KULTURË

Morali dhe e drejta për të qenë të lumtur

07:40 - 09.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Sevi AGOLLI

Karuseli i dashurisë” në pamje të parë duket si një roman me titull të parafabrikuar dhe me një histori më shumë se të gjetur, të kërkuar. Flet për një grua të martuar që kërkon lumturinë në një varg lidhjesh jashtëmartesore. E thënë kështu, është e pashmangshme të bësh paralelizma me krijime të tjera të ngjashme që kanë lënë gjurmë në memorien kolektive, por pasi e lexon këtë roman kupton se nuk kemi të bëjmë me prozën tipike që përqendrohet te tradhtia, zhgënjimet në dashuri, e si rrjedhojë të kërkojë të përflakë nga ana emocionale lexuesin me fundin tragjik të kryepersonazhit.
Në qendër të tij është vërtet një grua që kërkon dashurinë e vërtetë, por pa e pasur qëllim atë. Mjaftohet edhe me emocione të forta e të vërteta, qofshin edhe nga ato për të cilat është e ndërgjegjshme që nuk do të zgjasin shumë në kohë. Mariana (emri i personazhit kryesor) është bijë e kohës që jetojmë, dashurinë e nis si lojë, luan “pa doreza”, respekton veten dhe ujit lulen e shpirtit të saj me aq “ujë” sa i lejon lidhja e radhës, herë me disa pika e herë me disa litra. Ajo nuk rend pas iluzionit të dashurisë. Është e ndërgjegjshme për rreziqet që mbart ajo çfarë bën dhe nuk bëhet skllave e instinkteve seksuale. E jeton jetën ditë pas dite duke kërkuar të respektojë edhe detyrimet e saj si nënë, si motër, si bijë dhe si bashkëshorte. Pikërisht këtu qëndron e veçanta e këtij romani. Personazhi fotografohet në spektër të gjerë, pa e kufizuar dhe portretizuar në sjellje tipike, duke e bërë të paparashikueshëm dhe me mendësi të lirë. Kësisoj, epiqendra e sjelljes së Marianës nuk është “të qenët e shthurur”, por dëshira për të dalë nga monotonia e përditshme duke rrëmbyer copëza lumturie nga kjo jetë, pa dashur të cenojë pozitën (deri diku të respektueshme) që mban në familje. Pikërisht për këtë motiv krijohet një trekëndësh personazhesh, motra më e madhe, Liza që simbolizon virtytin, i shoqi që personifikon kafazin e ngushtë ku i ndrydhet shpirti dhe Klaudia, vajza e vogël që ka nevojë të përhershme për kujdesin dhe vëmendjen e saj. Fëmija, i parë si burim kënaqësie e lumturie, vepron si katalizator për gjetjen e ekuilibrit të brendshëm që mund t’i falë qetësinë e duhur për të jetuar me të shoqin. Ky katalizator i jashtëm nuk mund të veprojë pa pasur një shtysë nga jashtë, nxitjen nga morali. Rrjedha e romanit i rrokullis këta personazhe kyç, së bashku me dashnorin e fundit, atë më të rëndësishmin, që arriti të tronditë themelet e këtij trekëndëshi. Vjen një moment kur të duhet të vihesh lakuriq përballë përgjegjësive të tua dhe vetëm atëherë percepton peshën reale të mëkatit apo fajit që mbart mbi shpinë dhe ndërgjegje. Zgjidhja që autori i ka dhënë romanit është sa e papritur po aq edhe normale. Gjithsesi arrin të të befasojë, sepse është e motivuar me finesë dhe realizëm.
Për sa i përket perceptimit dhe strukturës së krijimit, ai është i ndërtuar në kapituj që kanë një lloj autonomie nga njëri-tjetri, por pavarësisht kësaj rrjedha e narracionit është e çliruar nga çdo pengesë. Romani lexohet lirshëm dhe me ëndje. Në pjesë të caktuara ka pasazhe, që edhe pse ndokush mund të thotë se ndihemi të lodhur nga ideja e dykuptimeve të “mbuluara” e të zakonshme në të tilla raste, janë të mbushura me detaje pikante që i japin hapësira të paparacaktuara të narracionit duke i shtuar atij kolorit. Ja një shembull i tillë ku në dukje bëhet fjalë për pirjen e cigares:
“E sheh, ti jep maksimumin tënd, jep oksigjen nga mushkëritë e tua, fut brenda esencën e mjegullt, të paqartë, mbase edhe të dëmshme të diçkaje që e pëlqen, adhuron pa e ditur se përse. Di vetëm që ke nevojë për atë që ky trup i jashtëm të jep. E thith dhe shikon rezultatin. Një përskuqje idilike, një pikë ku temperatura shkon deri 1000 gradë celsius. Dhe ta mendosh që kjo pikë është para hundës sate dhe je ti ajo që i jep jetë! Me frymën tënde ti krijon një diell të vogël dhe ngrohesh sa herë e ke shpirtin bosh, apo jo. Por pastaj, pasi e ke thithur me ëndje, me etje, me dëshirë, me pasion, me ëndrra në kokë, sheh se cigarja është thuajse e mbaruar dhe gjithë sa ngelet nga ajo është vetëm pak hi, që përgjithësisht njerëzit e shkundin ku të munden, me një lëvizje të prerë të gishtit tregues mbi filtër, sikur të duan të lirohen sa më parë prej tij. Në fund të ngel në dorë vetëm një copë filtër, që të ka mbrojtur deri diku nga era e rëndë e nikotinës. Ka majën ende të ndezur keqas, por sa më shumë ta lësh zjarrin të djegë majën e filtrit, aq më shumë do të lëshojë erë të rëndë, ndaj edhe e hedhim në tokë dhe e shkelim me këmbë.”
Meritë tjetër e autorit është gjithashtu mënyra sesi ai përshkruan dhe mban nën kontroll trillin e krijimit, “gjakftohtë si një hardhucë”. I servir virtytin dhe mëkatin në të njëjtën pjatë. Veç kësaj vlen të përmendet se aludohet rreth mënyrës sesi funksionon shoqëria përtej bërthamës së familjes, shtysat, parimet dhe personat që luajnë rolin e liderit. Aludohet gjithashtu rreth mënyrës sesi këta persona influencojnë jetën tonë, peshën që mbajnë në zgjedhjet që bëjmë. Pasi e lexon këtë libër, të krijohet ideja se po kalon nga një eksperiencë virtuale në një reale, dhe ky besoj është vlerësimi më i madh që mund t’i bëhet një vepre letrare. Ajo pak e nga pak zë vend te ti në mënyrë të përhershme. Me shpresën se ky libër do të shndërrohet në një pikë referimi për ata që do ta lexojnë, ju uroj lexim të këndshëm duke besuar se nuk do t’ju zhgënjejë.

