MILOSAO

Kinemaja dhe diktatura në Shqipëri

09:35 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga  Niketa Stefa




Roli dhe efektshmëria e artit të shtatë njihen qysh prej fillimeve të tij dhe janë përdorë me shumë sukses prej grupimeve shoqnore, komerciale e sidomos politike që kanë qenë e janë të interesueme me kontrollue opinionin publik.
Kinematografia tue bashkue fjalën, fotografinë, tingullin, skenën, figurën, gjestin depërton thellë dhe len mbresa të forta në shqisat dhe në mendjen e njeriut. Kjo përpimje virtuale ka ba që ky art të synohet me vrull edhe prej diktaturave me qëllim mbrujtjen e masave me ideologjinë përkatëse. Kjo gja ka ndodhë me fashizmin, nazizmin dhe komunizmin. Filmi artistik, shfaqja televizive, kronika televizive, dokumentari kanë shpalosë gjatë shekullit të kaluem potencialitete të dobishme për konsolidimin e regjimeve që nuk pranojnë debatin, mendimin e lirë dhe rotacionin politik.
Mjafton të kujtojmë se slogan-i i Mussolini-t, që në vitet e para të revolucionit fashist, ishte: “Kinemaja asht arma ma e fortë”, aq sa vuni edhe gurin e parë në themelet e stabilimentit të filmit “Cinecittà” në Romë.
Në Shqipninë komuniste këtyne “privilegjeve” të kinematografisë i shtohej edhe fakti se në pjesën ma të madhe të vendit, kryesisht me formacion dhe mendësi rurale, nuk kultivohej asnji lloj arti tjetër, kështu që kinemaja e regjimit në bezen e autokinemasë së vjetër sovjetike apo në ndërtesën e saj luente nji rol parësor në manipulimin e vetëdijve, sidomos të brezit të ri.
Roli kryesor i kinemasë komuniste ishte falsifikimi i realitetit: Gjithçka e vjetër paraqitej negative, ideali ishte “njeriu i ri”, anmiqtë e partisë ishin anmiqtë e popullit, bota e jashtme ishte mishnim i mjerimit moral dhe ekonomik, i pasuni dhe ai që ka pronë private pengon progresin dhe asht në vetvete negativ, partizanët ishin trima me fletë, ballistat ishin frikacakë, gjermanët u zmbrapsën me turp prej sulmeve të furishme partizane, shoku Enver paraqitej udhëheqësi ynë gjenial. Çdo gja kthehej në parullë dhe transformohej në funksion të dialektikës së ashpër politike. Edhe vetë dashunia, ndjenjë e papërkufizueshme, merrte trajta pozitive apo negative në mvarësi të rolit që kishte në ndërtimin e socializmit. Ndamjes në personazhe pozitive dhe negative i shtohej edhe ndasia jug-veri. Dialekti gegë në të shumtën e rasteve, sidomos mbas filmave të vitit 1973, përdorej në gojën e personazheve tejet negative: fashistave, spijunëve dhe agjentave, klerit, malsorëve diversanta, kështu përdoruesit e tij identifikoheshin si anmiq të regjimit. Nuk mungonin as tonet provinciale dhe antieuropiane, mjaft të kujtojmë filmin “Gjeneral gramafoni”, ku rreziku i imperializmit italian, real ky padyshim, lidhej me tjetërsimin e folklorit dhe përdorimin e tij kinse për përfitime. Sot tingëllon qesharak edhe himnizimi i izolimit të thellë të shqiptarëve që paraqitet gjoja me tone patriotike në filma si “Dueli i heshtur” e shumë të tjerë.
Nji sulm i paprecedent nisi mbas vitit 1967 kundër klerit katolik, filma si “Thirrja”, “Shembja e idhujve” përfaqsojnë ajkën e llumit ideologjik që derdhej mbi veprimtarinë e klerit katolik. Atë që nuk mbërrinin me e ba togat e pushkatimin e kryenin me zell dhe me devocion skenaristat, regjisorët dhe aktorët e asaj kohe. Gjithçka e lidhun me klerin dhe me besimin paraqitej si nji shumësi insektesh të neveritshme, kuptohet notat kafkiane ishin të pavetëdijshme, pse edhe vetë Franz Kafka vetë ishte nji autor i damshëm për lexuesin shqiptar. E pavetëdijshme asht edhe asonanca me trajtimin e fenomenit të neverisë që i ban filozofi Aurel Kolnai. Anmiku i sistemit asht nji insekt i neverishëm, për t’u shmangë si kolera.
