Kryesore

Krimi në Sukth/ Dialogu në servis, vajzat refuzuan të hipnin në Audin ku u vranë 2 të rinjtë

11:55 - 27.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Klodiana HAXHIAJ

 

Vrasja në atentat e ish-policit Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautit ka alarmuar policinë e Durrësit. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e së martës në afërsi të “Mbikalimit të Sukthit”, grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet me qëllim identifikimin dhe vënien në pranga të atentatorëve. Mësohet se hetuesit e çështjes kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe objekteve, pranë të cilave dy viktimat kanë bërë lëvizjet e fundit.

PAMJET E KAMERAVE

Nga pamjet filmike është konstatuar se Dalipaj dhe Dauti kanë qëndruar fillimisht në një autoservis, i cili është jo më shumë se 300 m larg prej vendit të atentatit. Në këtë autoservis, Dalipaj dhe Dautaj janë takuar me dy vajza, të cilat kishin mbërritur aty me një automjet “Smart”. Bëhet fjalë për dy vajza të moshës 23 dhe 24 vjeçe nga Tirana. Menjëherë hetuesit kontaktuan me pronarin e servisit (që ka 4 kamera me rezolucion të lartë) ku qëndruan dy viktimat dhe prej nga dolën për të rënë në pritën vdekjeprurëse. Por, pronari u ka thënë hetuesve se kamerat nuk kanë server.

DIALOGU NE SERVIS

Nga marrja në pyetje e një prej punonjësve të servisit u zbulua identiteti i vajzave që u panë në shoqërinë e dy viktimave. Mësohet se Dalipaj dhe Dauti u kanë kërkuar punonjësve të servisit që t’i bëjnë një kontroll mjetit të vajzave, sepse të nesërmen (dje) do të paraqitej në kolaudim. Ndërkaq, punonjësi i servisit u ka kërkuar 37-vjeçarit Dalipaj dhe mikut të tij që të dilnin xhiro me vajzat, sepse kontrolli teknik i “Smart”-it të tyre zgjaste në kohë. Por, ata kanë thënë se kishin punë dhe do të largoheshin (kanë dalë nga dera e pasme e autoservisit që të nxjerr në rrugën dytësore ose ish-rrugën e vjetër Maminas-Shijak-Durrës). Nëse vajzat do të hipnin në automjetin tip “Audi Audi S8” me targa AA 111 OI, atëherë atentati do të kishte pasoja të katërfishta. Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, dy vajzat u identifikuan dhe u morën në pyetje nga grupi hetimor.

Gjatë marrjes në pyetje, ato kanë pohuar se nuk dinin asgjë në lidhje me aktivitetin e dy viktimave dhe se ish-efektivin e policisë nuk e njihnin fare.

PYETJA E VAJZAVE

“Ne njihnim Juxhinin. Me të jemi njohur në Tiranë. Ai na kishte thënë se do të na çonte tek një miku i tij për të kontrolluar makinën. Gjatë kohës që ishim në servis, dy djemtë që na ndihmuan ishin të qetë. Nuk vumë re se ishin të shqetësuar. Përkundrazi, bëmë shaka dhe i falënderuam për ndihmën që na dhanë”, janë shprehur dy vajzat nga Tirana, të cilat ishin personat e fundit që takuan dy viktimat e atentatit. Hetuesit kanë sekuestruar telefonat celularë të vajzave. Hetimet përfshijnë çdo thirrje telefonike të kryer prej tyre, para e pas vrasjes, por kështu edhe qelizat e thirrjeve të mëparshme. Po kështu janë sekuestruar e pritet të zbardhen tabulatet e dy viktimave, për të parë se me kë kishin folur në telefon para vrasjes, kush person ishte në dijeni të lëvizjes së tyre.

Gazeta Shqiptare


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.