CV-ja letrare e Dorian Isait
•    Dorian Isai ka lindur më 17.04.1974, në Elbasan. Tregimet e para ka filluar t’i shkruajë që në moshën 14-vjeçare. Dy vjet më vonë, tregimet e tij i gjejmë në faqet e shtypit lokal. Ndërkaq bashkëpunon ngushtë me disa gazeta lokale dhe qendrore deri në 1997-ën, vit kur largohet nga vendi.
•    Në 1996-ën mbaron studimet për gjuhë-letërsi në qytetin e lindjes. Në 2003-shin publikon me “Sejko” vëllimin me tregime “E vërteta sipas meje”. Nga ky libër janë marrë tregime nga disa revista cilësore të kohës si “Alef” dhe “Merh Liht”. Gjithashtu po nga ky libër është shkëputur tregimi “Minjtë”, që bën pjesë në antologjinë e prozës së shkurtër “Shqipëria tregon”.
•    Në 2013-ën publikon “Tutti i volti dell amore” (Të gjitha faqet e dashurisë) me Aletti editore, Romë, përmbledhje me tregime që është pritur mirë nga disa agjenci letrare dhe ka pasur reklamim të gjerë online.
•    Në 2013-ën merr pjesë në konkursin kombëtar të prozës së shkurtër, organizuar nga “Kimerik”/Palermo, dhe tregimi i tij “Dashuria në 3250 m mbi nivelin e detit” përfshihet në përmbledhjen përfundimtare të edicionit “Granelli di parole”.
•    Në 2015-ën publikon “Papagajtë jeshilë”, tregime, nga “Dituria”.
•    Në 2017-ën publikon “Karuseli i dashurisë”, roman, nga “Dituria”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.