MILOSAO

Piktura / Për Qamil Grezdën

09:34 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Staff MILOSAO




Portreti
Gjinia e portretit të Qamil Grezdës është e realizuar në teknikën karbon, sepia mbi letër dhe vaj mbi pëlhurë dhe karton. Pamja e tyre përsëri rindahet nga periudha kohore e jetës së artistit. Portretet e para viteve ‘50 janë të realizuara nën ndikimin e gjithanshëm të traditës akademike italiane dhe tregojnë për një ekzekutim të kornizuar prej modelit të huaj, prej mënyrës së sugjeruar tradicionale të metodologjisë pedagogjike dhe prej ndikimit të situatës së periudhën së Luftës së Dytë Botërore mbi artin e edukuar në shkollat e periudhës fashiste. E gjithë kjo do të thotë vendosja tradicionale në atelje e një modeli të bukur, pikturimi i tij me mjete të forta akademike, zbatimi me përpikmëri i traditës së trashëguar mbi konceptin e pasqyrimit të karakterit të modelit, mbi ngjyrën, formën dhe modelimin. Korrektësia totale mbi pasqyrimin e modelit ishte detyra qendrore e studentit. Të gjitha këto cilësi janë të realizuara në të gjitha portretet e Qamil Grezdës në këtë periudhë. Si student nuk do të thotë asnjëherë se ai pati realizime plotësisht të arrirra, por disa prej tyre janë gjithësisht të tilla dhe përbëjnë vlerë.
Portretet e realizuara gjatë periudhës komuniste kanë një veçanti domethënëse, që lidhet me subjektin. Ai përzgjodhi me shmangje kah pikturimi i portreteve të miqve dhe pjesëtarëve të familjes. Në këtë grup ai nuk anashkaloi portretin e heroit historik, e veçanërisht atë që lidhet me vendlindjen. Madje ai nuk mundi të anashkolonte tërësisht sygjerimet e metodës së realizmit socialist, por vet subjekti i përzgjedhjes, trajtimi kompozicional dhe mjetet e tij piktorike e shprehëse ndaj modelit të riprodhuar, i jep të drejtën portreteve të Grezdës, të jenë dhe të cilësohen portrete realistë.
Qamil Grezda, bashkëkohes i grupimit të të rinjve shqiptarë të viteve ‘30, fillimet artistike i ka në shkollën e parë të vizatimit të Mario Ridola, Lasgush Poradeci, Odise Paskali, Andrea Kushi, S. Rota etj.  Nxënës të asaj shkolle ishin: Sadik Kaceli, Nexhmedin Zaimi, Kel Kodheli, Ll. Nikolla, Qamil Grezda, Bukurosh  Sejdini, Sabri Tuçi, Hasan Reçi, G. Strazimiri, Z. Bumçi, A. Mano, Sh. Agalliu, V. Jani.

Jeta e tij
Qamili lindi më 1917 dhe vdiq më 1992. Ai vinte nga një familje me origjinë gjakovare dhe i ati, Hysni Grezda, duke parë pasionin e të birit për pikturën, i cili, qysh i ri bënte reklamat e Kinema “Glorias”, tabela dyqanesh, etj., e ndihu në rrugën e artit. Një ditë, i Ati si besimtar i mirë që ishte, takon hoxhën e “Rrugës së Kavajës”, Dine Hoxhën, dhe i rrëfen për punën e të birit dhe dëshirën që kishte ai për të vazhduar studimet për pikturë, në Romë, Itali. Hoxha e dëgjon dhe i thotë të mos e pengojë të birin në këtë rrugë, sepse Qamili është djalë i mirë, punëtor dhe paratë e punës i dorëzon tek i ati. Atëherë, Hysniu shet një pjesë të pasurisë së tij, bashkë me kostumin prej ari të bashkëshortes, dhe me ato para e nis të birin në Romë, në Akademinë “Belle Arte”, në vitin 1939. Roma, qendra e artit dhe kulturës italiane, i ofroi, jo vetëm Qamilit, por gjithë djelmurisë shqiptare, një edukim të plotë artistik, të cilin, ata djemë të rinj, me dashuri dhe pasion, e vlerësuan me përkushtim duke e përfunduar me sukses “Accademia di Belle Arti” në Romë 1944.  Të gjithë këta artistë të rinj me formim të plotë kulturor u kthyen të mbushur me pasion dhe patriotizëm në vendin e tyre, në Shqipëri. Të entuziazmuar ata morën pjesë në të gjitha ekspozitat e pas viteve 1945, ata themeluan Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë.
