BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Saimiri i Fiks-it për herë të parë flet për jetën e tij private, pritja për t’u bërë baba

16:00 - 08.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:  Saimiri i Fiks-it për herë të parë flet për jetën e tij private, pritja për t’u bërë baba.





Saimiri i Fiks-it per herë të parë flet për jetën e tij private, pritja për t’u bërë baba
‘Djali që do lindë, motiv i jetës time’
Për herë të parë Saimir Kodra flet për jetën e tij private dhe ndryshimin rrënjësor që ka pësuar

Lumturia i dallohet shumë kollaj në sy dhe tregohet sapo nis e flet me të. Tashmë prej 5 muajsh Saimir Kodra i njohur nga i gjithë publiku nëpërmjet emisionit investigativ ‘Fiks Fare’, ka mësuar lajmin e mirë se do të bëhet baba. Babai i një djali që do të vijë në jetë si rrjedhojë e një lidhje disa vjeçare që po jeton me partneren e tij. Dhe në fakt për të tashmë ka ndryshuar gjithçka. Siç tregon dhe vetë ai, prej disa kohësh i ka dhënë ‘delete’ çdo preokupimi apo angazhimi tjetër veç profesionit dhe punës që bën, dhe po i përkushtohet tërësisht familjes, të cilën e konsideron të shenjtë. Por cila është partnerja që e ka bërë Saimirin të lumtur? Cila është tanimë jeta ‘ndryshe’ e Saimirit? Lexoni këtë rrëfim të tij për herë të parë për jetën private në suplementin ‘Bluetooth’
Sapo kemi mësuar lajmin e mirë që do të bëheni baba. Çfarë ka ndryshuar brenda jush dhe si po e përjetoni këtë kohë teksa jeni në pritje?
Ndyrshimi i parë njëherë nis që nga fatura e telefonit në fund të muajit. Është reduktuar jashtë mase shumë. Pra për mua ka kaluar ajo periudha e ‘shthurjes’ ku  nuk kisha përgjegjësi të tjera mbi veten dhe pjesën veç punës i dedikohesha kohës së lirë. Tashmë ndihem përpara përgjegjësisë. Po i dedikohem tërësisht familjes, partneres time dhe fëmijës që po presim. Duke i qëndruar ndryshimit që më pyetët, po të rendis disa detaje që më parë nuk ndodhnin: Servirja e mëngjesit në krevat bashkëshortes time, përgatitja e drekave dhe darkave speciale nga ana ime, preokupimi për kombinimin e pllakave, zgjedhja e vaskës me apo pa hidromasazh. Pra me pak fjalë, tashmë i kam bërë ‘delete’ çdo gjëje tjetër dhe jam i fokusuar vetëm tek familja ime. Është shumë e rëndësishme.
Çfarë seksi ka fëmija?
Është djalë dhe Ada, bashkëshortja ime është 5 muajshe shtatzënë. Si patriarkal që jam (qesh), doja vërtet që fëmija të ishte djalë dhe në të vërtetë kështu doli.
Nëse do ishte vajzë?
Në fakt Ada, vajzë e donte. Nuk do kishte asnjë problem natyrisht por thjesht kisha dëshirë të ishte djalë fëmija i parë. Fëmija i dytë të jetë vajzë ku të ketë mundësi të mësojë më shumë nga e ëma. Dëshiroja djalë sepse dua të më ndihmojë të hap parashutën, të merret me mua me veglat e zhytjes, të më blejë një paketë kur t’ia kërkoj. Nesër, pasnesër, kur ta çoj në shkollë nuk dua që t’i thonë: ‘Hë mo, të solli gjyshi e?’. Dua ta mësoj të ‘kafshojë’ por edhe të puthë duart.
Sa shpesh e merrni në telefon bashkëshorten dhe çfarë i thoni?
Shumë shpesh gjatë ditës dhe i them: Si je? Ç’thotë cuni? Ose … A u zgjua çuni?
Na fol pak për Adën. Si je njohur me të?
