Tech

Detaje/ 5 herë i martuar dhe vrarë dy gra, ja “killeri” shkodran që i shpëtoi  dy atentateve

09:34 - 09.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Senad NIKSHIQI

Një 74-vjeçar nga Shkodra ka vrarë bashkëshorten me çifte dhe më pas është ulur në verandë duke pirë raki derisa ka shkuar policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Guci e Re në njësinë administrative Rrethina. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bënë me dije se pas një sherri familjar, i moshuari Beqir Xhilaj ka marrë çiften që e mbante me leje dhe e ka qëlluar gruan e tij me 4 plumba. Për pasojë, 47-vjeçarja Lumturie Xhilaj ka mbetur e vdekur në vend. Krismat e armës kanë alarmuar fqinjët, të cilët kanë sinjalizuar policinë. Menjëherë blutë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë vënë në pranga autorin e krimit. Fillimisht, 74-vjeçari ka deklaruar se e shoqja (27 vjet më e re) ishte vetëvrarë, por më pas ka pranuar autorësinë e krimit. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se Beqir Xhila e ka kryer vrasjen në gjendje të dehur. Ndërkohë, mësohet se i moshuari ka qenë i martuar 5 herë (nga dy prej martesave ka 8 fëmijë) dhe se para 17 vitesh është akuzuar për vrasjen e gruas së tij të 4-ët. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

VRASJA

Rreth orës 00:05 të ditës së djeshme, Beqir Xhilaj ka debatuar me gruan e tij, Lumturien në banesën e tyre. Në sherr e sipër, 74-vjeçari ka marrë çiften dhe ka qëlluar katër herë në drejtim të saj. Sipas bluve, viktima ka marrë një plumb në qafë dhe dy të tjerë në trup, ndërsa një plumb tjetër nuk e ka kapur. Pas vrasjes, kryefamiljari e ka mbuluar trupin e pajetë të bashkëshortes me një batanije dhe është ulur pranë tavolinës në verandë duke pirë raki sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Beqir Xhilaj nuk ka bërë asnjë tentativë për t’u larguar, por ka qëndruar aty derisa kanë mbërritur forcat e policisë. Blutë, të njoftuar nga banorët për krisma armësh kanë shkuar në banesën e bashkëshortëve Xhilaj. Ata janë habitur kur kanë parë se 74-vjeçari po pinte raki, ndërsa pak metra larg, ishte gruaja e tij e ulur në një kolltuk dhe e mbuluar me gjak. Policia ka sekuestruar çiften, të cilin i moshuari e dispononte me leje prej vitesh dhe e përdorte në ditët e zakonshme si armë gjahu. Gjatë marrjes në pyetje në vendin e ngjarjes, autori ka mohuar se është autor i vrasjes së 47-vjeçares. Ai ka deklaruar se Lumturie Xhilaj kishte vrarë veten. Ky version ka rënë menjëherë poshtë, sepse viktima ishte qëlluar me çifte teke katër herë (arma duhet mbushur në mënyrë manuale pas çdo të shtëne). Policia ka arrestuar agresorin, i cili është pyetur me detaje në komisariat. Në dëshminë e tij dhënë para bluve, 74-vjeçari ka thënë se arsyeja e vrasjes ka qenë një debat i momentit mes tij dhe bashkëshortes. Krimi në familjen Xhilaj ka tronditur banorët e zonës, të cilët kanë deklaruar për “GSH” se i moshuari nuk njihej si person problematik dhe se sillej mirë në fshat. “Të themi të drejtën, ne e njohim Beqir Xhilajn si person të qetë dhe jo problematik. Jemi përshëndetur dhe na ka dhënë gjithmonë respekt. Nuk e dimë se në çfarë rrethanash e ka vrarë gruan e vet, por për ne ishte njeri pozitiv”, thanë disa nga banorët e fshatit Guci e Re.

 Kur akuzohej për vrasjen e bashkëshortes së 4-t dhe shpëtimit të dy atentateve

Beqir Xhilaj mësohet se ka qenë 5 herë i martuar. Bashkëshorten e parë e ka divorcuar para viteve ’90 dhe nuk kishte fëmijë me të. Ai është martuar sërish, por as me gruan e dytë nuk ka pasur fëmijë. Xhilaj është martuar për herë të tretë dhe me gruan që mori ka 3 fëmijë, por edhe me atë është divorcuar. 74-vjeçari është martuar për të katërtën herë dhe me gruan e katërt ka 5 fëmijë. Ai u akuzua për vrasjen e kësaj të fundit (para 17 vitesh) dhe në atë kohë ka qëndruar në burg 5-6 muaj dhe më pas është liruar, sepse ekspertiza dhe gjykata e ka cilësuar si vetëvrasje. Pas kësaj ngjarjeje, persona të paidentifikuar i kanë bërë dy herë atentat Xhilajt. Atentatit të parë i ka shpëtuar paq, ndërsa në të dytin është plagosur dhe ka humbur njërin krah. Burime nga vendngjarja bënë me dije se autorë të atentatit të dytë ndaj Beqir Xhilajt mund të kenë qenë të afërmit gruas së tij të katërt. Më pas është martuar për herë të pestë me Lumturien (nuk kishte fëmijë me të), të cilën e ekzekutoi dje.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.