Hasan Reçi, Qamil Grezda, Jordan Misja, Qemal Stafa, dhe Bukurosh Sejdini, ishin shokë të rinisë së hershme dhe më vonë, në Romë. Atje ata u miqësuan edhe me Ibrahim Kodrën, miqësi të cilën e zhvilluan në Milano, Firence, etj. Së bashku ata ndanin rininë, bukën, duke qenë se vinin nga familje patriotike, atdhedashëse. Marrëdhënia me Ibrahim Kodrën ishte e veçantë dhe pasi ai shkoi në Milano, ata e ruajtën miqësinë përmes shkëmbimit të letrave duke i rrëfyer njëri-tjetrit dashuritë personale. (Koleksioni Grezda ruan letrat e shkëmbyera).
Roma e bukur i fali Qamilit padyshim në rininë e viteve 1940 edhe një miqësi me një “madonë”, miqësinë me sinjorinën e bukur romane, Ëilde Bettini, e bija e pasanikut të madh të arit zotit Goffredo. dashuria në mes tyre ishte një idil i bukur dhe Qamili nuk e harroi gjithë jetën e tij.  Një ditë të bukur vere, zonja Goffred i thotë Qamilit: “Shkoni bashkë me Ëilden të blini rroba banjo për të shkuar në plazh”. Kur u kthyen zonja Gofred i thotë së bijës: “Ëilde, shko te Qamili të të shikojë si të rrinë!” Me këtë ajo shprehte dëshirën e saj që Qamili të bëhej dhëndër i familjes Goffredo.
Vite më vonë, aty nga vitet ‘60, Ermiri, i biri i Qamilit, e pyet të atin: “Baba, pse nuk qëndrove në Itali, të bëheshe dhëndër i familjes Goffred. Qamili u përgjigj butësisht: “Bir, si mund ta lija babanë që shiti pasurinë për mua për të vazhduar Accademia di Belle Arti dhe tre motrat që u rritën pa nënë?! Si mund ta lija vendin tim?!” Kthimi në Shqipëri ndikoi në largimin e lidhjeve si me Ëildën, ashtu dhe me Ibrahim Kodrën, sepse regjimi e quante atë korrespondencë të huaj.
Mbas mbarimit të Akademisë, Qamili u kthye me dashuri në Shqipëri, pranë familjes së babait dhe motrave, duke kontribuar për ta. Mirëpo kthimi në Tiranë dhe çlirimi i vendit nga pushtuesit fashistë e befasuan me ndryshimin e raporteve me disa prej shokëve të cilët ishin bërë funksionarë të partisë në Arte dhe ai filloi të ndjente spostimin dhe përjashtimin pak nga pak, gjë e cila përfundoi me heqjen e veprave të tij nga ekspozita të ndryshme për 40 vite.
Presidenti i Arteve dhe Sekretari i Arteve Figurative nuk ishin më shokët që kishin qenë në Romë. Foto Stamo dhe Nexhmedin Zaimi kishin ndikim partiak dhe nuk e dëshironin Qamilin edhe për shkak të origjinës së tij. Nexhmedin Zaimi i shkatërroi 5 punë, pronë e GAF, si dhe 4 kompozime me temë nga lufta nacional-çlirimtare, gjë të cilën ai e ka pranuar vetë gjatë një vizite në familjen e Qamilit, më 18 nëntor 1991, duke rrëfyer i penduar për atë që kishte bërë vite të shkuara.
