MILOSAO

Korrespondenca e panjohur e Mitrush Kutelit me Aleks Budën

09:31 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dhimitër Pasko – Mitrush Kuteli (1907-1967) nuk jetoi edhe më gjatë. Tronditja që pësoi me persekutimin e sekuestrimin e dorëshkrimeve të veta nga regjimi i pushtetit monist, që në vitet e para të vendosjes së tij, e rëndoi. Kujtoj kur unë fare e re, së bashku me tim atë, Aleks Budën, jam ndodhur në një takim në rrugë me shokun  e tij të hershëm, Dhimitrin, pasi kishte dalë nga burgu. Dhimitri tregoi për shqetësimet e tij shëndetësore, sidomos për zemrën që e kishte të cfilitur, duke nxjerrë nga xhepi i vogël të xhaketës dy trinitrina që i mbante vazhdimisht me vete. Por më shqetësuese se kjo gjendje e shëndetit të përkeqësuar ishin shqetësimet për dorëshkrimet që i mungonin. Nëse nuk gaboj bëhej fjalë për rreth 200 faqe të sekuestruara nga një hetues, person me gradë ushtarake, që ishte marrë me çështjen e tij në paraburgim. Ishin dorëshkrime që duheshin gjetur dhe që s’u gjetën më. Ato kishin dalë nga Ministria e Brendshme. Kaq kishin qenë njohuritë e Aleksit në atë kohë edhe më vonë kur mësoi se më kishte rënë në dorë për redaktim libri i Mitrush Kutelit: “Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983). Një vepër postume e autorit, e përgatitur nën kujdesin e përkorë të të bijave, për të cilën im atë duke e ndjerë si një detyrë nderi e vlerësimi për mikun e vjetër, i kërkoi drejtorisë së Shtëpisë Botuese, t’i bënte parathënien, kërkesë që nuk u pranua. Ruhen ende shënimet përgatitore të Aleksit për veprën!
Mitrush Kuteli dallohet për një aktivitet të pasur botimesh origjinale me vlera të shënuara artistike si ai që arriti në mbarim të Luftës II Botërore, ndonëse vazhdoi të shkruante edhe më vonë, por në një klimë të pafavorshme. Me prozën e tij tregimtare, me frymëzim genuin poetik të rrallë e gjuhë të pasur, të mbështetura fort në truallin shqiptar, përshkuar nga ndjenjat e thella të lartësimit të kombësisë si fuqi krijuese e kulturës njerëzore e kombëtare në veçanti, veti që e kanë karakterizuar krijimtarinë e tij, Kuteli është një nga themeluesit e prozës  moderne shqiptare. Nëntë letra, të shkruara prej Mitrushit, dërguar Aleks Budës, të ruajtura në arkivin e këtij të fundit, i përkasin pikërisht kësaj periudhe të dendur botimi. Nga letrat, vetëm dy janë të vitit 1936, të tjerat i përkasin vitit 1944. Për hir të së vërtetës duhet pohuar se ato janë ruajtur shumë më mirë se korrespondencat e Aleksit me Lasgushin, Çabejn, Arshi Pipën etj., pjesërisht të dëmtuara prej rrethanash vendore.
Së bashku “me urimet më të përzemërta për një vit më të kthjelltë” (më 4 janar 1944), Mitrushi do t’i shkruante Leks Budës: “Nuk munda të vi në Elbasan nga shkaku i rrethanave, nga se një kohë të gjatë kam qenë i robëruar prej punës në lidhje me disa tratativa prozaike shqiptaro gjermane për një konventë ekonomike… Po të dërgoj librën e rrëfimeve, librën e vjershave të Nolit pakëz më von, se nuk është lidhur”… Dhe po aty: “Kam nënë shtyp 1. Shënime letrare 2. Netë shqipëtare (bot. II). Kam gati për shtyp 1. Këngë e brithma nga qyteti i djegur (folklor i mbledhur në Pogradec). Në pregatitje 1. Një vëllim rrëfenjash e rrëfimesh (i mbaruar afro 50%). 2. Një edicion të veprës së Migjenit (vjersha e prozë). Nëpër ret’ e kokës 1. Çajupin 2. Një vëllim me…vjersha (Poem kosovar, Shëndaumi e disa të tjera inedite)…E këndove Poemin kosovar edhe Letrën e Shëndaumit? Janë të shkuara nëpër shpirt. Jep-më mendimet e tua mbi rrëfimet, haptazi, si shok.” Sa shumë plane dhe të realizuara, po të realizuara mjeshtërisht. Një seleksionuese e pashmangshme dhe e pamëshirshme si koha i ka çmuar lart, ashtu siç ndodh me vepra artistike përfaqësuese në thesarin kombëtar edhe kur u përkasin periudhave kohore e brezave të tjerë.
