Kryesore

VIDEO/ Vrasja e Elton Çiços, akuzë për vrasje Jani Aliajt. Në gjyq edhe 3 të tjerë

12:57 - 04.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Klodiana LALA

 

Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen për të akuzuarit e vrasjes së Elton Çiços në një lokal afër zonës së ish-Bllokut në Tiranë.

Organi hetimor akuzon Jani Aliajn për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, Renato Milloshin për moskallzim krimi, Alban Trimin për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës dhe Redian Rajën për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Konflikti Alia-Çiço

Burimet e sipërpërmendura bënë me dije se Jani Alia ka qenë i dënuar me 18 vite heqje lirie në Greqi, për një vrasje të ndodhur në këtë shtet. Ai ka kryer vetëm 10 vite burg dhe më pas është arratisur prej andej. Gjatë kohës që Aliaj ka qenë duke vuajtur dënimin, në burg ndodhej edhe Elton Çiço, i cili ka qenë i arrestuar për drogë. Pas një konflikti të ndodhur mes tyre, Çiço kishte plagosur me thikë 39-vjeçarin Alia. Hasmëria mes tyre ka vijuar edhe në Shqipëri. Më 10 janar 2016, në një lokal në rrugën e “Kavajës” në Tiranë është tentuar të vritet me pistoletë, Jani Alia. Autori ka qëlluar disa herë teksa ka qenë në lëvizje me një makinë, ndërsa i plagosur nga ciflat e xhamit mbeti një klient.

Më 25 prill 2016 në Gjirokastër, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Lumit”, Jani Alia ra pre e një atentati tjetër me armë zjarri, ku mbeti i plagosur në dorë. Për të dyja këto ngjarje, sipas burimeve i dyshuar ishte Çiço. Ai është marrë disa herë në pyetje nga policia, por nuk është arrestuar, pasi nuk ka pasur prova për ta deklaruar atë fajtor. Të njëjtat burime sqaruan se vrasja mund të ketë ndodhur edhe për shkak të konflikteve që dy personat kanë pasur lidhur me çështjet e drogës. Ndërkohë, burime konfidenciale thanë për “GSH” se Jani Alia “fshihej” nën pseudonimin “Xheku”.

Ai ka pasur njohje me Renato Milloshin që në Tepelenë. Mësohet se ky i fundit, me origjinë nga Burreli, është rritur në Tepelenë, në familjen e tezes së tij. Gjatë kësaj jave policia ka zhvilluar kontrolle të imtësishme në disa qytete të vendit, kryesisht në Tiranë, Tepelenë, Durrës e Berat, për gjetjen dhe arrestimin e Jani Alia dhe Renato Milloshit. Sipas hetuesve të çështjes, këta dy persona dyshohet të jenë larguar jashtë vendit në mënyrë ilegale pak orë pas vrasjes së Elton Çiços.

https://www.youtube.com/watch?v=ul7HxAB5-gE


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.