Qamili ishte adhurues i muzikës dhe këngëve të bukura sentimentale italiane të viteve ‘30-’40. Ai këndonte me shpirt këngën “Canzoni d’Amore” dhe adhuronte “Mamma felice”. Shpirti i dëlirë me poezi dhe këngë i jepnin inspirim për të kaluarën e bukur në Pincio, por ai kurrë s’mund ta mendonte ferrin që përditë po vinte me regjimin komunist dhe marrëdhëniet me shokët sa vinte do të ndryshonin ditë me ditë. E vetmja gjë që nuk i mungonte ishte dashuria për natyrën e atdheut duke shtegtuar sa në Vlorë, në Kukës, Theth, Lurë, Valbonë, Divjakë, ose peizazhet në hidrocentrale si dhe portretet e miqve të tij shkrimtarë dhe artistë si Sterjo Spasse, Nonda Bulka, Petro Marko, Mustafa Krantja, Rifat Teqja, Hasan Reçi, Rrok Dabërdaku, Lazgush Poradeci e Bukurosh Sejdini.
Por vitet ‘70 ishin vite më të vështira të Qamilit. Ishte e vështirë t’u besoje syve e veshëve që Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, djali i piktorit dhe mikut të tij gjakovar, Abdurrahim Buza, “shoku” Kujtim Buza, të cilin vonë e kuptova pse Qamili i thërriste “prifti me veladon”, ndërkohë që ky i fundit e thërrsite Qamilin, “Baca Qumil”, harronte deri aty sa ta linte jashtë listës së Lidhjes për t’i dhënë materiale si kanavaca, penela, bojra, etj. Kjo periudhë ishte dhe më e vështirë nga ajo e Foto Stamos.
Në vitin 1973, Qamili po shkonte në GAF te rruga “Fortuzi”, duke mbajtur në duar pikturën “Vjeshta e Santorinit “ (perëndim, 1960, vaj), K. Buza i drejtohet duke i thënë: “E hoqëm peizazhin nga ekspozita pasi është shumë romantike!” Dhe pastaj shtoi me ironi: “ju Grezdët………!” Kjo ishte koha kur Abdurrahim Buza dhe Hektor Dule kishin shkuar në Kosovë për të ekspozuar punimet e tyre. Qamili, duke kuptuar që po lihej mënjanë, i drejtohet Buzës (birit), me këto fjalë: “Po mua pse nuk më çohen punët në Kosovë?” Buza (biri) përgjigjet: “Pa ta shtypur kokën, nuk të lë.” Qamili revoltohet dhe ia kthen: “Edepsëz!”  Ky veprim dhe ky qëndrim bënë që derisa ndërroi jetë Qamili të ishte i përjashtuar. Gati gjithë jetën ai e kaloi duke pikturuar me karton e kompesato, por dashurinë për peizazhin nuk e ndau deri sa jetoi. Qamili ishte nga autorët që Partia nuk i preferonte, ndaj punët e tij u ekspozuan shumë rrallë. Vetëm pas viteve ‘90 punët e tij filluan të ekspozohen radhë pas radhe nga Galeria Kombëtare e Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, në Pallatin e Kongreseve dhe Qendra të tjera arti.
Vetëm në vitet 2002 dhe 2017 u realizua ëndrra e tij që punët t’i ekspozoheshin në Kosovë; Prishtinë dhe Gjakovë, me ndryshimet politike që ndodhën në Shqipëri dhe Kosovë.

