Kryesore

Identifikohet i riu që i bëri atentat boksierit në Shkodër, policia e shpall në kërkim

11:41 - 07.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Një 21-vjeçar duket se është autori i plagosjes me armë zjarri të kampionit të boksit Nelson Hysa, një ditë më parë në Shkodër.

Kështu, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar për plagosjen me armë zjarri të kampionit të boksit, Nelson Hysa.

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, kanë bërë të mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim autorit të dyshuar shtetasit me inicialet V. K., banues në Shkodër.

Ndërkohë që po vijon puna për kapjen e tij.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë model 54 e kalibrit 7.62 mm.

Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Ngjarja

Boksieri i Vllaznisë, Nelson Hysa është plagosur në një atentat në qytetin e Shkodrës. Dy persona me skafandra në kokë dhe të veshur me rroba të zeza i janë afruar 32- vjeçarit me një motoçikletë dhe e kanë qëlluar me një plumb pistolete në pjesën fundore të barkut. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bënë me dije se ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “Qemal Stafa” të këtij qyteti, në vendin e quajtur “Ura Dervishbeg”. Menjëherë blutë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 15 persona. Hetuesit e çështjes deklaruan se dyshohet që atentati ka marrë shkas për shkak të konflikteve të mëparshme që Hysa ka pasur me persona të tjerë. Ndërkaq, vetë 32-vjeçari i shpallur 18 herë kampion boksi i Shqipërisë (po ashtu fitues i shumë medaljeve në turne ndërkombëtare) ka pohuar se nuk e ka idenë se kush mund ta ketë qëlluar dhe se nuk ka probleme me persona të tjerë.

Rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, Nelson Hysa, banues në lagjen “Fahri Ramadani” ka shkuar tek një prej berberëve tek “Ura Dervishbeg” për t’u qethur. Burime nga vendngjarje bëjnë me dije se ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, e cila pasi e ka lënë afër berberhanes, është larguar nga aty. Boksieri para se të futej tek berberi për t’u qethur ka hasur dy personat me motoçikletë, ku njëri prej tyre e ka qëlluar me armë zjarri. E ndërsa 32-vjeçari është plago sur, dy autorët e krimit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Hysa është dërguar në spital, ndërsa në urgjencë kanë shkuar edhe disa miq të tij, të cilët kanë dhuruar gjak. Ndërkaq, policia ka shkuar shpejt në vendngjarje ku kanë sekuestruar një gëzhojë pistolete, me të cilën është qëlluar boksieri. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli si dhe është bërë krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Blutë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve aty pranë për të parë nëse mund të identifikohen autorët nga pamjet vizive. Policia shoqëroi 10 persona, të cilët dyshohet se mund të jenë autorët e plagosjes apo mund të kenë informacion të detajuar mbi atë që ka ndodhur. Deri më tani asnjë prej tyre nuk ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Gjithashtu, janë shoqëruar edhe 5 prej dëshmitarëve, të cilët gjatë marrjes në pyetje janë shprehur se nuk kanë arritur të identifikojnë asnjërin prej personave që kanë qëlluar ndaj boksierit, sepse ishin me skafandra në kokë.

Burime pranë grupit hetimor pohuan se disa herë boksieri Nelson Hysa është konfrontuar fizikisht me persona të ndryshëm në kohë të ndryshme. Deri më tani kjo është pista e vetme ku po hetohet. Policia dyshon se atentatorët mund të jenë ndonjë nga personat, me të cilët është konfliktuar 32-vjeçari. Me gjithë hetimet e bëra, blutë e Shkodrës ende nuk kanë rënë në gjurmë të autorëve të krimit. Ai është shpallur 10 herë kampion i Shqipërisë. Nelson Hysa, përveçse është shpallur 18 herë kampion i boksit në Shqipëri, ka qenë dhe pjesë e ekipit “Mexico Guerreros”, që merr pjesë në Ligën gjysmëprofesioniste ËSV.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.