SPORT

Komunikata e policisë për video-skandalin. Menaxheri rrezikon dënimin

10:18 - 14.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Pas publikimit të video-përgjimit të bisedës mes menaxherit Drini Çaushi dhe mesfushorit të Partizanit, Emiliano Vila, Policia e Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë një material për të nisur hetimet mbi këtë çështje.

Pas publikimit të bisedës dhe deklaratave e qëndrimeve zyrtare që kanë mbajtur klubet e Partizanit dhe Kukësit, vetë menaxheri Çaushi si dhe institucionit të Futbollit në vend, tashmë ka ardhur edhe veprimi i parë konkret në mënyrë që të nisë një hetim mbi këtë ngjarje.

KOMUNIKATA E POLICISË

Dje, në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit është publikuar edhe veprimi i ndërmarrë nga ky institucion në lidhje me çështjen në fjalë. Nga sa bëhet me dije në këtë komunikim, Policia e Shtetit ka referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, materiale që kanë të bëjnë me video-përgjimin ku shfaqet shtetasi D.Ç (referuar menaxherit Drini Çaushi) në një telefonatë me një futbollist të Partizanit.

“Më datë 12.05.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin D.Ç, vjeç 44, banues në Tiranë, menaxher futbolli, pasi dyshohet se më datë 11.05.2017, në emisionin investigativ “Fiks Fare” janë transmetuar biseda telefonike të shtetasit D.Ç, me një futbollist të një klubi sportiv, ku i ka kërkuar futbollistit të kryejë veprime që bien në kundërshtim me garën sportive. Neni 197/a i Kodit Penal”, shkruhej në komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit.

BAZA LIGJORE

Hetimi i bërë me dije në komunikatën e Policisë së Shtetit i referohet Nenit 197/a “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, (shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 20): “Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për paracaktimin e rezultateve në garat sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 500000 (pesëqind mijë) lekë deri në 3000000 (tre milionë) lekë ose me burgim nga tre muaj deri në dy vjet.

Po kjo vepër, e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 2000000 (dy milionë) lekë deri në 10000000 (dhjetë milionë) lekë”.

HETIMET

Tashmë pritet që ditën e hënë të hapet një dosje për këtë temë dhe të bëhet marrja në dorëzim e çështjes ku edhe do të caktohet prokurori dhe grupi i hetimit që do ta ndjekin. Sipas praktikave të më- parshme të hetimit, pritet që pasi të merret në dorëzim videoregjistrimi i publikuar i plotë në emisionin “Fiks Fare”, një pjesë të së cilës e publikoi e para gazeta “Panorama Sport”, të merren në pyetje personat e përfshirë dhe ata që janë përmendur në atë bisedë. /PanoramaSport

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.