EKONOMI

Valdete Malaj: Koliti, ja cilët janë personat më të rrezikuar

09:00 - 01.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

Femrat, personat mbi 40 vjeç apo ata që kanë në historinë e tyre familjare sëmundje tumorale të zorrës janë më të predispozuarit për t’u prekur nga koliti spastik, apo siç njihet ndryshe “zorra nevrike”. Shpjegimi vjen nga drejtoresha e Qendrës së Specialiteteve Nr. 3, njëkohësisht mjeke gastrohepatologe, Valdete Malaj, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplemntin “Life Pages”, të “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje gjithçka duhet të dini rreth kësaj patologjie.
Doktoreshë, çfarë është koliti spastik?
Kolopatia është një term i gjerë, në të cilin përfshihen disa lloj kolitesh. Kemi kolit ulceroz, që është dëmtim i mukozës në zorrës, kemi morbus kron dhe forma më e shpeshtë e kolopatisë që është koliti spastik ose siç njihet ndryshe sindroma e zorrës së irrituar. Në gjuhën popullore koliti spastik quhet zorrë nevrike. Në këtë rast shtresa e mukozës së zorrës nuk është e dëmtuar, por karakterizohet me spazma të shpeshta, të cilat çojnë në dhimbje abdominale. Kjo ndodh për shkak të çrregullimeve të motorrikës normale të zorrëve, si pasojë e gjendjeve emocionale, intolerancës ndaj disa ushqimeve si ushqimeve pikante, të skuqurave, pijeve alkoolike, bulmetit, sidomos qumështit apo kafesë.
Cilat janë disa nga shkaqet që shkaktojnë kolitin spastik?
Njihet faktori gjenetik, çka do të thotë se mund ta vëmë re te disa pjesëtare në të njëjtën familje. Te këta persona, që kanë një predispozicion gjenetik janë disa faktorë që e nxisin më tej, siç janë disa lloje ushqimesh (pikante, të skuqura, turshi, kafeja, alkooli etj.). Për sa u përket ushqimeve duhet theksuar që janë specifike për njerëz të caktuar. Përveç ushqimeve, te këta persona ndikon edhe stresi. Ka pacientë, të cilët në momente të caktuara kanë ngarkesa emocionale apo stresi, që shfaqen me dhimbje barku. Faktor predsipozues është edhe i ftohti, ndaj këto probleme i vëmë re në periudhën e ndërrimit të stinëve dhe sidomos nëse të ngrijnë këmbët, reagon me spazma dhe dhimbje të zorrëve.
Cilat janë disa nga shenjat?
Dhimbjet e zorrëve janë për një periudhë kohore të shkurtër, me dhimbje shumë të forta, të cilat më pas lëshohen dhe barku qetësohet. Kjo është një ndër shenjat tipike, që ne e dallojmë dhe e diferencojmë nga sëmundje të tjera të zorrës. Pra, në rastin e kolitit spastik dhimbjet janë me periudha, vetëm në momentin e acarimit kur faktorët predispozues futen në lojë. Këto dhimbje mund të zgjasin me periudha: për shembull pacienti për një gjysmë dite mund të ndjehet keq, por mund të zgjasë edhe vetëm një spazëm ose për vetëm një orë. Shenja të tjera janë çrregullimet e jashtëqitjes, që shoqërohen me kapsllëk ose diarre. Këto mund të jenë të alternuara të dyja së bashku, domethënë një periudhë kohe kapsllëk dhe një periudhë kohe me diarre. Pacientët ndjejnë një diskonfort, një gjendje jo të rehatshme barkut. Mund të kenë edhe fryrje të barkut apo gazra.
Kur duhet të shqetësohet një person nga dhimbjet e barkut dhe t’i drejtohet mjekut?
Në çdo lloj dhimbje barku pacienti duhet të vizitohet te mjeku përkatës, sepse jo gjithmonë sëmundja del në pah me shenja tipike të saj. Ka raste, që ne hasim të sëmurë, që mendojmë se mund të jetë një kolit spastik i thjeshtë, por në ekzaminime të thelluara vëmë re që këta pacientë mund të kenë edhe polipe edhe kolit ulceroz, në faza fillestare. Pra, gjithmonë nuk duhen neglizhuar.
