KULTURË

Rihapet pas 7 vitesh punishtja “Artizanet e Antigonesë”

08:24 - 23.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Është rihapur pas 7 vitesh punishtja “Artizanet e Antigonesë” në Gjirokastër. Projekti i mbështetur nga Ministria e Kulturës është parë jo vetëm për ruajtjen e traditës dhe vlerave artizanale të kësaj krahine, por edhe si një mundësi punësimi për këto gra. Ministrja Mirela Kumbaro, e cila ishte e pranishme në rihapjen e qendrës, u shpreh se qëllimi i Ministrisë së Kulturës nuk është vetëm ruajtja e trashëgimisë, por nxitja e një aktiviteti fitimprurës, i cili nga mbështetja të mund të kthehet në një aktivitet të pavarur. “Jemi në ditën e hapjes së njërit prej projekteve të Ministrisë së Kulturës, që është ‘Zhvillimi i artizanatit’, atje ku është burimi i dijebërjes. Ky është një projekt që ne e kemi zhvilluar në disa treva të Shqipërisë, që nga Zogaj në Shkodër e deri në Antigone, këtu në Gjirokastër, nga Korça në Krujë, nëpër zona e fshatra në të cilat është ruajtur tradita e dijebërjes, qoftë e punimit të leshit, e shajakut apo e qeramikës”. Sipas Kumbaros, Ministria e Kulturës ka një strategji për nxitjen e tyre jo vetëm si ruajtje e trashëgimisë kulturore, jo vetëm si ruajtje e artizanatit, por edhe për t’i nxitur komunitetet për një aktivitet ekonomik, i cili nga mbështetja të mund të kthehet në një aktivitet të pavarur. “E nisëm në Antigone, ku modelin e gjetëm të gatshëm, në këtë qendër të krijuar 10 vite më parë, e për vite të tëra aktivitet i ndërprerë”, tha Kumbaro. Në Antigone, në Gjirokastër, prej vitit 2006, në bashkëpunim me Komunën Antigone dhe një Fondacion Norvegjez është ngritur punishtja “Artizanet e Antigonesë”, ku u punësuan rreth 20 gra dhe vajza nga kjo krahinë, të cilat prodhonin punime me avlemend, prej leshi, të cilat janë pritur mjaft mirë në tregun shqiptar dhe atë të huaj, por pas vitit 2011 puna e saj është bllokuar për mungesë fondesh, por janë ruajtur godina dhe mjetet e punës. Për të mundësuar rifillimin e këtij aktiviteti prodhues si dhe për të mundësuar punësimin e grave dhe vajzave të kësaj njësie administrative, Ministria e Kulturës mundësoi një fond. Në këtë projekt marrin pjesë rreth 30 gra e vajza nga kjo krahinë, të cilat do të mundësojnë tek brezi i ri dijebërjen e punës artizanale të punimit në avlemend.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.