Kryesore

Vendoset norma e re e pagës minimale, shkon 24 mijë lekë, ja kush përfiton

08:26 - 04.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Ornela MANJANI

 

Paga minimale shkon në 24 mijë lekë në muaj, nga 22 mijë që ishte aktualisht. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku mësohet se paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Sipas vendimit të qeverisë, paga bazë minimale për orë do të jetë 138 lekë dhe shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.

Për kompetencat në caktimin e pagave dhe të shpërblimeve, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave miratoi shtesat si për pagën minimale ashtu edhe për orët e punës. Efektin pozitiv kjo rritje pritet ta japë te të punësuarit me paga të ulëta. Njëkohësisht rritja e pagës minimale do të reflektohet edhe në rritjen e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Kjo barrë pritet të rëndojë me shumë të vetëpunësuarit në bizneset e tyre, ose në bujqësisë pasi kontributet llogariten mbi pagën minimale. Sipas ligjit në fuqi, me pagën minimale 22 mijë lekë, pagesa mujore për sigurimet është 6556 lekë në muaj. Me rritjen e pagës minimale në nivelin 24 mijë lekë në muaj pagesat për kontribute shkojnë në 7152 lekë në muaj. Pak ditë më parë, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili bëri të ditur se është gjetur dakordësia me grupet e interesit për rritjen e pagës minimale, bëri të ditur se rritja e moderuar e saj ndihmon punonjësit me të ardhura të ulëta dhe është plotësisht e përballueshme nga bizneset.

Kontributet për pension

Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. Kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2017 është 4 752 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore (22 000 lekë x 21.6%). Ndërkohë, për pagesat paradhënie aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa.

Kështu, nëse do të para-paguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar) dhe 1.5% mbi shumën për një pagesë 3-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).

Pagesat e vitit korrent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 4752 lekë, deri në kufi të pagës maksimale. Ndërkaq, pas rritjes së pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, kuota mujore e sigurimit vullnetar pritet të shkojë 5 184 lekë ose 432 lekë më tepër se aktualisht. Ndërkaq, në tabelën bashkëngjitur shkrimit, “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë procedurën që duhet të ndiqni për të paguar sigurimin vullnetar si dhe përfitimet që lindin nga kjo skemë.

Rritja

Kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2017 është 4 752 lekë. Ndërkaq, pas rritjes së pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, kuota mujore e sigurimit vullnetar pritet të shkojë 5 184 lekë ose 432 lekë më tepër.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.