Përveç ushqimeve pikante dhe të skuqura, çfarë ushqimesh të tjera mund të bëhen shkak për kolit?
Në përgjithësi janë ushqimet pikante, të skuqura apo turshitë, por ka edhe ushqime të tjera si për shembull qumështi. Ne kemi pacientë që thonë “sapo pi qumësht më jep dhimbje barku dhe diarre”. Ndërkohë që disa të tjerëve qumështi ju bën mirë. Pra, ushqimet janë specifike sipas pacientëve. Po ashtu janë edhe: kafeja, pijet alkoolike, duhani, pijet me gaz apo brumërat.
Cilët janë personat më të rrezikuar për t’u prekur?
Më të predispozuara janë femrat dhe moshat mbi 40 vjeç. Ka raste që forma fillestare të kolitit i vëmë re edhe te moshat e reja.
Si mjekohet koliti spastik?
Një rëndësi në trajtimin e kolitit spastik ka bashkëbisedimi me pacientin për t’i shpjeguar për sëmundjen, për mënyrën e të ushqyerit, për një regjim ushqimor të rregullt, për të bërë një jetë aktive, me aktivitete fizike. Ne bëjmë “propagandë” te i sëmuri për mënyrën e të ushqyerit, për eliminimin e stresit, për një jashtëqitje të rregull. Në rastet kur pacienti ka dhimbje mund të përdoren antispastikë, për ta vënë zorrën në qetësi. Duhet pasur kujdes te përdorimi i antispastikëve, pasi kur ata përdoren për një kohë të gjatë mund të japin kapsllëk. Te format më të rënda rekomandohet edhe një kombinim i mjekimit me mjekë psikiatër dhe psikologë, duke filluar me mjekim me antidtepresiv dhe anksiolitik, pra qetësues të sistemit nervor. Duhen trajtuar sipas rastit konstipacioni ose diareja.
Çfarë ndodh nëse koliti spastik nuk kurohet?
Kjo ndikon në jetën e pacientit. Ne kemi pacientë që e vuajnë shumë këtë, pasi iu prish standardin e jetesës. Ndaj duhet bërë një ndërthurje edhe me psikiatrin apo psikologun për një mjekim, qoftë edhe me preparate antidepresantë. Nuk kemi studime shkencore që koliti spastik i tej zgjatur mund të çojë në sëmundje tumorale ose kolit ulceroz. Megjithatë, duke pasur parasysh shenjat e kolitit spastik si kapsllëku apo diarreja, të cilat zgjatin për kohë të gjatë, mund të çojë në çrregullime elektrolitesh, këputje, anemi, etj. Pra, efektet janë dytësore.
Si diagnostikohet kjo patologji?
Krahas anamnezës që ne marrim te pacientët është e rëndësishme analiza e “feçe-gjak okult”, për të përjashtuar një problem të sëmundjeve organike të zorrës (kanceri i zorrës, koliti ulceroz, polipeve të infektuara, etj.). Tek rastet me anamnezë familjare për sëmundje tumorale ose sëmundje të tjera të zorrëve duhet bërë edhe ekzaminimi kolonoskopik për të përjashtuar një sëmundje tjetër të zorrës.
Një këshillë të fundit për të parandaluar kolitin?
Ushqehuni sa më natyralisht, kryesisht me fruta dhe perime. Përdorimi me kriter i preparateve të ndryshme mjekësore dhe sidomos i antibiotikëve, të cilët çrregullojnë florën intestinale dhe bëhen shkak për sëmundje të ndryshme të zorrës. Po ashtu, mishin e kuq sa më rrallë, por përdorni mishin e bardhë (pulë, peshk). Mishi i kuq duhet të hahet 2 herë në javë maksimumi, ndërsa te pacientët që kanë predispozicion për sëmundje tumorale 1 herë në muaj. Po ashtu, bëni një jetë aktive, me sport, sa më të qetë dhe pa stres. Rëndësi ka dhe një jashtëqitje e rregullt, pasi bën të mundur një funksionim më të mirë të zorrës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.