Në të vërtetë njeriu i ri i filmave shqiptarë të kohës së komunizmit tregoi potencialitet e veta mbas ramjes së komunizmit, por këtu analiza rrëshqet në planin sociologjik dhe nuk e ndjekim dot.
Mbas vitit 1990 u xhiruen filma si “Vdekja e kalit”, “Parullat”, “I dashur armik”, “Kolonel Bunker”, të cilët janë shumë pak për me çshenjëtërue mitet e kinematografisë komuniste.
Sot shtrohet çeshtja e transmetimit apo jo të filmave të kohës së diktaturës. Ka randësi fakti se brezi ma i ri nuk i zotnon instrumentet konceptuale dhe shumë shpesh s’ka kulturën e mjaftueshme historike për me gjykue filmat e asaj periudhe. Kuptohet ato filma nuk do të mund të përkeqësojnë sot nostalgjikët e atij sistemi si edhe ata që e shfrytzuen dhe u shfrytzuen prej tij.
Mbetet problem transmetimi pa kriter sidomos i filmave propagandistikë të diktaturës.
Në Gjermani ekziston shoqata Friedrich-Wilhelm-Murnau, e cila asht përgjegjse për lejen e transmetimit të filmave të propagandës naziste. Filmat që janë klasifikue si të kufizuem (Vorbehaltsfilme) nuk lejohen me u transmetue në publik, por veç për qëllime shkencore, nën drejtimin e nji përgjegjsi të kualifikuem dhe mbrenda godinës së shoqates.
Ndërsa në Itali të gjithë filmat me metrazh të gjatë të prodhuem para vitit 1944 duhet ti nënshtrohen Komisionit të Rishikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Kinemasë pranë “Ministero dei Beni e delle Attività Culturali e del Turismo”, për nji autorizim për trasmetimin e tyne publik. Në dhjetëvjeçarin e parë mbas Luftës qenë të shpeshta si ndalimet e ritransmetimit të filmave me karakter ideologjik nazi-fashist ashtu si edhe përshëndetjet, simbolet fashiste, divizat, distinktivat etj. Aktualisht ekziston nji ekzpozitë virtuale e përhershme e promovueme prej Drejtorisë së Përgjithshme të Kinemase në bashkëpunim me shoqaten Cineteca Nazionale, ku janë të arkivuem filmat e censuruem simbas temës, sistemit dhe mënyrës të censurimit dhe tipit të metrazhit.
Nji zgjidhje e pranueshme për realitetin shqiptar në trajtimin e filmave të kohës së diktaturës do të ishte krijimi i nji komisioni shumëpalësh (artista, ish të përndjekun, specialista të fushës, historianë, gazetarë, jurista) që të përcaktonin filmat që s’mund të transmetohen kurrsesi në ditët e sotme, pse dhunojnë kujtesën historike të shqiptarëve dhe himnizojnë diktaturën komuniste. Mandej me rradhë filmat që i bajnë apologji regjimit komunist dhe krimeve të tija, tue mbërrijtë tek filmat, dhe s’janë pak, që përtej vlerës artistike të diskutueshme, mund të transmetohen pa problem.
Nuk bahet fjalë këtu për nji klasifikim të kinematografisë simbas edukimit estetik e moral të spektatorit, por për nji klasifikim simbas gradës së shprehjes direkte të propagandes së diktaturës, pse po të pretendonim të hiqnim nga ekranet tona të gjithë filmat që shkatërrojnë shijet dhe topisin mendjet, do të duhej të fillonim me telenovelat e të mbaronim kushedi se ku.
Afërmendsh, jo çdo film i kohës së diktaturës komuniste duhet ndalue, por nuk vlen as postulati i kundërt se ishin filma të mirë, mbasi në to luenin aktorë të mirë. Arsyetimi asht naiv.
Mendoni nëse ndokush do të vlerësonte sot aktorë si Humphrey Bogart, Gregory Peck, Ingrid Bergman apo Sophia Loren po të kishin luejtë vetëm në filma si “Furtuna”, “Brazdat”, “Thirrja”, “Montatorja”, “Ne vinim nga lufta”!!
Ajo kohë pati aktorë dhe regjisorë të mirë, por ata patën fatin e keq me jetue në nji periudhë kur çdo gja e mirë, për me mbijetue, duhej të uniformohej dhe të mbante vulën e së keqes radikale, që asht diktatura, e madje të nji diktature të topitun dhe çnjerzore si ajo e Enver Hoxhës.
* Autorja është studiuese e estetikës bashkëkohore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.