BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Tirana kampion dhe festa vazhdon, tifozët VIP-a në festën e Tiranës

16:00 - 25.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Tirana kampion dhe festa vazhdon. Tifozët VIP-a  në festën e Tiranës




Tirana kampion dhe festa vazhdon
Pas marrjes së titullit Kampion të “Tiranës”, festat nuk kanë sosur nga drejtuesit dhe tifozët e kësaj skuadre. Festimet e fitores kanë nisur ditën e shtunë menjëherë pas marrjes së kupës dhe më tej, të martën në mbrëmje është bërë një festë e madhe në Linzë, ku kanë qenë të pranishëm Presidenti i vendit Bamir Topi, politikanë dhe sportdashës si Dashamir Shehi, Ekrem Spahia, Ruzhdi Keçi, Eduard Shalsi, Reshat Arbana, etj.


Ridi, dy gëzime në një ditë
Ndërsa në datën 23 maj festonte fitoren e ekipit të Tiranës, Rid Halilin e ka gjetur duke kënduar mëngjesi i datës 24, që ishte edhe dita e lindjes së djalit të tij, Grendi. Aq ka mjaftuar që vëmendja të zhvendosej më tej tek urimet që shkonin për ditëlindjen e djalit të Ridit. Në fakt Ridi, donatori i Tiranës është shfaqur së bashku me djalin e tij edhe në fushën e blertë, pak çaste pas fitores së Tiranës.


“Tirana”, vizitë në vilën e Topit
I veshur sportiv, larg çdo protokolli zyrtar, Presidenti Bamir Topi ka pritur në oborrin e vilës së tij ekipin e Tiranës. Së bashku me bashkëshorten Teuta, Topi ka takuar, inkurajuar dhe falenderuar sportistët, donatorin e “Tiranës”, Rid Halilin dhe gjithë stafin që i çoi drejt fitimit të kampionatit. Ky moment është fokusuar edhe në këtë foto që ua servirim…

Në finalen e Champions ka edhe ngjyra shqiptare
Festa e ngritjes së trofeut të Champions League këtë herë ka patur ndoshta më shumë se kurrë ngjyra shqiptare. Në podiumin special të organizuar nga italianët në stadiumin “Olimpico” të Romës, krah gjithë liderve botërorë nuk mungon as çifti presidencial i Shqipërisë, Bamir dhe Teuta Topi. Madje, Zonja e Parë duket më e entuziazmuar se vetë Presidenti i Republikës që Barcelona ka fituar trofeun. Ajo ka nxjerrë edhe një aparat dhe ka fotografuar këtë çast që nuk përsëritet shpesh në jetë. Presidenti Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta, ishin në Romë me një ftesë speciale të kreut të UEFA-s Mishel Platini, në vizitën që ai bëri në muajin nëntor në Tiranë. Në tribunën VIP të “Olimpico” ndodheshin disa nga liderët kryesorë të botës, si Mbreti Huan Karlos i Spanjës, kryeministri Gordon Braun i Anglisë, ai i Spanjës Hoze Luis Rodrigez Zapatero apo edhe Silvio Berluskoni i Italisë. Po kështu, të pranishëm ishin edhe krerët më të lartë të futbollit botëror, duke nisur nga presidenti i FIFA-s Sep Blater apo ai i UEFA-s Mishel Platini.

Te Tirana së bashku, por më në fund edhe kampionë
Vetëm 9 muaj pasi lanë Partizanin, kanë arritur të fitojnë titullin e parë kampion. Për Devollin dhe Muzakën ka ardhur më në fund edhe një trofe pas vitesh të shumta të mbushur me vende të dyta. “Kishte disa që titulli iu duk sikur bënindashuri për herë të parë, por unë i kam ngritur disa kupa”, tha kapiteni Devi Muka. E në fakt, për Devollin dhe Muzakën ka qenë pikërisht kështu. Të dy janë shumë të njohur në kampionatin shqiptar, por ky ishte vetëm titulli i parë kampion.


Presidenti takon një ‘Ultras”
Mes ekipit të futbollistëve të Tiranës, ja dhe Alban Berisha , një nga personazhet më të njohur të tifozëve “Ultras”, që ka  ndarë emocionet dhe gëzimin e fitores së kampionatit. Albani është kapur duke takuar Presidentin Topi, në hyrje të rezidencës së tij.
Tifozët VIP-a  në festën e Tiranës


Sportdashësi Reshat Arbana
Mjaft sportdashës kanë qenë në festën e madhe të “Tiranës”. Mes tyre edhe një nga aktorët më të njohur në vend, siç është Reshat Arbana, ka festuar këtë fitore.


Çim Hajdari, në festën e Tiranës
Ja dhe prokurori Çim Hajdari, në festën e “Tiranës” në Linzë. E ndërsa të tjerët e kanë mendjen tek muzika, Çimin nuk e lë rehat telefoni. Me siguri duhet të jetë ndonjë çështje e rëndësishme që nuk e lë as të festojë…


Presidenti pret miqtë
Në hyrje të rezidencës së tij, Presidenti Bamir Topi ka pritur miqtë e sportit dhe ja në këtë foto duke takuar avokatin e njohur Riza Icka, njëherazi anëtar i Kryesisë së Tiranës.


Rid Halili, fans i “Tirona Fanatics”
Donatori i Sport-Klub Tiranës, Rid Halili është edhe një fans i “Tirona Fanatics”. Fotoja që shihni, e dëshmon më së miri këtë, ku ndërsa këndon një këngë, Halili mban në qafë pikërisht shallin e tifozëve të Tiranës.


Miqtë e sportit
Të entuziazmuar nga fitorja e cila i ka mbledhur të gjithë bashkë, prefekti i Tiranës, Rruzhdi Keçi, trajneri i “Tiranës”, Alban Tafaj, Presidenti Bamir Topi, donatori, Refik Halili e Riza Icka, me kupën e kampionatit para, kanë shënuar në këtë foto kujtimin e bukur të një nate të veçantë si ajo e 23 Majit.

Të gjithë e duan kupën
Mirë Erl Murati (zëvendëskryeredaktor i GSH) që është një nga tifozët më të flaktë të Tiranës dhe themelues i “Tirona Fanatics” dhe feston me Rid Halilin, po Tedi Blushi çne? Mesa dimë ai bën tifo për Skënderbeun. Vallë e ka tradhtuar, tani që ai u ngjit në Superligë?!


Bashkia mungon në fushë, por jo në festë
Asnjë përfaqësues i Bashkisë së Tiranës nuk ka  qenë prezent gjatë ndeshjes së ditës së shtunë, ku “Tirana” u shpall kampione. Por nënkryetari i saj, Eduard Shalsi nuk ka munguar në festën e fitores, ku siç e shohim, është duke uruar donatorin Halili së bashku me Presidentin Topi, zv/ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ekrem Spahia.

Presidenti, mes femrave volejbolliste
Në festën e “Tiranës” kanë qenë të ftuara edhe volejbollistet e Tiranës, të cilat në një moment Presidenti Topi i ka “rrëmbyer” për të bërë një foto me to.

Ky shkrim u botua më 30 maj 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.