SPORT

Lojtarët e Partizanit në lot, me shpresat e varura te Skënderbeu: Shpërdoruam mundin e një viti të tërë

10:25 - 12.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Barazimi fatal ndaj Laçit është shoqëruar me lot te Partizani. Gabimi i bërë do t’u kushtojë rëndë të kuqve, pasi matematikisht nuk e kanë më në dorë titullin. Zhgënjimi duket qartë në sytë e lojtarëve, të cilët, edhe pse të kursyer në fjalë, e pranojnë që pikët e lëna dje do rëndojnë gjatë, pasi shanset për t’u shpallur kampionë janë shumë herë më të vogla.

SUKAJ

Xhevahir Sukaj e quan fatkeqësi gabimin e bërë. Ai ende nuk e kupton se si u hodh në erë mundi i një viti të tërë. Sulmuesi i të kuqve refuzon që ta quajë të njëjtë situatën me një sezon më parë, ndërsa kujtojmë që humbën me Bylisin që rrezikonte gjithashtu rënien.

“Është vërtet e çuditshme ta lësh kampionatin kështu. Edhe matematikisht nuk ka mbaruar akoma asgjë, tashmë titulli nuk është më në dorën tonë. Është fatkeqësi që të shpërdorohet në këtë mënyrë gjithë mundi i një viti të tërë. Nuk kam fjalë! Gjithsesi, duhet të jemi të fortë. Nuk besoj se është e njëjta situatë si me Bylisin në sezonin e shkuar, ndonëse rrjedha duket e tillë”, tha fillimisht shkodrani.

Ai më tej thekson se ishte mungesë fati. “Nuk është se çaluam në aspektin psikologjik, por ishim të pafat, pasi si ndaj Kukësit dhe Laçit kemi qenë për 90 minuta te porta e kundërshtarit. Besoj se nuk kam çfarë të them më shumë”, përfundoi Sukaj.

FEJZULLAHU

Mbrojtësi i linjës së djathtë nuk dorëzohet. Përtej “shokut” që morën dje, Arbnor Fejzullahu llogarit se me 9 pikë, që mund të marrin deri në fund, mund të kenë ende shpresa.

“Besoj se do vazhdojmë rrugën, do fitojmë në Vlorë dhe më pas do presim se çfarë do bëjë Skënderbeu në Kukës. Ne luajtëm mirë, kishim rastet tona, por nuk deshi goli. Futbolli i ka këto, nuk kemi çfarë të bëjmë”, përfundoi kosovari.

MALOTA

Lezhjani i mbrojtjes së Partizanit nuk e quan ende të humbur titullin. Paçka se thellë-thellë edhe Renato Malota e pranon se zhgënjimi pas këtij barazimi është i madh. Mbrojtësi thekson se skuadra luajti vetëm në një portë, por në fund i penalizoi fati. Shpresat e Malotës shkojnë te ndeshja Kukësi-Skënderbeu, ndërsa “voton” që tani për një barazim.

“U munduam të japim më të mirën, siç e patë edhe vetë. Për 90 minuta luajtëm në portën e kundërshtarit, por nganjëherë fati nuk është me ne. Dhamë maksimumin për tri pikët dhe nuk kam çfarë them më shumë. Të them të drejtën, pjesën e parë luajtëm më mirë, krijuam raste të pastra, ndërsa në pjesën e dytë ndoshta u futëm pak në presion dhe nuk dolëm në lojën tonë.

Jam shumë i zhgënjyer. Nuk mund të them që e kemi humbur titullin, pasi jemi dy pikë larg vendit të parë. Matematikisht jemi në lojë. Kukësi ka edhe një ndeshje me Korçën, kështu që ne jemi akoma në lojë”, përfundoi qendërmbrojtësi. /PanoramaSport/

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.