Kryesore

Video/ Rama i shkon në shtëpi të dënuarit politik…”Kafen e pi pa sheqer, jam i ëmbël vetë”

13:03 - 02.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Punës, Olta Xhaçka, ka vizituar shtëpinë e Lutfi Kelmendit, në Fushë Krujë i dënuar me 13 vjet heqje lirie në vitin 1984, kur ishte vetëm 25 vjeç.

Sot Kelmendi ka përfituar dëmshpërblimin e plotë nga shteti për vitet e vuajtjes në burgun e diktaturës. Rama tha se ky është një zotim i mbajtur për të gjithë të burgosurit politikë që janë ende gjallë. Ndërkohë, ministrja Xhaçka theksoi se në qershor do të ndahet edhe kësti i tetë për ish të dënuarit nga regjimi komunist.

Ai ka biseduar për afro gjysmë ore me familjarët , Rama nuk ka nguruar as të shkëmbehen batuta. Teksa zonja e shtëpisë e ka pyetur sesi e pi kafen. “Kafen e pi pa sheqer, se jam i ëmbël vete”.

Kelmendi: Një brez i joni humbi

Rama: E kanë humbur shumë gjëra

Kelmendi: Të paktën të rrojmë e të gëzojmë një ditë

Xhaçka: Ju vetë i keni marrë të 7 këstet?

Kelmendi: Po i kam marrë, kam martuar gocat, kam bërë dhe ca punë në shtëpi. Ai sistem mos ardhtë më, baba spiunonte djalin e djali babën, po të paktën të mos na dalin nëpër televizore ca nga ata.

Rama: Ata që kanë qenë më servilat u bënë sikur s’kanë qenë këtu, por në hënë.

Rama- djalit të shtëpisë: Avash, avash mos u marto shpejt ti (qesh)

Lutfi Kelmendi është një ish i persekutuar i regjimit komunist. Kur ishte vetëm 25 vjeç, në vitin 1984, ai u dënua me 13 vjet heqje lirie, për tentativë arratisje. Sot ai është përfitues i dëmshpërblimit të plotë, një zotim ky i qeverisë, i mbajtur për të gjithë të burgosurit politikë që janë ende gjallë.

Historinë e tij familjare Lutfiu e ndau sot me Kryeministrin Edi Rama, i cili ishte mik në shtëpinë e tij, në Fushë-Krujë, së bashku me ministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Olta Xhaçka.

Në bisedë me ta, Lutfiu rrëfeu se edhe babai i tij me profesion ekonomist ishte dënuar nga regjimi për agjitacion dhe propagandë. Për këtë arsye, familja Kelmendi ishin dikur përkrahës të Partisë Demokratike, prej së cilës, Lutfiu thotë se mbetën të zhgënjyer dhe të fyer, pasi nuk u realizua asnjë prej premtimeve të dhëna. “Ishim me Berishën, por na doli tradhtar. U futëm në grevë urie për të drejtat tona dhe na quajti “qelbësira”, që nga ai moment jam kundërshtar.” u shpreh ai.

Ndërkaq, Kryeministri tha se çështja e kompensimit të ish të burgosurve, ka qenë e rëndësishme për qeverinë, si një çështje morale e shoqërisë dhe jo thjesht për interes elektoral.  “Pavarësisht se rrethanat historike ishin të tilla, që i identifikua Partia Demokratike me të burgosurit politikë dhe Partia Socialiste si pasardhëse e atyre që ndërtuan burgjet, për ne çështja e kompensimit të burgosurve ka qenë e rëndësishme si një çështje morale e shoqërisë, jo si çështje votash apo interesash elektorale. Një nga mëkatet e mëdha të PD dhe të Saliut personalisht, ishte që nuk u morr kurrë seriozisht me këtë çështje e të mendosh që sot jemi 27 vjet pas daljes nga burgjet të atyre që u përndoqën dhe u çuan nëpër burgje dhe akoma diskutojmë këstet e të gjallëve. Kështu që për ne ishte e domosdoshme që të vendosnim pikat në këtë histori. Kush ka dalë nga burgu politik dhe është i gjallë të marrë gjithë dëmshpërblimin e plotë. Ka plot nga ata ish të përndjekur që ikën në botën tjetër pa marrë asgjë. U bë një “çorap” i madh dhe nuk u mor vesh kush mori e kush nuk mori lekët.”