Jemi njohur fillimisht si shokë, rreth 7 vjet më parë. Më pas lindi dhe ndjenja. Prej 2 vjetësh bashkëjetojmë. Me Adën kam hedhur një hap që me të tjera s’do e kisha hedhur kurrë. Më ka pëlqyer raportin e ngjyrave në veshje, në stinë. Nga bardh e zi më ka kthyer me ngjyra. Prej 15 vjetësh flas frëngjishten dhe ajo ndjen pjesët e mia frankofone. Është ajo që dua, do të jetë mamaja e djalit tim, ajo që do të më dhurojë një djalë. Në gjithë jetën time është e vetmja që di të kuptojë kur unë flas seriozisht dhe kur gënjej. Kisha lexuar Napoleonin që thotë : ‘Nuk fillohet asnjë betejë pa patur të sigurt 50% fitoren’. Dhe beteja për mua ishte krijimi i familjes. Ada ka përfunduar fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, kemi një diference 5 vjeçare në moshë. Ka prirje në modë dhe është natyrë frankofone. Është shumë karieriste, nuk e sheh dot veten vetëm amvisë shtëpie në fakt as unë s’do ia pranoja këtë. Por në fakt ka edhe përkrah një mashkull që di të gatuajë në mënyrë të shkëlqyer (Qesh).
Ju nuk jeni martuar ende, pra për momentin bashkëjetoni?
Unë e marr shalqinin me provë (qesh). Jo, ende nuk jam martuar, por për pak do të bëjmë celebrimin. Kam qenë gjithmonë i idesë që vellon e nuses time ta mbajë nga pas djali. Pra dua që të jetë ai dëshmitari në këtë dasmë, për t’i treguar dhe të kuptojë që familja është e shtrenjtë.
E dëshironit shumë që ky fëmijë të vinte këtë kohë?
Nuk është se kishim bërë ndonjë planifikim familjar. Por një pasardhës e donim. E prisnim nga momenti në moment.
Çfarë babai do të jeni?
Them se do të jem një baba interesant. Do i mësoj futbollin, internetin, gjuhët e huaja. Gjithçka një fëmijë ka nevojë, apo një prind dëshiron të pajisë fëmijën e tij. Mendoj se djali do jetë pak i prapë, se nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Unë e kam Adrenalinën 3 herë më shumë se niveli normal në gjak. Dua t’i  mësoj djalit po ashtu zhytjen. Pra të dijë dhetë flasë me shokët e tij për një botë tjetër dhe jo për shëtitje te blloku apo varëse floriri.
Si e keni menduar momentin e parë që do të merrni djalin?
Në momentin e parë që do e marr në shtëpi çunin, dhe kur të vijnë shokët dhe miqtë tanë që ta shohin në shtëpi. Do bëj sikur do e marr në krahë, por në fakt do kem marrë vetëm batanijen, dhe do bëj sikur do më bjerë nga dora. Pra do i trëmb të gjithë. Bëj shaka. Në fakt se di, do jetë lumturi shumë e madhe për mua kur ta marr në krahë.
Po për emrin keni menduar?
Duke patur pak influencë frankofone, mendojmë t’i vëmë një emër të tillë. Por edhe ndonjë emër të vjetër ilir do e kisha qejf. Do më pëlqente për shembull emri Bato, por është paksa i konsumuar, kështu që do të mendojmë diçka tjetër.
Flasim pak për punën që bëni. Cilat janë vështirësitë që ndeshni?
Vështirësi ka plot dhe gati çdo ditë. Dhe në çdo rast e ndjen veten keq. Kam telefonata pafund.
Cili ka qenë momenti më i vështirë?
Kur kam hequr nga puna djalin e xhaxhait tim.
Po më i bukuri?
Moment të bukur dhe që më kënaq tek vetja cilësoj faktin që s’i shkel privatësinë askujt. Deri më sot s’kam asnjë thirrje në gjyq për këtë.
Cila është një ditë e zakonshme pune?
Fillon me një mbledhje në mëngjes ku mblidhen dhe shtrohen problemet dhe tematikat. Jemi një ekip i bashkuar që punojmë fort. Tashmë unë nuk e di më ku fillon Saimiri dhe ku mbaron Filipi. Jemi një.
Çfarë mendon kur sheh veten në tv, teksa zhvillon emisionin ‘Fiks Fare’. Si reagon kur sheh ndonjë gjë që s’të pëlqen tek vetja?
Kur arrij të dalloj diçka të tillë them vetëm: Ishalla nuk i bie telefonit Filipi.
Si e mendon Saimiri veten pas 5 apo 10 vjetësh?
Ndoshta akoma në skenë. Ekspert i pas-skenës. Ndoshta gjysmë regjisori dhe skenaristi. Pas dhjetë vjetësh Filipi do jetë plakur kështu që do zë vendin e tij. Dhe ia kam thënë gjithmonë: ‘Ti ma ke zënë vendin mua”. (Qesh)

Ky shkrim u botua më 4 prill 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.