë dhe në mbarë botën. Gjithashtu, përhapja e sëmundjeve alergjike po vjen duke u rritur në Europë edhe si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike dhe nuk kufizohet më vetëm në ndërrimin e stinëve apo në mjedise specifike”, – bën me dije ISHP.
Shenjat
Alergjia nga polenet karakterizohet nga lotim i syve, teshtima, ndonjëherë kollë dhe astmë me shfaqje sezonale. “Me ndryshimin e stinëve, por sidomos në pranverë kur lulëzojnë bimët, ndodh një fenomen natyral, ku re të padukshme të poleneve ndjekin rrymat e ajrit dhe përhapen në atmosferë në distanca të largëta prej shumë kilometrash nga vendburimi i tyre. Polenet mund të depozitohen nga pak kudo, madje edhe në mukozën e konjuktivës, në hundë dhe në mushkëritë e personave, të cilët jetojnë në këto mjedise”, – thonë specialistët e ISHP-së, teksa shtojnë se çdo njeri mund të ketë apo të zhvillojë një alergji, që nga i porsalinduri e deri tek i rrituri.
Shkaqet
Bimët janë përgjegjëse për alergjitë ndaj poleneve, ndërkohë që alergjitë janë të ndryshme për shkak të shumëllojshmërisë së bimëve. Sipas të dhënave, edhe pse bimët alergjike janë të përhapura më shumë në zonat rurale sesa në ato urbane, polenet prekin më shumë njerëzit që jetojnë në qendrat e qyteteve, aty ku trafiku i makinave është shumë i madh. “Vëzhgimet kanë treguar se efekti i alergjenëve të çliruar nga polenet vjen duke u rritur nga ndërveprimi me ndotësit e ajrit dhe ndotësit që nxjerrin makinat”, – shpjegojnë specialistët.
Parandalimi
Mënyra më e mirë për të parandaluar alergjitë është shmangia e kontaktit me lëndët apo substancat alergjike, por në rastin e alergjive stinore, të cilat janë kryesisht nga polenet, është e vështirë të evitohet kontakti. Kjo pasi kërkohet qëndrimi larg ambienteve të hapura në periudhën e përhapjes apo migrimit të poleneve, mbajtjen mbyllur të dritareve, përdorimin e filtrave të ajrit, etj. Simptomat mund të zbuten nëpërmjet marrjes së medikamenteve të rekomanduara gjithmonë nga mjeku.  Si mënyrë parandaluese mund të sugjerohet klima detare, pasi në këto vende përqendrimi atmosferik i poleneve është relativisht i ulët.
Këshilla të përgjithshme
Sipas specialistëve të ISHP-së, në momentin që shfaqen simptomat e një alergjie respiratore, fillimisht duhet shkuar te mjeku apo specialisti për të vendosur saktë diagnozën dhe për të identifikuar alergjenin (ose alergjenët) ndaj të cilëve ju jeni të ndjeshëm, në mënyrë që të përcaktohet saktë terapia dhe masat e nevojshme parandaluese përpara fillimit të stinës së poleneve (pranverës).
Këshilla për individët e diagnostikuar
Ndërkaq, ISHP rendit një sërë këshillash për personat e diagnostikuar me alergji. Sipas tyre, gjatë periudhës së poleneve duhet të evitoni: daljet në orët e përqendrimit më të madh të poleneve në atmosferë, duke preferuar më shumë daljet në mëngjes dhe në darkë vonë, rrugët me trafik dhe mjediset e gjelbra si dhe shëtitjet nëpër lëndina, sidomos nëse ka erë. Po ashtu, duhen evituar dritaret e hapura kur udhëtoni me makinë dhe aktivitetet në natyrë në orët e drekës, sidomos në ditët me diell dhe me erë. Ekspertët rekomandojnë marrjen frymë me hundë, pasi në këtë mënyrë filtrohet ajri që në hyrje, ose mbani një maskë kundër pluhurit. Gjithashtu, duhet të lani flokët sa më shpesh pasi polenet që ndodhen në ajër mund të kalojnë në flokë dhe më pas të depozitohen në jastëk gjatë gjumit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.