Kryesore

Nesër mblidhet Kuvendi, Rama: PS me 71 mandate, e lutëm LSI për aleancë, por…

09:24 - 21.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 Parlamenti pritet të mblidhet të hënën, në orën 18:00, në një seancë të jashtëzakonshme, për zbatimin e marrëveshjes “Rama-Basha”. Këtë e ka lajmëruar dje kryeministri Edi Rama, gjatë një darke që pati me kandidatët e PS-së për deputetë, në një nga lokalet e periferisë së Tiranës. Sipas paktit, në këtë seancë pritet të miratohen emri i zv.kryeministrit dhe 6 ministrave që do të propozohen nga PD-ja. PD në këtë seancë do të votojë edhe plotësimin e komisioneve për ligjin e vetingut si dhe disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, për t’u dhënë mundësi të regjistrohen në zgjedhjet e 25 qershorit edhe partive opozitare. Ndërkohë, në darkën me kandidatë, kryetari i PS-së, Edi Rama ka sqaruar marrëveshjen me kreun e PD-së Basha. Burimet nga takimi thanë për “Gazeta Shqiptare” se Rama ka përsëritur objektivin e PS-së për të marrë 71 mandate vetëm. Për të arritur këtë shifër, Rama u ka kërkuar deputetëve aktualë, si dhe kandidatëve, që të takojnë çdo votues, derë më derë, duke mos humbur asnjë minutë më shumë. “Bëni fushatë derë më derë, pasi qëllimi kryesor është që PS-ja të marrë mbi 71 mandate. Punoni ditë e natë në terren për çdo votë. Mos lini njeri pa takuar”, – mësohet të jetë shprehur kryeministri.

PAKTI

Rama u ka thënë të pranishmëve se marrëveshja me PD-në ishte e nevojshme, për shkak se “nëse PS-ja do të hynte pa opozitën në zgjedhje, nuk do të kishte mundësi të qeveriste gjatë, për një mandat të plotë”. Ashtu siç ka deklaruar edhe publikisht, Rama mësohet të ketë thënë se komunikimi me opozitën do të vijojë në funksion të miratimit të reformave të rëndësishme. Sa u përket zëvendësimeve me emra teknikë në qeveri, Rama mësohet të jetë shprehur: “Zëvendësimet në qeveri do të zgjasin vetëm një muaj. Marrëveshja me PD-në, gjëja më e mirë që ka bërë PS-ja”. Në këtë takim, Rama mësohet se ka folur edhe për koalicionin me LSI-në. “I kemi lutur për të bërë një koalicion, por ka qenë LSI-ja ajo që ka zgjedhur të dalë e vetme në zgjedhjet e 25 qershorit. I lutëm për koalicion që në tetor. Jo sot, jo nesër, nuk deshën”, – mësohet të jetë shprehur Rama.

FERMERËT

Ndërkohë, Rama ishte dje me fermerë të Devollit, në Korçë, ku foli edhe për marrëveshjen me PD-në. “Do të shkojmë në zgjedhje me programin tonë, me skuadrën tonë, dhe do të kemi përballë Partinë Demokratike, që pavarësisht se hyri në zgjedhje, mbetet një kërcënim shumë i madh për këtë vend për shkak të mungesës së vizionit, mungesës së skuadrës dhe të mungesës së aftësisë për të bërë shtet. Ajo që Partia Demokratike ka treguar historikisht dhe që e ka treguar deri 48 orë më përpara, ka qenë se nuk dinë të bëjnë shtet. Dinë vetëm ta çmontojnë shtetin. Ajo që kemi për të humbur, në rast se kthehemi mbrapa, është katastrofë”. Kështu që, të tjerët duan të dalin të parët, ne duam të marrim 71 vota. Të parët do mbetemi edhe po të mos duam ne”, – theksoi Rama. “Nëse ata që dolën nga çadra, rifuten në zyra, bëhet çadër gjithë shteti prapë nga e para dhe çadër që na zë brenda të gjithëve, siç na zuri në ’97-ën, siç na zuri në 2013-ën, më me pak zhurmë, por me gjithë ato borxhe e histori të tjera”, – shtoi Rama.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.