EKONOMI

Dita Botërore / “Talasemia, para se të lindni fëmijë, flisni me një gjenetist”

10:00 - 08.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola Mitre
Rreth 7.1% e popullsisë në vendin tonë janë mbartës të  Talasemisë, ndërkohë që dy prindër mbartës kanë probabilitet që në çdo shtatzëni, 25% të lindin fëmijë të sëmurë, 25% të lindin fëmijë të shëndoshë dhe 50% të lindin fëmijë mbartës të sëmundjes. Sipas specialistëve, Talasemia nuk mund të parandalohet, por mund të zbulohet që në javët e para të shtatzënisë përmes kryerjes së elektroforezës së hemoglobinës. Ndërkohë që, sipas mjekes, Entela Bitri është mirë që dy prindër të flasin paraprakisht me një këshillues gjenetik për të përcaktuar se çfarë rreziku do të kenë për t’ua kaluar talaseminë fëmijëve.
Doktoreshë, për të gjithë ata që nuk kanë informacion, çfarë është talasemia?
Talasemia është një sëmundje gjaku e trashëguar, që shkaktohet nga një defekt në prodhimin e hemoglobinës, një pjesë e rëndësishme e qelizave të kuqe të gjakut. Kur nuk ka hemoglobinë të mjaftueshme, qelizat e kuqe të gjakut nuk funksionojnë siç duhet, jetojnë për periudha më të shkurtra kohore, kështu që ka më pak qeliza të kuqe të shëndetshme në gjak. Qelizat e kuqe të gjakut çojnë oksigjen në të gjitha qelizat e trupit, të cilin ato e përdorin për të funksionuar. Në varësi të asaj se sa e rëndë është talasemia, kemi talaseminë minor ose talaseminë major. Duke pasur një tipar talasemie, një person nuk mund të ketë asnjë simptomë, por mund t’ua kalojë atë tipar fëmijëve duke rritur rrezikun e tyre për të pasur talasemi. Një person i cili ka talasemi minor nuk mund të ketë asnjë simptomë ose mund të ketë vetëm anemi të lehtë, ndërsa një person me talasemi major mund të kenë simptoma të rënda dhe mund të ketë nevojë për transfuzione të rregullta gjaku.
Si diagnostikohet kjo sëmundje?
Njerëzit me forma të moderuara dhe të rënda të talasemisë zakonisht diagnostikohen që në fëmijëri, pasi ata kanë simptoma të anemisë së rëndë qysh herët në jetë. Duke qenë se talasemia është e trashëguar, disa njerëz e zbulojnë atë pasi ata kanë të afërm me talasemi. Gjithsesi, Talasemia zbulohet përmes testimit të gjakut.
A mund të parandalohet Talasemia?
Duke qenë se talasemia kalon nga prindërit tek fëmijët, është shumë e vështirë për ta parandaluar. Megjithatë, në qoftë se ju ose partneri juaj e di se anëtarët e familjes janë me talasemi, ose jetoni në vende ku talasemia është e zakonshme, ju mund të flisni me një këshillues gjenetik për të përcaktuar se çfarë rreziku do të keni për t’ua kaluar talaseminë fëmijëve tuaj.
Cilat janë disa nga shenjat e kësaj sëmundjeje?
Duke qenë se trupi juaj ka më pak qeliza të kuqe gjaku kur keni talasemi, shenja më e zakonshme që ju mund të keni është anemia. Sa më e rëndë të jetë talasemia, aq më pak hemoglobinë ka trupi dhe aq më e rëndë mund të jetë anemia. Kur ju keni anemi, mund të ndjeheni të lodhur apo të dobët. Ju mund të keni: marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke, ngërçe muskulore, vështirësi në përqendrimi, etj.
Si trajtohet talasemia?
Talasemia është një çrregullim që mund të mirëmenaxhohet me transfuzione gjakut dhe terapi. Lloji i trajtimit që merr një person me talasemi varet nga sa e rëndë është talasemia. Një mënyrë për të trajtuar aneminë është furnizimi i trupit me më shumë qeliza të kuqe të gjakut përmes transfuzionit të gjakut. Njerëzit me talasemi major zakonisht kanë nevojë për transfuzione të rregullta gjaku, ata me talasemi të mesme mund të kenë nevojë për transfuzione gjaku atëherë kur kanë një infeksion apo një sëmundje, ndërsa njerëzit me talasemi minor zakonisht nuk kanë nevojë për transfuzion gjaku.
Kanë ndonjë ndikim negativ transfuzionet e gjakut?
Njerëzit të cilët marrin transfuzione gjaku të herëpashershme, me kalimin e kohës janë në rrezik për mbingarkesë hekuri në organe të ndryshme, kryesisht në zemër, mëlçi dhe tru, duke vështirësuar punën e këtyre  organeve. Këto organe dëmtohen në mënyrë progresive duke shkaktuar sëmundje të zemrës, diabet dhe cirrozë të mëlçisë, duke rrezikuar në këtë mënyrë jetën e të sëmurëve. Sot ekzistojnë mënyra të ndryshme për të parandaluar apo eliminuar mbingarkesën e hekurit në organizëm. Një tjetër shqetësim për njerëzit që marrin shumë transfuzione gjaku është siguria e gjakut. Disa infeksione, si hepatiti, mund të transmetohen përmes gjakut. Në shumë vende përfshirë edhe Shqipërinë, siguria e furnizimit me gjak kontrollohet dhe monitorohet dhe rreziku i marrjes së një infeksioni nga transfuzioni i gjakut është shumë i ulët. Megjithatë, ka ende një rrezik shumë të vogël për marrjen e një infeksioni përmes transfuzionit të gjakut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.