MILOSAO

Tregim / Përballë një botuesi

08:32 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Meri LALAJ




Kur më pyesin se si mbetëm gjallë nga diktatura komuniste, jam gati të përgjigjem: “Na shpëtoi ajo buka e madhe katrore e zezë e gatuar me krunde gruri dhe mendjen na e mbajtën librat që lexonim. Shumë libra, çdo libër që dilte në librari, ato libra që lejoheshin për sistemin tonë komunist”.
Mundoheshim që të gjenim shpëtim atje sidomos nën rreshtat e librave të Kadaresë. Po librat e përkthyer, veçanërisht “Zoti President” i Miguel Asturias i njëjtë me fatin tonë. (Çudi si e patën lejuar të botohej! Me përkthimin e mrekullueshëm të Petro Zhejit)
Erdhi dita dhe unë fillova të botoj libra të shkruar apo të përkthyer prej meje. Secili libër ka një histori më vete përsa i përket mundimit për t’u botuar, por do të rrëfej vetëm për këtë të fundit. Pasi punova rreth një vit arrita të përkthej një libër me gati 500 faqe që për mua është një libër me shumë vlera për politikanët (apo nuk lexojnë libra ata!), për gazetarët, studentët e të tjerë. Bisedova me një redaktore, vajzë e mençur e zonja e punës dhe ajo më kërkoi librin e përkthyer për t’ i hedhur një sy, pastaj më telefonoi duke më thënë se kishte folur me shefin (d.m.th. botuesin e saj). Shefi më la një takim dhe kur unë vajta nëpër shi sepse nuk e kapa dot autobusin, ai kishte ikur sepse kishte takim me ministrin. Më doli huq! Redaktorja e re bëri sërish përpjekje pranë shefit të saj dhe pas disa javësh më thirri prapë. Ishte një ditë me diell të fortë eca më këmbë dhe arrita tek shtëpia botuese. Redaktorja e re më priste, ajo është shtatlartë dhe e mbushur në trup e në krahasim me të dukesha aq e imët. Po ecnim nëpër korridor të dyja, kur hymë në zyrën e rregulluar me shumë shije kolltukët e kuq zinin anët e mureve, një tryezë e madhe qelqi mbështetur mbi këmbëza të metalta në mes të dhomës, piktura në mure me një fjalë luks jo shaka.  Shefi ma zgjati dorën shumë ftohtë pa më parë në sy dhe pa më thënë të ulem.  Ndërkohë, menjëherë pas nesh u fut në zyrë edhe një femër e re, shumë e hollë në trup,  (mendova se ishte sekretarja e shefit) ajo mbante në dorë një kupë të mbushur me një lëng të kuqërremtë të cilën e vendosi në tryezë midis meje dhe shefit. Sekretarja e pyeti shefin:
-Ta le lugën apo ta marr? (Ajo mbante në dorë një lugë të vogël.) Shefi në fillim u përgjigj.
–Merre, merre!  – dhe pastaj tha:
-Lere, lere! -Ajo e la lugën, shefi e mori lugën, u ngrit dhe hapi atë dollapin e qelqtë që andej nxori një vazo (me sa duket mjaltë) e mbushi lugën plot dhe e hodhi në kupë, sërish hapi dollapin në pjesën e poshtme nxori një shishe i hoqi tapën dhe derdhi pak nga pija në kupë. U ul dhe u rehatua në kolltuk duke përzier pijen e kupës. Ndërkaq nuk më kishte pyetur as për mirësjellje në se doja të pi një kafe apo një kupë ujë siç ndodh rëndom kur vemi diku. U mundova ta kapërcej këtë situatë sepse për mua kishte më shumë rëndësi botimi i librit. Fillova të flas për librin në mes të fjalëve të mia shefi i tha redaktores që më shoqëronte:
-Jepja këto syzet Xhenit që të m’i pastrojë me letër të lagur!-  Për një çast mbeta pa fjalë, por e mblodha veten sërish e vijova për librin. Shefi tha se duhej të paguante një shumë të madhe paresh për të marrë të drejtën e autorit.
-Po unë si do paguhem? – guxova të pyes.
-Ne, (siç e përdorin mbretërit) mendojmë të të paguajmë për një të tretën e faqeve të librit.
-Po pjesa tjetër? – pyeta.
-Duhet të kesh ndonjë sponsor tjetër…
-Unë sponsor tjetër!? Ju lutem, nuk jam ndonjë vajzë e re që të më paguajnë të tjerët. Po paret tuaja sipas çmimit që keni vendosur kur mund t’i marr?
-Një muaj pasi libri të ketë dalë në shitje…
-Mirë. Faleminderit.- Dhe u ngrita e dola nga zyra, zbrita shkallët dhe u futa aty poshtë tek një Bar-Kafe se kisha shumë etje për ujë dhe kafe. I telefonova redaktores duke e lutur të më sillte aty tek isha librin origjinal dhe fletët e dorëshkrimit në gjuhën shqipe.
Ky libër nuk është botuar ende.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.