Kryesore

Protesta/ Nga veriu në jug, ja akset që do bllokohen sot në orën 11:00. Basha drejton nga…

09:45 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Opozita duket e vendosur për zhvillimin e protestës sot, ku kanë paralajmëruar për bllokim Kombëtar të trafikut në mbarë vendin.

Kështu, sot në orën 11:00 deri në 12:00, opozita do të bllokojë trafikun në të gjitha akset kombëtare, ndonëse policia bëri të ditur dje se do të ketë burg për të gjithë ata që prishin rendin dhe qetësinë.

Thirrja e Bashës

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në thirrjen e tij publike dje, garantoi se protesta do të ishte thellësisht paqësore:

“Nesër, mes orës 11:00 dhe 12:00 qytetarët do të bllokojnë transportin kombëtar anembanë Shqipërisë, – tha Basha të dielën. – Në rrethrrotullimin e Shqiponjës dhe në kryqëzimin e teknologjikut në Tiranë, në rrethrrotullimin e Plugut, në rrethrrotullimin e Rrugës së Kombit në Milot, në rrethrrotullimin e Bradasheshit e kudo do të jenë qytetarët e veriut, jugut, lindjes, perëndimit dhe të gjithë Shqipërisë.

Asnjë lule nuk do të dëmtohet, asnjë gjë nuk do të thyhet. Trafiku do të bllokohet për një orë, por trafiku i drogës, trafiku i krimit, trafiku i votave, trafiku i parave të pista të korrupsionit do të marrin fund një herë e mirë. Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të patur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve dhe ne jemi njerëz të kurajos qytetare.

Policia e shtetit, burrat dhe gratë me uniformë, të cilët ndajnë të njëjtat halle me qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se tek qytetarët e bashkuar nesër do të gjejnë forcën pozitive dhe paqësore që lufton edhe për të drejtat e tyre dhe të gjithë atyre që nëpërkëmben, që keqtrajtohen dhe që frikësohen nga ky pushtet.?

Akset që bllokohen

Kreu i opozitës, Lulzim Basha bëri të ditur dje, akset që do të bllokohen.

“Në orën 11.00, anembanë Shqipërisë, në rrethrrotullimin e Shqiponjës, në kryqëzimin e teknologjikut, 2 pika në Tiranë.

Rrethrrotullimin e Plugut, dhe gjithë Jugu do të mblidhet aty. Rrethrrotullimin e Rrugës së Kombit me nacionalen Shkodër-Tiranë, rrethrrotullimin e Milotit, dhe gjithë Veriu do të jetë aty.

Në rrethrrotullimin e Bradasheshit, Korça, Elbasani dhe gjithë Juglindja e gjitha do jetë aty.

Një orë bashkim për vite të tëra Shqipërie të lirë dhe demokratike për veten dhe fëmijët tuaj. Ngrihemi së bashku. Bashkohemi paqësisht neser në orën 11.00. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët”, tha Basha.

Ky i fundit do të jetë tek rrethrrotullimi tek sheshi “Shqiponja”, ku nga aty do të drejtojë protestën e PD-së, që këtë herë do të jetë më bllokim rrugës.

Partia Demokratike, prej 66 ditësh po proteston kundër qeverisë, duke kërkuar largimin e saj dhe krijimin e një qeverie teknike, me qëllim organizimin e zgjedhjeve në 18 qershor.

PARALAJMERIMI I POLICISE 

Partia Demokratike e Shqipërisë ka lajmëruar se në datën 24 Prill, ditën e hënë, do të zhvillojë një protestë publike, e cila do të shoqërohet me bllokimin e disa rrugëve kryesore kombëtare.

Të nderuar qytetarë,

Policia e Shtetit njofton se nuk ka dhënë lejen për zhvillimin e kësaj proteste. Ky vendim i Policisë së Shtetit është në përputhje të plotë me nenin 8 të Ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet” i cili përcakton se:

“Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e  tubimit ose të vendosë për kohën  dhe vendin e  zhvillimit të tubimit.”

Zhvillimi i protestave apo edhe i tubimeve të tjera në rrugët kryesore kombëtare, duke bërë bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, përbën një cënim të rëndë të rendit publik.

Asnjë shkak ligjor dhe asnjë motiv tjetër me interes publik nuk e justifikon zhvillimin e kësaj proteste në këtë mënyrë.

Zhvillimi i kësaj proteste cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve.

Ndaj Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë.

Policia e Shtetit është plotësisht e ndërgjegjshme për detyrimin që ka për të siguruar mbarëvajtjen e çdo proteste paqësore, e cila nuk cënon interesat publike, por ajo nuk do të tolerojë aspak, këdo që me veprimet e tij shkel ligjin në lidhje me tubimet dhe manifestimet.

Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cënojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm.

Të gjithë ata që do të marrin përsipër t’u shkojnë pas politikanëve të kujtdo subjekti politik për të cënuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave, dëmtuar bashkëjetesën shoqërore dhe ekonominë e bizneseve, do të përballen me ligjin.

Në përputhje me parashikimet e nenit 21 të ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 ”Për tubimet” Policia e Shtetit do të regjistrojë çdo shtetas dhe çdo automjet që i vihet në dispozicion një manifestimi të tillë dhe bashkë me provat përkatëse do t’i paraqesë organit të Prokurorisë kallëzimin penal përkatës.

Kodi Penal, përkatësisht neni 262 dhe 274 të tij sanksionojnë dënime të rënda deri me burgim për ata shtetas që marrin pjesë në manifestime të paligjshme dhe/ose prishin rendin dhe qetësinë publike.

Organizatorët dhe udhëheqësit e këtyre manifestimeve të paligjshme duhet të kuptojnë dhe të kenë përgjegjshmëri politike dhe qytetare për pasojat që mundet të vijnë. Do të jenë ata përgjegjësit ligjorë për çdo pasojë të ardhur si rrjedhojë e prishjes së rendit publik dhe/ose destabilizimit të tij.

Policia e Shtetit sjell gjithashtu në vëmendje që zhvillimi i manifestimeve të paligjshme mundet të shfrytëzohet edhe nga elementë kriminal me qëllime të caktuara për të krijuar destabilitet.

Ndaj ju bën thirrje qytetarëve që të shmangin pjesëmarrjen në aktivitete të tilla të paligjshme, të jenë vigjilentë dhe të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre, si dhe të tregojnë kujdes  të madh, nëse gjenden pranë këtyre tubimeve të paligjshme.

Policia e Shtetit ka gjithë të drejtën ligjore, si dhe zotëron të gjithë kapacitetet për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve dhe për të vënë përpara përgjegjësisë këdo shkelës të ligjit në këtë rast.

Policia e Shtetit gjithashtu, siç ka dëshmuar në gjithë këto vite, është plotësisht e aftë për të përmbushur detyrimin ligjor si garante e zhvillimit të çdo tubimi paqësor kudo dhe nga kushdo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.