LIFE STYLE

“Hipertensioni, 1 në 3 vetë s’e dinë që janë të prekur”

10:00 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

Një në tre të rritur sot vuan nga hipertensioni, ndërkohë që po 1 në 3 të rritur nuk e di që vuan nga kjo sëmundje. Të dhënat u bënë publike nga institucionet shëndetësore në kuadër të Ditës Botërore të Hipertensionit, që shënohet në datën 17 maj. Ndërkaq, specialistët theksojnë se hipertensioni është një sëmundje ‘e heshtur’ e për këtë arsye duhet që çdokush ta masë të paktën 1 herë në vit për të shmangur komplikacione të mëtejshme.

Rreziqet që paraqet hipertensioni në shëndet
Presioni i lartë i gjakut ose ndryshe hipertensioni, është faktor i madh rreziku për sëmundjet e zemrës, goditjen në tru, sëmundjet e veshkave dhe madje edhe sëmundjet e syrit. Gjithkush ka nevojë për një presion gjaku në arteriet e tij, por nëse tensioni i gjakut është mbi 120/80 mmHg dhe më pak se 140/90 mmHg, atëherë një person është në rrezik për t’u bërë hipertensiv.
Çfarë duhet të ketë parasysh 1 person që është në rrezik për t’u bërë hipertensiv
Duhet të merren menjëherë disa hapa për të përmirësuar stilin e jetës si: ndalimi i pirjes së duhanit nëse jeni duhanpirës; reduktimi i peshës së trupit tuaj në nivel të shëndetshëm; të jeni më aktivë; të përfshini në ushqyerjen tuaj më shumë perime dhe fruta, të zvogëloni sasinë e marrjes së kripës dhe të kufizoni sasinë e marrjes së yndyrës. Me fjalë të tjera, çdo ditë duhet të ushqehemi shëndetshëm. Ndërkohë që, në qoftë se tensioni i gjakut është rreth apo mbi 140/90 mmHg, ju duhet të kontaktoni me personelin e kujdesit shëndetësor për të parë nëse keni tension të lartë të gjakut, apo nëse keni nevojë të filloni trajtimin me mjekime për të parandaluar infarktin e zemrës dhe goditjen në tru.

Shenjat
Presioni i lartë i gjakut është një vrasës i heshtur. Nuk ka simptoma derisa presioni është shumë i lartë ose derisa shkakton dëme në organet vitale, si zemra ose veshkat.

Si mund të zbulohet dhe çfarë mund të bëhet për parandalimin e tij
Një nga pengesat kryesore për kontrollin efektiv të hipertensionit është thjesht se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se tensioni i gjakut të tyre është i lartë. Megjithatë, disa hapa të thjeshtë e të përballueshëm duhet të përfshihen në rutinën e përditshme, për vlerësimin e presionit të gjakut në programet e komunitetit dhe në vendet e punës, ku një rol të madh mund të luajnë të gjitha institucionet shëndetësore. Sot tensioni i gjakut mund të matet në shtëpi nga vetë njerëzit, pasi është lehtësisht i matshëm. E rëndësishme është që të gjithë të matin tensionin e gjakut në shtëpi, te një mjek, në një qendër shëndetësore ose në farmaci. Shkruani vlerat e presionit të gjakut e të pulsit dhe mundësisht përsëriteni tri herë, ku secila matje të jetë me 2 minuta diferencë.

Si reduktohet rreziku nga hipertensioni

Rreziku i zhvillimit të presionit të lartë të gjakut reduktohet duke:
• Reduktuar konsumimin e kripës
• Konsumuar një dietë të ekuilibruar
• Shmangur përdorimin e dëmshëm të alkoolit
• Kryer aktivitet fizik të rregullt
• Mbajtur një peshë trupore të shëndetshme
• Shmangur përdorimin e duhanit


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.