Peisazh në veprën e Grezdës
Pejzazhi është një nga gjinitë ku piktori Grezda gjeti të gjithë qetësinë e krijimit. Ai dha plotësisht maksimumin e shprehive të tija figurative. Ai e dashuroi natyrën dhe u lidh plotësisht me të. Në natyrë ai vraponte i lirë dhe shprehej i lirë. Ai ndjehet i vetmuar, por bashkë me të. Dhe ndoshta kjo është arsyeja që rrallë herë e gjen njeriun si figurë të rëndësishme në sipërfaqet e pikturuara dhe shpesh herë ekspresive të pejzazhit në ngjyrë. Atij nuk i intereson njeriu dhe mbase mund të thuash që ai nuk donte ta prezantonte atë në këtë mjedis, pasi sa mendoj e donte të gjithë natyrën dhe ngjyrën e saj të pasqyrohej ashtu siç ajo e impresiononte. Kjo ndjehet disa herë si atmosferë ekspresive e disa herë si impresioniste, por për bukuri të mendimit disa herë naive e disa herë realiste. Ai arriti t’i krijojë këto atmosfera nga pejzazhi në pejzazh, madje edhe kur objekti i pikturuar shprehet solid dhe me karakteristika të plota të reales. Ai ishte i interesuar të krijonte atë çka ndjente përkundrejt natyrës, e cila i sygjeronte ngjyra të ndryshme, e nxiste të aludonte me to, t’i trasformonte objektit ngjyrën e vërtetë nën ndikimin e plotë të rënies së ndryshme të dritës. Ndërsa kompozimi është gjithësisht tradicional, disa herë vizatimi dhe ndjeshmëria e detajit ngjyrë në disa prej pejzazheve është drithërues. Ai pikturoi pastoralen shqiptare në veri dhe jug të Shqipërisë. Ndjeu fort të gjelbërtën dhe të verdhën e saj, por dhe të bardhën e violetën, të kuqet dhe blutë e mjedisit të trasfomuar nga drita e shkëlqyer e diellit, por dhe atmosferën e brendëshme të natyrës së mbifuqishme. Ai nëpërmjet ngjyrës krijoi në dukje një atmosferë të një ngjyre në evidencë, por kjo është vetëm në dukje. Ai është pronar i të gjitha ngjyrave mbi pejzazhin e përzgjedhur. Pikturoi liqenin, detin dhe bregun e tij, pikturoi edhe lëndinën, fushën dhe grykat e relievit shqiptar. Disa herë pikturoi njeriun, banorin e pastoraleve, disa herë dhe miqtë e tij piktorë përballë kavaletave dhe tavalocave. Në logjikën e përzgjedhjes mbisundojnë klishetë e shikimit të tij mbi hapsirë, duke e dritarizuar copëzën e natyrës, gjë të cilën vetë natyra i’a transmetonte, por dhe edukimi akademik lidhej plotësisht me këtë veti sygjeruese. Piktori Grezda dhe akademitë e tij janë një element, që dallohen pikërisht prej strukturës kompozicionale dhe teksturës piktorike, që mbartin pejzazhet e tij.


Nudoja
Nudo është prezente në krijimtarinë e Qamil Grezdës. Ai e vizatoi atë në programet e atelieve të të dy shkollave. Ato tregojnë për cilësi aktive të studentit Grezda në vizatimin korrekt të modelit, që dallon për modelin femëror e që si gjini shërbente dhe shërben në formimin hap pas hapi të një studenti në artet figurative. Nudod e tij nuk janë model i vendosur në studion e artistit, por janë model shkathtësimi dhe aftësimi i studentit në atelje dhe nën drejtimin e përditshëm të sugjerimit të pedagogëve. Ato janë vizatime të periudhave të para në krijimtarinë e artistit dhe ruajnë cilësitë e të gjitha vizatimeve të kohës së Shkollave të Romës dhe Firences. Karakteristikat kryesore të krijimtarisë së Grezdës i zbulojmë, pikërisht, nga analiza studimore që i’u kushtohet nudove të tij, pasi ato dhe vizatime të tjera si portrete dhe skica, datohen si punimet e para të realizuara nën një program shkollor edukues. Vetitë e tij më të theksuara janë: vizatimi me përmasa të llogaritura, ndërtimi i mirë dhe vendosja në harmoni e volumeve me dritë-hijen, përballja e vijave me sipërfaqet e modeluara nga hijë-drita shpeshherë e minimizon shfaqjen e tyre. Qetësia që ruajnë vizatimet e tij si në ndërtimin kompozicional si dhe në modelimin e volumeve dhe detajeve te materialiteteve të ndryshme, tregon se ai është një artist pa zhurmë dhe i ekuilibruar, i aftë të vizatoj dhe të organizojë, i ndjeshëm dhe pasionant.
*Shkrimi është përgatitur me ndihmën e familjes dhe është mbështetur në shkrimet e studiueses së njohur Suzana Kuka Varvarica dhe Oltsen Gripshi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.