Kryesore

Vasili: Stabiliteti kërkon sakrifica. PPE, variant i mirë. Gati të lëmë postet në qeveri

14:42 - 04.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryetari i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në daljen e tij të parë për mediat, përsëriti angazhimin e kësaj partie për të bërë çdo gjë që do të mundësonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Vasili tha se është i mirëpritur sërish roli i PPE për t’i dhënë zgjidhje krizës, ndërsa deklaroi se propozimi i tyre ishte realist.

Vasili theksoi se për zgjedhje të pastra dhe të gjithëpranuara duhet bërë çdo sakrificë, sado e dhimbshme.

“LSI nuk ka qenë pjesë e këtij negocimi, ka qenë negocim bilateral mes kryetarit të PS-së Edi Rama dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha me stafet respektive. Jemi njohur me variantin e zgjidhjes të ofruar nga PPE. Në vlerësimin tonë ka qenë një variant realist që hapte hapësirën për zgjidhjen e krizës politike. Në vlerësimin tonë jepte garanci të rëndësishme PD-së që të bëhej pjesë e procesit. Jo rastësisht propozimin për t’iu drejtuar PPE e ka bërë Meta. Përsëri do ishin të mirëpritura dhe të besuara nga të gjitha palët që PPE ta thonë fjalën e tyre dhe në këtë moment. Edhe eksperienca edhe pesha e tyre politike e bëjnë çdo zgjidhje të ofruar prej tyre më të besueshme dhe të gjithëpranuar. Stabiliteti i vendit dhe e ardhmja e tij që lidhen me zgjedhje të lira dhe të ndershme kërkon dhe do të kërkojë sakrifica. LSI ka qenë e gatshme për tu vënë në dispozicion maksimalisht në funksion të zgjidhjes. Meta është President. Le të fillonte zgjidhja që nga pozicioni që unë mbaj si Ministër i Drejtësisë”.

Kreu i ri i LSI, Petrit Vasili i pyetur nëse pas zgjedhjeve PS siguron 71 vota, ku do pozicionohet LSI, në krahë të mazhorancës apo në opozitë, ai tha:

“Asnjë rezultat i zgjedhjeve s’ka asnjë rëndësi në momentin që flasim, pasi përpara kemi një detyrë madhore çfarë zgjedhjesh do zhvillojmë dhe a do kemi zgjedhje të pranuara. Ne kemi inkurajuar çdo zgjidhje që siguron zgjedhje të lira dhe me standarde. Edhe dje kam theksuar me gatishmëri e sinqeritet që në funksion të kësaj zgjidhjeje kemi vënë të gjitha postet tona në qeveri. Kam afirmuar zgjidhjen që ka dhënë zoti Meta më parë. Nëse të gjithë nuk i japim përgjigjen e duhur kësaj çështje të gjithë të tjerat kanë rëndësi të kufizuar dhe nuk i japin vendit atë që pret.

Zgjedhjet e njëanshme s’do mundësonin ecurinë e reformave ndaj këtu duhet të jetë fokusi për të përdorur çdo minutë, çdo mik të huaj apo vendas, vetëm për të vajtur te një zgjidhje sa më e gjithëpranuar”.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.