SPORT

Bakaj le Shqipërinë, që javën e ardhshme drejt Qipros

09:58 - 10.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Elis Bakaj pritet të largohet nga Vllaznia pas përfundimit të sezonit për të vijuar karrierën në kampionatin qipriot. Burime të sigurta të “Panorama Sport” treguan dje se fantazisti i shkodranëve ka marrë një ofertë joshëse nga Aris Limasol dhe sipas të gjitha gjasave mund të firmosë në ditët e ardhshme.

Skuadra që kërkon me ngulm Bakajn ka një projekt ambicioz për sezonin tjetër, teksa do të kërkojë titullin kampion, duke rivalizuar gjigandët e APOEL Nikosias. Gazeta mëson se klubi ka një buxhet të madh në dispozicion dhe një prej lojtarëve që synohet të afrohet i pari është pikërisht Bakaj.

Ky i fundit e nisi sezonin te RNK Split, por pas problemeve financiare që pati klubi kroat u rikthye në Kategorinë Superiore, duke firmosur për Vllazninë. Aktualisht, tek Aris Limasol aktivizohet sulmuesi tjetër shqiptar, Vasil Shkurtaj, i cili ka shënuar 4 gola këtë kampionat, por prej dy muajsh nuk aktivizohet për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi.

KONTRATA

Fantazistit i është ofruar një kontratë 1- vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon. Mësohet se paga mujore e Bakajt pritet të jetë rreth 8 mijë euro. Në bisedimet që janë bërë mes menaxherit të lojtarit dhe klubit ishullor, palët kanë rënë dakord edhe për disa bonuse në kontratë, të cilat rritin ndjeshëm përfitimet e Bakajt.

Përveç një vile të vënë në dispozicion për akomodimin në qytetin e Limasolit, klubi do t’i dhurojë Bakajt edhe një makinë. Mësohet se javën e ardhshme, pasi të ketë përfunduar ndeshjet e radhës me Vllazninë, lojtari do të udhëtojë drejt Qipros për të konkretizuar marrëveshjen.

Pritet që fillimisht Bakaj të bëjë kontrollin mjekë- sor e më pas të diskutojë detajet e fundit. Burime pranë lojtarit tregojnë se kushtet e kontratës dhe natyrisht jetesa në Qipro e kanë joshur së tepërmi Bakajn për të provuar një eksperiencë në vendin ishullor, aty ku më parë kanë luajtur emra të njohur të Kombëtares shqiptare si Arjan Beqaj, Isli Hidi dhe Altin Haxhi. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe Bakaj ka pasur sinjale edhe nga klube aziatike, më konkretisht nga Malajzia e largët.

Është përfolur skuadra ku më parë ka luajtur Xhevahir Sukaj, por me sa duket Bakaj dëshiron të mos largohet nga Europa. Në ditët e ardhshme, do të mësohet më tepër për të ardhmen e mesfushorit me tipare sulmuese, që më 25 qershor mbush 30 vjeç.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.