Jam e mendimi se jo vetëm rrethana lidhjesh fisnore me familjen e Paskove, (kushërira e parë e Aleksit ishte martuar aty), e as vetëm adhurimi për qytetin romantik të Pogradecit të hyjnizuar prej bijve të tij të shquar në veprat e tyre, nuk do të kishin krijuar marrëdhënie të tilla besimi e mirëkuptimi si ato që shprehen në këtë korrespondencë. Në letrën që Mitrushi i ka dërguar Aleksit  në Vjenë (6 tetor 1936) shkruante:
“Mik i dashur,
Të dërgoj të fala miqësore  nga Bukureshti im vjeshtak ku arrijta përpara disa ditë. Këtu më fort se në Poradec, e ndje nostalgjinë e djellit të ëmbël të Shqipërisë së Mesme, i cili më pat mbushur plot shpirtin në muajin e kaluar. Me këtë mall po filloj punën…duke u menduar për t’u këthyerë prapë e për të vepëruar në fushat e gjëra të vendit lindor, ku lipset krijuar një botë e tërë. E kam, i dashur Leks, edhe të gjallë ushëtimën e bisedimeve t’ona përmi revistën letrare dhe sociale (“Veprimi” ose si do të quhet) të cilën e ke projektuar t’a nxjerrësh në Shqipëri ti dhe miqtë e tjerë të gjith atij mendimi”1. Të uroj edhe që prej së largu sukses të plotë dhe pres ftesën për bashkëpunim në numrin e parë.
Përpara disa ditë të dërgova disa libra nga të mijat, të cilat nuk munda t’i jap kur gjendesha në Shqipëri. Së shpejti do të të dërgoj edhe disa të tjera. Mos harro, të lutem, të më shkruash kur të nisesh për në Shqipëri. Me të fala të këthjellta, Dhimitri  P. Pasko”
Është ajo afëri shpirtërore njerëzish, me mendime e qëllime të ngjashme në radhë të parë,  që do ta bënte të pëlqyer edhe shtëpinë e Budave në Elbasan, ku venin për të kaluar disa ditë, sipas rastit, Lasgushi, Mitrushi, Tashkot, Cancoja i librarisë, Qemal Butka, Skënder Luarasi, Inxh. Lufi etj. Shpesh në një atmosferë bisedash e diskutimesh letraro-filozofike, që ata vetë e patën vlerësuar si vendin ku “Les grands esprit se rencontrent”2.
Në letrën dërguar Leks Budës nga Bukureshti, (më 4 Nëntor 1936)  Mitrush Kuteli bën një rezyme të aktivitetit të tij studimor në kryeqytetin e Rumanisë, ku kreu studimet e larta, duke komentuar një “shkrim studentije” që më së pari e botoi në një gazetë të atjeshme,  pastaj  hartimin e “një pjese libre për Bankat bujqësore të Ballkanit”- “fryt i një mendimi më të pjekur” dhe më tej kumton se është duke e dërguar në shtyp librin  për “doktrinarin më të famëshmë të nacjonalizmit dhe antisemitizmit në Rumani”, Z. A. K. Kuza, profesor në Universitet dhe antar i Akademisë rumune. Interesant është fakti se edhe larg Shqipërisë edhe se merrej me probleme që lidheshin me çështje ekonomike, të specialitetit që studion, ai ka qenë në korrent të vazhdueshëm me jetën letrare dhe publicistike shqiptare. Përgatitej me seriozitetin që e karakterizonte, siç duket edhe në këto shkrime, nga kërkesat që i vë vetes, për të qenë edhe pjesëmarrës aktiv në letërsinë shqipe: “dëshiroj të përgatit e të vë në shtyp një librë të cilën do ta quaj “NETË SHQIPTARE”, ku do të përmbledh disa nga rrëfenjat që kam bërë kur isha më i ri”. Citojmë vetëm fillimin e letrës, ku vërehet se çështjet që lidhen me Shqipërinë janë në rend të parë, në faqen e parë dhe më tej ato që u përkasin detyrave të tij të domosdoshme, të ditës, në Bukuresht, siç i përmendëm më lart.
