KULTURË

Një velë e përmbysur në kujtim të anijes “Vlora”

10:07 - 08.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira Nikolli

 

“Mirupafshim” nga Ettore Favini, për ata që ikën e morën sërish rrugën e kthimit

Një velë anijeje, e kuqe si e kuqja e flamurit, e përmbysur si dëshirat e mbetura pezull, me vrima sepse nuk e ndihmon anijen të lundrojë. Në kujtim të anijes “Vlora” 26 vite pasi ajo preku brigjet e Barit, një artist italian merr pjesën në Bienalen e Mesdheut me një vepër kushtuar atij udhëtimi në Adriatik. E titulluar “Mirupafshim”, vepra e Ettore Favinit hap një diskutim mbi udhët që janë të detyruara të kenë kthim. “Isha 18 vjeç atëkohë. Kujtoj që u trembëm nga anija. Në media flitej për ditë të tëra. Në Itali kishte një imazh të keq për shqiptarët, ajo anije u pa si pushtim, ‘nuk është më diktatura dhe ata që po vijnë mund të jenë kriminelë që kanë lënë burgjet. Thuhej edhe nga politikanët në media kjo gjë”, rrëfen Ettore për “GSH”, duke nënvizuar se Italia ku ata po zbarkonin, nuk ishte Italia që kishin parë në televizione. “Për një vend të mbyllur, televizioni ishte dritare për botën, por ajo dritare nuk u tregoi botën që ekzistonte. Si në ato kartolinat ku sheh një det të mrekullueshëm, ata u nisën drejt atij deti; por në vend të tij, ata gjetën një det të pisët. Italia ishte e përgatitur për ata 20 mijë njerëz të anijes “Vlora”, – thotë Favini.

Kujdeset të vërejë se Italia shfaqej ndryshe përmes kanaleve kombëtare e private televizive atëkohë, madje kishte lënë tek këta njerëz në Shqipëri idenë e një vendi ndryshe, që në fakt nuk i përgjigjej të vërtetës. “Italia nuk ishte ajo e ëndrrës italiane që shihej në televizione. Ky udhëtim i tyre vinte nga një dëshirë e madhe për të ikur, aq sa nuk kishte rëndësi si ikej, as ku ikej, vetëm të ikej. Ai ishte një udhëtim i mohuar”, siç lë të kuptohet edhe nga “Mirupafshim” e tij, që zë një faqe muri të Institutit Italian të Kulturës në Tiranë: një velë e madhe, përmbys si ëndrrat që u rrëzuan e ranë netëve në dete e në brigje.

“Kjo velë, e përmbysur me këto vrima nuk është një velë për të lundruar. Janë këto pamundësitë e udhëtimit. Është ‘Mirupafshim’ sepse në realitet, shqiptarët që patën shkuar në Itali, tani po kthehen në Shqipëri. Italia është në krizë ekonomike e nuk ka më punë. Vela, është kjo ide e pamudësisë, e të mosmundurit. E këtij udhëtimi të mohuar”.

Puna për “Mirupafshim” ka nisur për shkak të një projekti më të madh që ai ka me stofrat e pëlhurat. “Pëlhura dhe thurja janë përshkrimi i jetëve të njerëzve. Ideja për të punuar me copat, stofrat është e lidhur me njerëzit, sepse rrobat për shembull, janë në kontakt me trupin e njeriut. E kam nisur në Sardenjë këtë punë, ku prodhimi i tyre është ende aktiv. Dhe do bëj diçka në të ardhmen në Shqipëri me këtë material. Meqë tema e Bienales ishte shtëpia dhe nëntemë konflikti, vendosa të merrem me këtë histori që prek dy vendet, që lidhet me Adriatikun. Për Italinë ka qenë një ndjenjë e fortë, ardhja e anijes ‘Vlora’ në portin e Barit. Po vinte një qytet i vogël, sepse 20 mijë njerëz, janë një qytet i vogël”, shton Favini.

“Mirupafshim”, e konceptuar enkas nga artisti Ettore Favini në kuadër të Biennales Mediterranea 18, e instaluar tashmë në fasadën mes Bibliotekës Kombëtare dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, është një sugjerim për një takim të mundshëm për një “rikthim në të ardhmen”. Udhëtimi drejt Italisë, në rastin e shqiptarëve, filloi shumë para se të niseshin, duke thithur vizionin e një vendi të manipuluar rëndë nga televizioni. Ngjyrat e forta, të qeshurat, butësia e mirëqenies që ky vend transmetonte, ishte shumë larg realitetit të përditshëm të mentalitetit të italianëve në vitet nëntëdhjetë. Totalisht naivë në lidhje me konfrontimin me tjetrin, ndoshta i kombinuar me një amnezi në historinë e emigracionit të përjetuar nga vendi ynë, dialogu me vlerat që solli anija “Vlora” ka qenë gjithçka përveçse i thjeshtë. Si në titull, ashtu dhe në formën e një vele të përmbysur, Favini na bën të kuptojmë se aventura nuk është e plotë nëse nuk merret në konsideratë mundësia e kthimit, edhe metaforik, në imagjinatën kolektive – dhe nuk ka entuziazëm më të mirë të së përditshmes për të guxuar. Thjeshtësia dhe fuqia e një vele merr një dimension pezull për artistin, duke e kompozuar me ndërresa shqiptarësh që jetojnë në Itali e që janë të ngjyrosura në të kuqe, ngjyra bazë e flamurit shqiptar. Kujtimi i një ngjarjeje, njëkohësisht historike dhe e guximshme, pasqyron detajet e jetës së përditshme të personazheve dhe vazhdon të emigrojë, si historitë që ata kanë jetuar, histori që ia kanë treguar artistit gjatë realizimit të veprës.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.