Si një person mjaft aktiv në mbrojtje të të drejtave të atyre që përfaqëson , Lutfiu tregon se në kohën e qeverisjes së kaluar ka hasur pengesa nga më të ndryshmet, por vendosmëria për të qëndruar deri në fund e karakterizon. “Shoqatat u krijuan për të na përçarë ne. Ne hymë në një grevë urie për të kërkuar paratë që na takonin. Mua më thanë pse hyn? U thash, për të kërkuar të drejtën aty ku më takon. E deri ditën që më takon, do ta kërkoj.” tha ai.

Përsa i takon kësteve të dëmshpërblimit, Lutfiu pohon se tashmë i ka përfituar të 7 këstet: “Ne i kemi marrë. Të tjerët s’kanë besuar se do i marrin, por ne i kemi marrë. Disa s’kanë besuar e kanë ngelur mbrapa.”

Lidhur me këtë çështje, ministrja Xhaçka shpjegon se “Në qershor parashikohet të hapet dhe kësti i tetë. Ndërkohë që ata që s’kanë përfituar fare për shkak të dokumentacionit, deri në dhjetor të këtij viti mund të shkojnë të aplikojnë.” Kryeministri u shpreh të gjithë do të përfitojnë dëmshpërblimin. “Ishte dhe pak vështirë nga ana ligjore, por ne bëmë një skanim të mirë që mos ketë abuzime. Prandaj bëmë një hapje dhe edhe atyre do t’ua japim.

Duke qenë një banor i vjetër i kësaj zone, Lutfiu i njeh mirë problemet e qytetit të tij, Fushë Krujës. “Kjo zonë përmbytej gjithnjë nga lumi, por falë Zotit këtë radhë, ju e njohët si problem, e njohët përmbytjen. Për këtë bravo ju qoftë, pasi dhatë paratë (dëmshpërblimin). Askush nuk e ka bërë këtë më parë. Vinin dhe vetëm fusnin përçarjen. E dyta që është prapë kryesore është pluhuri, pasi janë dy fabrika çimentoje. Ndërkohë dhe unaza duhet të mbarojë që të kalojnë këto kamionët të cilët gjithashtu duhet të mbulohen që të mos lëshojnë pluhur.” u shpreh zoti Kelmendi, i cili mori premtimin e kryeministrit se së shpejti do të zgjidhen. “Duhet të bëjmë një sistem që të jetë i kontrollueshëm, se po nuk u bë kjo është e vështirë dhe ndërkohë dhe unaza është drejt përfundimit.”, tha ai

Kryeministri tha ndër të tjera se në Krujë është punuar shumë përsa i takon infrastrukturës, por që ende mbetet shumë për të bërë. “Edhe këtu në Krujë po bëjmë goxha punë. por ka akoma shumë për tu bërë, nuk diskutohet.”

Pensionet janë një tjetër çështje e ndjeshme, jo vetëm për familjen e Lutfiut. Interesimit të tij për rritjen e pensioneve, kryeministri i përgjigjet se, “Edhe pensionet janë ngritur shumë, por bëhet fjalë për ato pas reformës. Me reformën që bëmë ne tani, varet nga kontributet. Secili e përcakton vetë pensionin tani. Por për ata para reformës prapë është vështirë. Ne bëmë një rritje të vogël 3% por nuk është e mjaftueshme dhe që të bësh rritje të mëdha duhet bërë hap pas hapi. Ndërkohë këta pas reformës marrin pensione edhe mbi 300 mijë (të vjetra).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.