***
“I dashur shok,
Këto ditët e fundit e mora letrën t’ënde dhe të falënderoj për lajmet e reja që më jep nga Shqipëria. Revistën e Brankos nuk e kam marrë ende…Me gjith se po shpreh një mendim të  nxituar, sepse nuk e kam lëçitur, me gjith këto dyke njojtur pak a shumë Brankon pas disa shkrime të vjetër më duket se revista e tij nuk është ajo që i duhet kombit shqiptar. Herën e parë Brankoja nuk e njeh as shqipen as shqipëtarin. Të flas për shqipen e vërtetë dhe shqipëtarin e vërtetë. Shqipja e vërtetë është gjuha e folklorit  – e këngëvet, e përrallavet, e legjendavet- të cilat nuk lëçiten as nuk mësohen po dëgjohen pranë vatrës, ndjehen prej shpirtit, bëhen element…Këtë element nuk e ka Merxhani. Pastaj, shqipëtari i vërtetë, krijesë e shekujve dhe e tokës që banon, nuk është vetëm katundari i parë në tregun e Tiranës, po një tjatër njeri: ay që përshkruan këngëtori popullor, ay që jeton në katundet e pashkelura prej Brankos. Dyke mos e njojtur këtë njeri, në kompleksin e tij jetor, Brankoja nuk munt  t’i shërojë plagët. Sepse shërimi lyp, herën e parë, njojtjen  e konstitucionit, shumë herë në mënyrë historike, lyp pastaj diagnostikimin e të sëmurit e kështu më tej. Ç’ bën Brankoja? Lëçit një librë, dy libra, njëzet libra theorike përmbi socjollogji dhe kërkon t’ ja aplikojë jetës shqipëtare. Po libra e shkrojtur prej një gjermani ose prej një francezi, qoftë edhe profesor universiteti, nuk i përshtatet fort realiteteve shoqërore shqiptare, të cilat janë rezultat i një evolucjoni të gjatë…Fatkeqërisht Brankoja punon me kallëpe, si shtrati i Prokrustit…
Po, unë jam i mendimit t’a lemë Brankon në rrugën e abstrakcjonevet. Sa për ne, ne nuk kemi tjatër udhë përveç se udhën e realitetevet. Shkenca do na shërbejë si methudhë për të njojtur këto relitete. Qysh? Si pas fjalëve të Lasgushit “me yll në ballë e me zjarr në gji”, domethënë: me dritën e shkencës e me zjarrin, me dashurinë e shpirtit. E pres me brohoritje këtë ditë, të cilën ti me shokët e tjerë po përpiqi t’a sillni…”.
Mbaj mend nga im atë, Aleksi, se në diskutimet e tyre, Mitrushit i pëlqente shumë mendimi i De Saussure se  fjalët kanë vlerë si kartëmonedhat. Se të jesh pronar i një fjale do të thotë të kesh besim që ajo e transmeton drejt kuptimin e vet në procesin e komunikimit me gojë ose me shkrim. Nga një letër e M. Kutelit që në krye mban shenjat “Banka Kombëtare e Shqipërisë – Zyra e Konsulentit teknik” (Tiranë, 8 Janar 1944) shkëpusim një pjesë që lidhet me ndjeshmërinë e skrupulozitetin karakteristik të shkrimtarit:
“I dashur Leks,
Të faleminderit fort për kujdesinë që tregon për librat e mija. Unë nuk të pata dhënë hollësira mbi konditat e shitjes, mbasi këto janë të dorës së dytë dhe i le në vendimin t‘ënd të plotë3…Pres të më dërgosh edhe gjykimin tënd objektiv, pa kontingjenca miqësije, mbi përmbajtjen e tyre.
E di unë vetë se jam tepër lokalist, aqë nga përmbajtja e themave sa edhe nga gjuha, po
ç ‘të bëj, s‘kam se qysh të shpëtoj nga vetë vetja, e cila është, si e di ti vetë, prej natyre subjektive, e mbase tepër subjektive.
Si do qoftë njerëzit që hyjnë e dalin në rrëfimet nuk janë krijuar ex- nihilo, po të marrë nga jeta e gjallë me ndryshimet që i impozon arti për shdukjen e trajtave brute, pra të parë pak si lark.
