Kryesore

Ish-deputeti i PD-së, Hoxha: Ja pse pranova ftesën e PDIU-së, kryetari ua bëri gjëmën demokratëve

10:47 - 30.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Ish-deputeti i PD-së, Fatos Hoxha ka komentuar kandidimin e tij për PDIU-në në qytetin e Kukësit.

Në në një status në rrjetin social “Facebook”, Hoxha nuk ka lënë pa reaguar edhe një lidhje me situatën në të cilën ndodhet PD-ja, teksa ka theksuar se kryetari ia bëri gjëmën PD-së.

“Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të shfrytëzoj një ftesë dashamirëse të PDIU- së për bashkëpunim elektoral dhe të kandidoj për deputet në Qarkun e Kukësit. Me hapësirat që lejon Ligji dhe me kohën e shkurtër në dispozicion kjo më duket rruga e vetme që mund të ndjek për t’i qëndruar besnik thirrjes sime drejtuar kolegëve me funksione në PD për të marrë në dorë situatën dhe për të penguar vetpërjashtimin nga zgjedhjet”, – shkruan Hoxha.

Ja statusi i plotë

Të nderuar Miq,

Për fatin e keq të demokratëve, kryetari ja bëri gjëmën PD-së. Këto zgjedhje dhe legjislatura që vjen do ta lenë PD-në pa përfaqësim në Parlament. Vetpërjashtimi erdhi me vendim të Kryetarit, por pa vendim të forumeve, me vullnet të Liderit, por kundër vullnetit të anëtarësisë, me mbështetjen e liderit historik, por me kundërshtimin e rreptë të të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Kryetarit dhe kundërshtarit politik mbase i del për hajër, demokratëve dhe demokracisë në këtë vend është e sigurt që do tu bëj dëm. Sot që po ju drejtohem me këtë komunikim ndjej vetëm një ngushëllim, ngushëllimin e militantit që nuk ka lënë këmbanë alarmi pa i rënë për të paralajmëruar të keqen që po na zinte derën, sikurse kam vepruar edhe kur PD ishte në pushtet dhe udhëheqësja kish nisur abuzimin me detyrën dhe besimin tonë. Gjithsesi, jam i vetëdijshëm që nuk kam bërë gjithçka duhej. Sot që PD ka dalë nga sistemi dhe forumet refuzojnë ti dalin Zot, nuk gjej dot gjë tjetër për të bërë, veç nismave individuale. Dua tju njoftoj se kam vendosur të shfrytëzoj një ftesë dashamirëse të PDIU- së për bashkëpunim elektoral dhe të kandidoj për deputet në Qarkun e Kukësit. Me hapësirat që lejon Ligji dhe me kohën e shkurtër në dispozicion kjo më duket rruga e vetme që mund të ndjek për ti qëndruar besnik thirrjes sime drejtuar kolegëve me funksione në PD për të marrë në dorë situatën dhe për të penguar vetpërjashtimin nga zgjedhjet.

Unë nuk kam frikë të përballem me kundërshtarin, edhe nëse ai ka mbështetjen e krimit dhe të parave të drogës. Unë e di me siguri, se dhe Demokratët e Kukësit nuk e kanë këtë frikë. Në gjithë këto vite Demokratet e Kukësit fitoren e kanë gjetur kur janë përballur, jo kur janë trembur, strukur apo kanë marrë arratinë. Prandaj unë shpresoj se dhe këtë herë do t’ia dalim, me vendosmëri dhe në rrugën e ligjit, ashtu siç i takon forcës politike ku militoj. Kjo rrugë për mua është vështirë dhe plot sakrifica, por unë jam i vendosur ta përshkoj. Idealet vihen në provë kur përballesh me vështirësitë, jo kur vendos që jetën ta kalosh në “ bulevard “.

Demokratët e vërtetë e dinë këtë gjë, sepse e kanë kaluar në kurriz, për këtë shkak i kanë njohur dhe pranuar si Qëndrestarë, edhe pse udhëheqjes së re kjo nuk i pëlqen. Sot PD ka nevojë përsëri për qëndrestarët. Uroj që ata ta ndjejnë përsëri ta ndjejnë përsëri thirrjen. Deri atëhere unë kam nevojë për të gjithë ju që e ndjeni thirrjen e kohës sikurse unë, dhe që keni mundësi dhe vullnet për këtë përballje të re, të bëhemi bashkë edhe në këtë betejë. Parlamenti i ri nuk duhet ti lerë demokratët të papërfaqësuar, le të bëhemi bashkë e të reagojmë, është koha të qëndrojmë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.