AKTUALITET

“Last Service”/ Gjykata lë në burg komandantin e repartit të ushtrisë që u kap me kokainë

12:11 - 01.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” dy të arrestuarve tek zona e quajtur “Varri i Bamit” në operacionin e koduar “Last Service”, të cilëve iu gjetën dhe sekuestruan 301 gram kokainë.

Me kërkesë të prokurorisë, Drilon Shqau me detyrë komandant skuadre në repartin ushtarak të Pezë Helmes dhe ish-efektivi i policisë, Vehbi Teqja, mbetën në burg deri në përfundim të hetimeve.

Dy të dyshuarit nuk pranuan të flasin para gjykatës për akuzën e ngritur nga prokuroria, atë të “prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike” në bashkëpunim.

Sipas prokurorisë, policia ka ndërhyrë për të kontrolluar dy të dyshuarit Shqau dhe Teqja, pas informacioneve të marra në rrugë operative. Gjatë kontrollit të mjeteve, atyre iu gjetën 301 gram kokainë dhe iu bllokuan 4 aparate celulare.

DETAJET

Një zyrtar i Ushtrisë dhe një ish-polic u kapën dje me një sasi kokaine në Tiranë. Policia e kryeqytetit njoftoi finalizimin e operacionit antidrogë të koduar me emrin “Last Service”, gjatë të cilit janë sekuestruar 301 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Të arrestuarit  janë shtetasit Drilon Shqau, 31 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë komandant skuadre në Repartin Ushtarak Pezë Helmës) dhe Vehbi Teqja, 48 vjeç, banues në Tiranë (ish-punonjës policie).

Burime zyrtare kanë thënë se ndaj këtyre shtetasve disponoheshin informacione se shpërndanin lëndë narkotike të llojit kokainë, në zonën e njohur si “Vorri i Bomit”. Burimet zyrtare të Policisë kanë bërë me dije se pas organizimit të shërbimeve policore është bërë e mundur kapja e këtyre shtetasve në flagrancë dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të 301 gramëve lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 1 automjet i tipit “MercedesBenz”, si dhe 4 aparate celularë të markave të ndryshme.

Burimet e Policisë kanë thënë se pas arrestimit të dy personave, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Ky duket se është një rast i përsëritur kur efektiva të ushtrisë, por edhe ish-policë, implikohen në veprimtari të jashtëligjshme në lidhje me narkotikët e fortë.

HETIMI

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve mësohet se kishin marrë prej muajsh informacion në lidhje me aktivitetin e dy personave të arrestuar. Policia ka bërë ndjekjen e fshehtë të aktivitetit të ushtarakut dhe ish-policit, duke dokumentuar kështu aktivitetin e tyre kriminal. Gjatë hetimit, mësohet se është zbardhur plotësisht fakti se shtetasi Drilon Shqau, 31 vjeç, me detyrë komandant skuadre në Repartin Ushtarak Pezë-Helmës, ishte personi që siguronte lëndën narkotike kokainë, raporton Panorama.

Ai, në mënyrë të vazhdueshme, thuajse çdo javë apo dy javë, takohej me shtetasin Vehbi Teqja, ish-efektiv policie. Në këto takime, ushtaraku i dorëzonte ish-policit sasitë e kokainës me të cilat e furnizonte. Pasi merrte kokainën nga oficeri i Ushtrisë, ish-polici fillonte punën për shpërndarjen e lëndës narkotike. Ka dyshime se në disa prej lëvizjeve të tij, ish-polici është ndihmuar apo toleruar, si dhe ka arritur të shmangë kontrollet, falë njohjes që kishte me efektiva të policisë, por edhe mbi mënyrat se si punojnë efektivat e rendit.

Pas finalizimit të hetimeve, në bashkëpunim me Seksionin për Operacionet Speciale, në Drejtorinë e Policisë Tiranë është vendosur finalizimi i operacionit “Last Service”. Pas kapjes së dy personave, mësohet se ka nisur hetimi në lidhje me bashkëpunëtorë të mundshëm apo persona të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit të shpërndarjes së kokainës.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.