AKTUALITET

Grabitet me armë banesa e kambistit, bashkëshortja: Si i gjeta 3 agresorët në oborr

11:24 - 01.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 Lediona XHELADINAJ

Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur banesën e një kambisti në qytetin e Maliqit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës bënë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës. Mësohet se agresorët kanë hyrë në banesën e Vilson Marës në momentin që familjarët nuk ndodheshin aty. Maskat, pasi kanë kontrolluar për afro një orë çdo ambient të shtëpisë, kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash dhe janë larguar me shpejtësi. Pjesëtarët e familjes Mara kanë deklaruar se grabitësit  kanë marrë një shumë prej 300 mijë lekësh të reja, ndërsa dy televizorë, të cilët i kishin nxjerrë në oborr nuk kanë mundur t’i marrin, pasi në largim e sipër janë ndeshur me të zonjën e shtëpisë. Menjëherë pas ngjarjes, ata kanë sinjalizuar policinë, e cila ka nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Blutë po vijojnë hetimet për ngjarjen, ndërsa paraprakisht mësohet se ekspertët kanë gjetur gjurmë të shumta dhe prova materiale që u përkasin autorëve të grabitjes. Ndërkohë, 51-vjeçarja Lindita Mara tregoi për “Gazeta Shqiptare” momentin kur u përball në oborr me tre personat me çorape në kokë.

NGJARJA

Për herë të dytë grabitet banesa e kambistit Vlison Mara. Dyshohet që tre personat e maskuar kanë kryer grabitjen, pasi janë siguruar se në shtëpinë e familjes Mara nuk ka pasur njeri. Ata kanë thyer me levë derën dhe kanë kthyer banesën përmbys, duke kontrolluar cep më cep, derisa kanë gjetur paratë. Në momentin që kanë pikasur se po afrohej e zonja e shtëpisë, grabitësit janë larguar. “Më datë 29.04.2017 jemi njoftuar se në Maliq, tre persona në bashkëpunim mes tyre kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetases L.M., 51 vjeçe. Nga të dhënat paraprake dyshohet se këta shtetas kanë marrë një sasi lekësh, rreth 1 milion lekë të vjetra, si dhe kanë tentuar të vjedhin edhe 2 televizorë, por janë larguar me shpejtësi, pasi janë pikasur nga e zonja e banesës, e cila po afrohej drejt shtëpisë. Theksojmë se në banesë kur është kryer vjedhja e lekëve nuk kishte njeri. Aktualisht po kryhen veprimet procedurale dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë së Korçës.

DËSHMIA

“Kur u ktheva në shtëpi, pashë në oborr tre persona. Ata ishin të maskuar dhe të armatosur. Policë nëpër këmbë s’kishte. Hajdutët i pashë me televizor në dorë. Ishin të rinj e të vegjël. Njërit prej tyre i ra arma nga dora. Po nuk vuri dorë shteti, do të vë vetë, se është hera e dytë që më vjedhin”, tha bashkëshortja e kambistit, Lindita Mara. Ndërsa, kambisti Vilson Mara, kërkoi ndihmën e policisë duke telefonuar nr.129, por numri dilte i padisponueshëm. Sipas tij, edhe disa orë pas grabitjes, ky numër vijonte të ishte i padisponueshëm. Të kërcënuar në të drejtën e tyre të pronës dhe jetës, bashkëshortët Mara i bënë apel policisë që të zbardhë ngjarjen dhe të kapë autorët. “I kam rënë disa herë policisë edhe tek numri 911, edhe tek 129. U detyrua gruaja të gjente policët rrugëve”, pohoi kambisti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.