Do të lutesha përsëri (a ma fal këtë?) për përkthimin4 gjermanisht që pate filluar dhe për të cilin në qoftë se nuk gjen në dy librat lëndë të plotë mund të të jap disa dorëshkrime nga volumi i tretë që kam në përgatitje dhe i cili gjer tani s‘ka embër. Po për këtë e shumë të tjera,- që nga nevoja për konsultimin e disa librave rumanisht të bibliotekës së atyshme e gjer ne shqyrtimi i do -një gur varri për plotësimin e koleksionit tim makabr,- dhe përmbi të gjitha: për të shkëmbyer së bashku disa mendime e gjykime dua të vij një ditë në Elbasan, ku dhe detyra që kam pranë Bankës më kërkon këtë.
Me dashuri
Yti
Firma – M. Kuteli
Mos harro t‘i japësh shumë të fala Zonjës.
Si të duket një bashkëpunim në revistën “Jeta Kristiane” me disa çështje të një  qëndrimi të një niveli më të lartë? Unë fillova të shkruaj gjësend në numrin e kaluar edhe në këtë të ardhmen në lidhje me folklorin pogradecar mi këngët e Pashkëve, të cilat nuk janë asfare të shëmtuara as nga trajta as nga përmbajtja. Edhe mi këtë çështje duhet të bisedojmë”.
Me sa duket Dhimitri ka qëndruar fare pak në Elbasan, se pas një muaji (letër e dt. 24 shkurt 1944) ai shkruante:
“Bëra keq se nuk qëndrova aty atë natë (si tha edhe Qemali) po bëra edhe mirë nga shkaku i insomnisë. Këtë ti mund ta gjykosh nga shpejtësia qysh t`i kthe librat (pjesërisht e krijuar nga dëshira për të shkuar nëpër duar, të gjitha në një kohë…këto libra-miq të vjetër).
Harrova të marr dje atë numrin e Përpjekjes së fundit. Mbetet për tjatër herë…
Nuk di kur do të kthehem në ‘“Qytetin e filologëve” (Kristoforidhi, Xhuvani, Koleja, Nosi, Buda..—a ka më?5 Po do kthehem. Në mos u sëmurça nga morbi i fjalorëve –as që mund se nuk jam tip logjik—gjith kam për të kopijuar do një shkrim nga gurrat e varreve, qofshin turq, qofshin kaurë…Unë mbrëmë edhe sot në mëngjes shkova nëpër duar disa numra të Përpjekjes edhe të Illyrisë duke prerë me gërshërë shkrimet e Vangjel Koçës, nga të cilat dëshiroj të zgjedh gjësend për rishtypje. Më vjen keq se prishet koleksioni, po ndryshe qysh të bëj?…”
Është vënë në dukje nga kritika letrare se si në një situatë aktuale të trazuar, gjatë Luftës II Botërore, lëvizja letrare në Shqipëri u gjallërua. Një reaksion kundrejt gjendjes së amullt në kondita pushtimi, apo denduri krijimesh si pasojë e heshtjes që kishte karakterizuar shtypin shqiptar pas pushtimit fashist italian? Cilado qoftë arsyeja që e shpjegojnë teoricienët e letërsisë është fakt, siç duket edhe nga kjo korrespondencë, ku pothuajse nuk është përmendur lufta, se arti dhe letërsia kanë ligjet e tyre të veçanta. Në letrën e dt. 5 mars 1944 Mitrushi do të shkruante:
“Si t’u duk numri 2 i Revistës Letrare?
A do mundësh të na japësh edhe ti gjësend (me emër a pa emër)? Bie fjala gjësend nga ato “ballkanizmat”6e tua?…E pe “Frymën”? Pak si e rëndë më duket. Recenzioni7që doli sot mbi “Ago Jakupin”është shkrimi i fundit i një mësuesi- të cilin unë s’e pata njojtur- ky Dode vdiq papritur në Berat. Premtonte të dalë një analist i mirë, thellonjës i problemave letrare!? edhe shoqërore.
Observacionet e tija janë me vënt e me mënt. Për fat të keq djaloshi s’është më…”
Letrat që pasojnë janë më të shkurtra (një faqe formati të zakonshëm), të shkruara si edhe të  tjerat, kryesisht me makinën daktilografike personale dhe rrallëherë me dorë. Një muaj më vonë (dt. 4 prill 1944) një letër falënderimi e Mitrushit dërguar Leks Budës, për çekun e librave të para që ky i kish dërguar nga Elbasani si dhe për librat e huazuara nga Biblioteka e Aleksit dhe e Elbasanit. Me dëshirën e përsëritur “të vij aty për disa ditë në këtë prenverë që vjen e s’vjen dot (të paktën kështu duket në Tiranë). Nuk di kur do mund. Më mirë për të thënë: nuk di kur do të mund të shkëputem nga kjo prozë e Tiranës ku zhgryhem ditë e natë…Po të dërgoj këtu librën time të re “SULM E LOTË”, të cilën do ta ve në librari këto ditë…
Shënim: Shpresoj se do të nxjerr së shpejti vollumin “Shënime letrare” që e kam vënë në shtyp, sikundër se e di, që në nëntorin e kaluar. Për vollumin që kam gati për shtyp “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” po përpiqem e s’gje dot shtypshkronjën. Po na mbyt monopoli i tregtarëve të kartës edhe i tregtarëve të mellanit.”
