SPORT

Ish-kapiteni Ocelli: Partizani nuk ka nevojë për lojtarë endacakë

10:26 - 14.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ish-kapiteni i fundit i Partizanit që ka fituar titullin kampion, Adnand Ocelli, në faqen e tij në “Facebook” ka bërë një analizë të situatës aktuale te “demat”. Në komentin e tij, ish-mbrojtësi tregon shkaqet e dështimit të skuadrës në dy javët e fundit, si dhe evidenton mangësitë.

Sipas Ocellit, Partizanit nuk i ka munguar mbështetja e presidentit, por stafi e ka nëpërkëmbur me përzgjedhjet dhe strategjitë. Ai pohon se Partizani nuk ka nevojë për lojtarë endacakë, por për ata që e ndiejnë fanellën që mbajnë veshur. Në fund, ish-kapiteni është treguar kritik edhe me thëniet e Luçiano Moxhit.

JA KOMENTI I ISH-KAPITENIT OCELLI:

“Po ta shikosh se me kë barazoi, nuk është çudi, por mënyra se si barazoi tregoi se te Partizani ka diçka që nuk shkon, diçka që mungon. Ai guxim për të bërë diçka më tepër për të fituar. Kjo reflektoji edhe me Laçin. Volum, por jo veprime të qarta. Çalon finalizimi, por edhe ndërtimi dhe organizimi. Partizani e ka të vështirë të zgjidhë situatat me ekipe që luajnë tërë- sisht në bllok mbrapa. Por nuk ka edhe lojtarë për të tilla situata.

Mungojnë lojtarë që të prodhojnë, mungojnë lojtarë që të driblojnë dhe të krijojnë superioritet në numër, mungojnë lojtarë krahu që të jenë produktivë. Mungon një finalizues i mirëfilltë. Partizanit i mungon ai lojtari, që mund të bëjë diferencën, që të zgjidhë situatën. E kam thënë dhe në disa artikuj më parë, se pikët e lëna Partizani do t’i ndiejë në fund, pasi me barazim humbet pikë, e jo fiton, gjë e cila tani vërtet ndihet. Lojtari më rezultativ, Ekuban, i cili për mendimin tim nuk është një sulmues i mirëfilltë, qendërsulmues.

Për atë që kam parë dhe unë mendoj është se, te Partizani duhet të afrohen dhe të kontribuojnë, të jenë pjesë e tij jo çdo lojtar, por vetëm ata që mund t’u përgjigjen kritereve të këtij ekipi. Vetëm ato karaktere, që ndiejnë peshën e këtij emri, e kësaj bluze, të cilët duhet të sakrifikojnë dhe të realizojnë objektivat e këtij klubi dhe jo lojtarë endacakë, çdo tre muaj në klub tjetër.

Partizanit nuk i duhen lojtarë sezonalë, episodikë. Për këtë ka përgjegjësi stafi, si e ndërton dhe drejton ai ekipin, pasi buxheti nuk ka munguar. Partizanit i mungon një lider, i mungon ai që quhet ‘trajner në fushë’, i mungon lojtari me autoritet dhe personalitet. Këtu përsëri ka gabuar stafi në ndërtimin e ekipit për t’i shërbyer strategjisë së arritjes së objektivave. Mbështetja e presidentit nuk ka munguar.

Është shpërdoruar kjo mbështetje. Këto janë opinione personale. Megjithatë, çdo gjë përsëri mbetet e hapur, edhe pse ndeshjet e mbetura favorizojnë Kukësin. Nuk falet më të gabojë në Vlorë, edhe pse dihet tradita e këtij klubi, trajneri i tij, i cili e njeh mirë filozofinë e Partizanit, si dhe domethënien e pikëve për qëndrimin në Superiore.

Siç i bën Partizani llogaritjet, kështu llogarisin edhe Kukësi dhe Skënderbeu. Partizani afroi Moxhin, i cili në një artikull thotë, që këtë Partizan e bëra unë, kam pesë muaj që jam si konsulent te Partizani. E pranueshme, por dhe kontradiktore nga ana profesionale, pse? – Sepse thotë që këtë Partizan e bëra unë, se kam 5 muaj që punoj për këtë Dhe, nga ana tjetër, deklaratë amatore, që kundërshton ato që thotë: Me Torasën nuk dilet kampion. O zotëri i një eksperience të madhe. O njeh, ose nuk e njeh ekipin dhe lojtarët.

Përndryshe mos jep deklarata të tilla, sepse futbollin e njohin edhe shqiptarët. Ti e kishe imazhin e ekipit dhe kontingjentin, sepse ke pesë muaj. Një ekspert si Ju i mjaftojnë edhe 5 minuta dhe, në këto momente, duhet të motivojë ekipin dhe jo ta përçajë atë. Partizani nuk është Juaji! Uroj të bëhet më e mira dhe deri sa shanset janë, edhe shpresat nuk vdesin për ta parë përsëri kampion”. /PanoramaSport


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.