KULTURË

Universi i fjalës në vëllimin poetik “Kundërpërfytyrimi” të Natasha Lakos

07:38 - 24.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Zhuljeta GRABOCKA

 

“Kur avitet bota, trupi hap gjinjtë”; nëpërmjet këtij imazhi lëvizës makbethian poetja Natasha Lako hap vëllimin e saj “Kundërpërfytyrimi”. Dhe lexuesit të kulturuar i kujtohen elementët nëntekstualë deradianë në kryevargun te “Këngët e Milosaos”: “Dheu kishte ndërruar lisat/ ujë të ri të detit/ kaltëronte në ditë të re”.

Një takim poetik prijetarësh i pakohë në universin e fjalës. Poetja hyn përsëri në tempullin e poezisë shqipe si poetja e parë femër përherë me një guxim të ri poetik. Ashtu siç ka ndodhur me çdo vëllim të saj plot risi e origjinalitet. Ajo e ridimensionon poezinë e saj drejt fuqisë përshkruese duke krijuar tashmë shkollën e saj poetike. Natasha Lako përfaqëson zërin poetik femëror më të fuqishëm prej gjysmë shekulli. Një zë emancipues dhe shpirtëror që tejkaloi zvetënimin e konformizmin e dy periudhave të zhvillimit të poezisë bashkëkohore mbas viteve ‘70 të shekullit XX dhe dekadave të para të fillimit të shekullit të ri. Ajo, krahas krijuesve modernë në prozë, është përfaqësuese e modernitetit poetik, duke përvijuar tiparet më të qenësishme të tij.

Përtej vështrimit diakronik të vëllimeve të saj, në sinkroni çdo vëllim ka specifikat e veta dhe përfaqëson rrugën e formimit poetik unikal. Të ambientuar me këndpërfytyrimin mëmësor të ngjizjes së krijesës poetike, prej një “Safoje moderne të letërsisë shqipe”. Lexuesi në vëllimin e fundit do të shijojë peshën e papërsëritshme të fjalës si shenjim dhe pafundësisë së mundësive të asocimeve ndjesore:

Fjalën e dua kope, për të mbetur gjithnjë nomade/… dhe… gruan e pashfaqur ende, që vazhdon të heqë vetullën prapa një rrufeje…/

Me fuqinë e shenjëzimit të “fjalës lehonë” deri në tërholljet e saj plot të papritura, plot thellësi mendimi e përjetimesh, ritëm e muzikalitet …/që në këngë nuk ka hyrë dhe kur mendon, – do të shprehet poetja “boshësinë e fjalëve plot gjilpëra dhe karfica” …/duke përmbysur sirtarin për të hyrë në intimiteti e njeriut…/ e përndritur në atë labirint “ku del gjithnjë briri i një filli të një drite tjetër” …/ Si për gjërat e vjedhura, të kthehemi edhe njëherë nga fillimi, – nënvizon ajo te poezia “Zonja të bukura”.

Me këtë përmbysje rinovuese, poetja sheh mundësi të pafundme shprehjeje e akte komunikimi verbal. Poezia e kundërpërfytyrimit e shpenguar deri në mrekulli, vërtet e shpalos stoicizmin e pretenduar prej poetes. Çdo poezi është një sprovë me vete tonaliteti dhe strukturimi. Aksioni i saj poetik, i ndihmuar prej talentit të lindur e intuitës së përfituar krijuese, e fokuson lehtësisht kamerën e saj lëvizëse drejt njeriut universal e natyrës universale. Poezia e Natashës është e drejtpërdrejtë në kufirin e masës së abstragimit. Ndjesitë emocionale të përjetimit janë drithëruese për lexuesin. Duke luajtur bukur me detajin, poetja realizon distancën e një poezie komforte e të lirë, pa imponuar interpretim e moralizim. Qartësia e shprehjes, pranëvëniet e detajeve brenda poezisë me një thellësi të admirueshme, të lejojnë të vlerësosh dhe të interpretosh këndimin poetik që është sa i vjetër e mitik në origjinë, aq edhe modern e mbresëlënës në ripërtëritje të vazhdueshme. Poetja të krijon mundësinë për ta parë atë gjatë gjithë ekzistencës së shfaqjes së tij artistike. Pikërisht te këndimi/vargëzimi ajo rimerr format e narracionit epiko-lirik si një bardë e ndërgjegjshme për të modernizuar thelbin ekzistencial e kulturor të shfaqjes së tij. Qetësia olimpike e përshkrimeve të gjeografisë shpirtërore poetike në plazmën e vetëdijshëm e surprizues erëborziloku e përshkon gjithë vëllimin. Ai rrjedh i ndjerë e jo i kërkuar e i stisur, është i pasforcuar por i vetëshpallur me një muzikalitet pritës e jo vetmitar. Mendimi metaforik i fabulës poetike rizgjohet nëpërmjet imazheve të përsëritura metonimike. Vargëzimi i kulturuar, gjerësia epike e përshkrimit krijojnë një poetikë të strukturuar estetikisht. Palimsesti i portretizimit të njeriut në projektim të shumësisë së tij prozaike nuk e ka penguar poeten të shprehë relativitetin e së bukurës dhe së mirës, neutralitetin e paqes dhe urrejtjes barbare. Në qerthullin e vargut të saj mbështillet e vërteta si vetë jeta në përkohshmërinë dhe përjetësinë e saj. Tërësia e poezive të vëllimit është testamenti poetik i Natasha Lakos në të cilin poetja ka ende shumë për të shkruar…

Hija e Kullës së Babilonisë bie ende mbi çdo metaforë, bie mbi trupin e çdo gjuhe, bie mbi të gjithë botën atje ku jeta e njeriut thotë fjalën e vet! Kundërpërfytyrimi është gjurma e asaj që ishim e duhet të jemi.

…Nuk do të kishte kënduar Huancita/ më i sigurt në botë, sikur të mos ishte/ kundërpërfytyrimi.

Po çelin kumbullat e mbushura me lule të bardha, të imëta.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.