Pothuajse në të gjithë këtë korrespondencë ndihet si një jehonë e trishtuar shqetësimi i vazhdueshëm i Mitrushit për sigurimin e letrës dhe të hollave për pagesën e shtypshkronjave ku i duhej të botonte librat (“Hej Shqipëri, hej”, “Ah, sikur të kishim një shtypshkronjë!” ). Fakt është se të gjitha veprat e Mitrush Kutelit të botuara në këtë periudhë, të ruajtura8 edhe sot në perlat e pakta të ish-bibliotekës së Aleksit, janë fare modeste nga paraqitja. Më se domethënës është paraqitja e librit të fundit të këtij vargu: “Dashuria e barbarit Artan dhe e të bukurës Galatea” (‘1946) që ka dalë nga shtypi i pambaruar. Pranëvënë është me “daktiloshkrim” përfundimi i tregimit të fundit që mbyll fashikujt e shtypshkronjës të qepura me dorë. Tregim, i cili do të jetë temë e një shkrimi tjetër për Mitrush Kutelin. Por ka ardhur koha të themi ne: Ah, sikur të rronte Mitrushi të gjente të plotësuar ëndrrën e tij! Veprën e plotë të përgatitur me dashurinë  e madhe që  ia kthejnë të  bijtë, “rebelët” e tij,  së  bashku me mirënjohjen e shprehur prej atyre që  ndihmuan botimin e saj. Duke arritur të  realizojnë  botime  të  shkëlqyera nga të  gjitha drejtimet në  shtypshkronjën me emrin domethënës Grand prind.
Dr. Shk. Tatjana Haxhimihali

Shënime
1-Ka qenë  një  ide e Aleks Budës, Skënder Luarasit dhe Arshi Pipës për të  botuar së  bashku një  revistë  letraro-artistike. Ideja realizohet vetëm në  vitin 1945 kur del e përmuajshmja kulturore “Bota e Re” me redaksinë  e përbërë  nga  A. Buda, N. Hakiu, M. Kuteli, S. Luarasi, Sh. Musaraj, A. Pipa, Z. Sako, Dh. Shuteriqi, S. Toto, A. Varfi.
2 Shpirtrat e mëdhenj takohen.
3 Të  dy miqtë  ishin marrë  vesh  që shpërndarjen e librave të  Mitrushit në  Elbasan ta bënte një  librashitës, punën e te cilit e ndiqte Aleksi.
4 Aleksi pati përgatitur përkthimin në  gjermanisht të disa tregimeve të  M. Kutelit për prof. Valjavecin, i cili është marrë me çështje  të albanologjisë në Institutin  e Evropës Juglindore në Gjermani në  fillim të  Luftës II Botërore.
5 Ky mendim është  shprehur edhe në M. Kuteli: “Shënime letrare”, Sht. Bot. “Grand Prind”, T.  2007, (“Gjeografia letrare”) fq.423.
6 Kanë  qenë  skedarë  me skeda të  mbledhura nga letërsia dhe folklori ballkanik ku evidentoheshin  fjalë  të  shqipes në  konkordancë  me gjuhët ballkanike, që  do të  shërbenin për përgatitjen e një  teme, e cila  do t’i jepte  Aleksit vendin e lektorit të  shqipes pranë  Prof. C.Tagliavinit në  Universitetin e Padovës, por që  u ndërpre për shkak të  luftës.
7 Mendim i shprehur edhe në  “Shënime letrare”, Sht. Bot. “Grand Prind”, T. 2007, (Ago Jakupi), fq. 471.
8 Në secilin libër është shkruar me kaligrafi dedikimi: “Leksit – me dashuri – m. Kuteli”, vetëm njëri (“Këngë e britma nga qyteti i djegur”) ka shënimin: “Leksit me dashuri – këto duaj lulesh mali”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.