KULTURË

“SHTËPIA ME GJETHE”, Nga çimkat origjinale, te letra e ndjesës për Enverin

09:12 - 24.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Kujdes, të dashur vizitorë. Kjo dhomë është e përgjuar”. Një tabelë e dallueshme bën gardianin e dhomave të Shtëpisë me Gjethe, godina prej nga ku u përgjuan shqiptarët gjatë regjimit komunist. Muzeu Kombëtar i Përgjimeve u hap dje, pas dy vitesh punë për përgatitjen e muzealizimin e tij, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Një frazë e Amik Kasoruhos, ‘hap dyert’ drejt zbulimit të shtëpisë-mister, “ky muze u kushtohet atyre njerëzve të pafajshëm, të cilët u përgjuan, u kontrolluan, u spiunuan nga regjimi komunist, me pasojë arrestime, internime, burgosje, ekzekutime dhe shumë dënime të tjera të rënda”.
Drita që duhej të hynte nga dritaret pengohet prej vendimesh që të printuara, kryejnë funksionin e perdeve, jo vetëm për të penguar dritën të hyjë, por edhe ‘sekretin’ të dalë; një aludim me funksionin e parë të dokumenteve sekrete që zbulohen tashmë të shpalosura në madhësinë e një faqeje muri.


Nga dhoma në dhomë, gjen dhjetëra pajisje përgjimi, dokumente përndjekjeje, dokumente të deklasuara ku sërish emrat janë zënë me bojë të zezë, ilustrim torturash, emra, personazhe ku spikat historia e trishtë e piktorit Edison Gjergo, frazat e ‘kobshme’ të Enver Hoxhës, letra, urdhra, raporte, lista qytetarësh nën kontroll postar; mandej janë çimkat, diku të vëna mbi peshore (a nuk vunë në peshore jetët njerëzore?), diku çimka e njohur si Dhënësi A1, pajisje-simbol e prodhuar me ‘forcat tona’ nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit në Laboratorin e Ministrisë së Brendshme të kohës, si edhe ku fshiheshin çimkat, nga vazot te pikturat e takat, në kopsa e vegla pune; në një dhomë më vetë janë pajisjet kineze e ruse, mandej, diku tjetër telefona, regjistrues; laboratori i ndarë në dy zona, në atë të fotografive dhe në pjesën tjetër, ku provëzat prej qelqi analizonin shumëçka, për helme të mundshme kimike që mund të viheshin në letrat dërguar udhëheqësit zëmë shembull.


Muzeu dykatësh ndahet në 9 sektorë: Çimka dhe krijesa të tjera, Mikrofonët e gjallë (agjentët), Ç’është armiku (përfytyrimi mbi të, kontrolli e represioni), Armiku i jashtëm (përgjimi i të huajve), Intermezzo (mungesa e jetës private), Jeta e përditshme (përgjimi i gjithë shtresave), Zëra nga e kaluara (zëra të kapur dekada më parë me përgjim elektronik), Panoptikon – panakustikon (vendi ku përgjon gjithçka), E kaluara e pakryer (E kaluara nuk vdes kurrë. Madje as e kaluar nuk është- William Faulkner).
Nevojtoret si hapësirë lirie? Shiheshin si të tilla, për aq kohë sa, siç shënohet në Muzeun Shtëpia me Gjethe, “ashtu si në vendet e tjera staliniste, edhe në Shqipëri, të vetmet hapësira publike ku qytetarët guxonin të shprehnin ndonjë mendim të ‘rrezikshëm’, kanë qenë nevojtoret publike, duke shkruar në muret e tyre”.


1975 – “ENVER, NDJESË SE KEMIHAPUR LETRËN TËNDE”
Ka mes të tjerash, edhe një letër ndjese, drejtuar “Shokut Enver” nga “Shoku Kadri Hazbiu”. Letra (me faksimile) e ministrit të Punëve të Brendshme, është një tekst ndjese për Enver Hoxhën pasi në “Shtëpinë me Gjethe, i është kontrolluar gabimisht korrespondenca me jashtë”.
“Me dt. 24.2. 1975, nga sektori i kontrollit të postës, gjatë seleksionimit të korrespondencës së jashtme, u hap një letër që vinte nga Rumania në adresën tuaj. Zëvendësdrejtori i Sigurimit të Shtetit, Lirim Pëllumbi, që u ngarkua për verifikimin e kësaj ngjarjeje, së bashku me kuadrot që drejtojnë kontrollin postar, konkluduan se:
– Punonjësja Fatmira Pulaj që merret me seleksionimin e korrespondencës së Jashtme, e ka kaluar këtë letër për hapje e lexim krejt gabimisht, pa e parë (me sa duket ajo ka qenë ngjitur me ndonjë letër tjetër).

– Punonjësit e sektorit tekniko-shkencor që merren me hapjen e letrave, kanë hapur zarfin e kësaj letre pa e parë se kujt i adresohej.
– Përgjegjësi i sektorit të leximit të korrespondencës në gjuhë të huaj, L. Rapushi, të cilit iu dha letra pas hapjes së zarfit, pa e lexuar (në fakt ai as nuk di rumanisht) dhe pa ia kaluar atë për lexim përkthyesit përkatës, me të parë se kujt i adresohej kjo letër, e bën problem. Letra menjëherë u mbyll dhe u nis për në destinacion.


– Pavarësisht nga fakti që përmbajtja e letrës nuk u lexua nga askush, vetë hapja e saj është shkelje e rëndë e normave të Platformës, prandaj, përveç dokumentimit të këtyre veprimeve në procesverbale, mbajtur nga grupi i caktuar ndaj personave që kanë gabuar, u morën masat përkatëse; Fatmira Pulaj u nxor në lirim, Liri Kasos, Jolanda Nishës dhe Robert Kokonës (punonjës të sektorit për hapjen e letrave) iu dha masa “Paralajmërim për papërshtatshmëri në detyrë”.
Kjo ngjarje do të përgjithësohet si rast negativ, i paprecedent, dhe do të analizohet thellë në kolektivin e sektorit të kontrollit postar, për të nxjerrë mësimet e duhura lidhur me forcimin e mëtejshëm të punës edukative, ideopolitike dhe profesionale, për njohjen e thellë dhe zbatimin sa më rigoroz, të normave të Platformës e ligjeve.

Po ju informoj duke iu kërkuar ndjesë për ç’ka ndodhur.
Me respekt, Kadri Hazbiu
Tiranë më 26.2.1975.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.