KULTURË

Shtëpia e (kujtimeve të) Rea Xhillarit

10:10 - 08.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Fatmira NIKOLLI

 

“Çuditërisht familjare”, instalacioni që gjendet te Muzeu Kombëtar

Kolltukët blu me katrorë të kuq, e një qilim i së njëjtës ngjyrë, i të njëjtës formë, me thekë jeshilë. Një printer, një portmonto kuqe në të djathtë me katër mbajtëse rrobash e një pasqyrë të vjetër, dy sirtarë, rafte e tavolina të vogla, një etazher që dikur përdorej për të vënë gjërat e çmuara nga familjet e pasura që e mbanin për të treguar kamjen, e përkrah saj, një sobë “e ribërë” duke ruajtur sobat e kahershme me tri vatra, dy furra, një “dritare” për drutë e një për hirin dhe vendin, veçse vendin ku duhej të ishte tubi i tymit, që gjarpëronte mureve, e dilte poshtë çatisë.

Nën to, në vend të pllakave të dyshemesë, ideja e tyre jepet në ndarje katrore, që në vend të betonit e çimentos kanë guralecë të bërë prej shpërbërjes së gurëve.

“Secili objekt shndërrohet në një kujtim që noton në kohë dhe me fuqinë e imagjinatës rihyn në jetën tonë me një identitet të ri, si një ëndërr e ngjizur nga kujtesa. Ndaj e ndjejmë çuditërisht të njohur, çuditërisht të ndryshëm. E kemi kthyer shtëpinë tonë nga një kujtim në një ëndërr të kujtesës. Kjo është një hapësirë ‘po sikur”. Rea Xhillari vë vetëm këtë shënim në instalacionin e saj, titulluar “Çuditërisht familjare”, ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Mediterranea 18 – Bienalja e Artistëve të rinj të Europës e Mesdheut, që këtë vit mbahet në Shqipëri për herë të parë, nga data 4 deri më 9 maj.

Instalacioni i Xhillarit zë një hapësirë të bollshme në katin e sipërm të Muzeut Kombëtar dhe vjen në formën e një ‘shtëpie’ të ngritur në holl. Një shtëpi që jashtë ka lule, prej hekuri, e shumëçka tjetër, false, ireale si kujtimet tona, përbërë prej grimcash të paprekshme, që veçse janë kaq familjare, njëherësh të largëta si kujtesa e vagullt e së shkuarës.

Ka pak Shqipëri, pak ngjyra Mesdheu, është pak ‘shtëpi’ me kujtime fëmijërie, një zyrë e vogël, e një etazher, mobiliet tona të dikurshme, luksi i sotëm i dikujt, e njëherësh varfëria e dikujt tjetër.

Një shtëpi sa një kuti shkrepësesh, një shtëpizë plastike, në qendër ‘të qytetit’, e zhveshur prej tij dhe e fshehur prej tij; me qilimat që shtronim, me qilimat që na mbulonim, me iluzionin e zjarritë të sobës.

Matanë, në një tjetër qoshe të muzeut, një grup artistësh të rinj italianë me katër struktura dërrase, sjellin një tjetër shtëpi dhe shkruajnë “House is not home” mandej “Home is not house” – katër strukturat e katër këndeve të shtëpisë përfaqësojnë vlerat e përbashkëta, që janë edhe konfliktet e përbashkëta nisur nga religjioni.

Bienalja vë në diskutim funksionin e “shtëpisë” në kohët e zhvillimit të teknologjisë dhe rritjes së ndërlikimit të strukturave politike, sociale dhe ekonomike, që kanë zbuluar kufijtë të cilët për një farë kohe kanë qenë të padukshëm nga bota. “Kjo periudhë post-humanizmi kulturor e ka vendosur artin përballë sfidës së re e të të ripërkufizuarit se çfarë vlere ka sot dhe ku gjendet ‘shtëpia jonë’, përse dhe si mund të kemi nevojë për të. Në këtë rast, arti e sheh ‘shtëpinë’ si proces më shumë sesa si mesazh, i përbërë nga miliona pjesë, ku asgjë nuk humbet dhe as nuk gjendet, por i nënshtrohet një tjetërsimi të vazhdueshëm”, citojmë nga njoftimi mbi bienalen. Bienalja e Mesdheut shërben si një platformë ku artistët dalin jashtë rutinës së tyre dhe i bashkohen një dialogu ndërkulturor mes “shtëpive” – qoftë ato fizike, virtuale, shpirtërore apo imagjinare.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.