MILOSAO

“Numri zero”, si ironi dhe trandje për gazetarinë

09:35 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben ANDONI




Ankthi i përgatitjes së një periodiku të përditshëm ka ngulfatur një nukël njerëzish, që nuk kanë aq shumë lidhje me gazetarinë. Doktor Kolona, personazhi që prezantohet nga bosi i tij, si njeri me përvojë të madhe në gazetari duhet të mbulojë gabimet e kolegëve por edhe vështirësitë e stilit dhe ndikimet e tyre deri më tani. Ngjarjet zhvillohen në një redaksi mediatike e cila përgatitet të nxjerrë një numër (Numrin zero), që nuk do ta shohë kurrë dritën e botimit. Në formën e një ditari paraqitet aksioni, që narratori i veprës e rrëfen në vetën e parë me shumë kujdes brenda diagramës jetësore të personazhit. Romani i afrohet shumë kohës sonë, më mirë të themi epokës ku jetojmë, pasi në vendin fqinj (Itali) rrotullohen ngjarje tragjike siç janë vrasja e gjykatësit Falkone, momenti kur po vjen lulëzimi i Antonio di Petros dhe shumë tollovi të tjera. “Nesër” siç do të njihet organi mediatik dhe që duhet të bjerë me patjetër në sy duhet të përshtatë sa më mirë hamendësimet, që të mbijetojë sipas organizatorëve të saj, por duhet të përdorë paq edhe shantazhin dhe shumë gjëra të tjera. Në një farë mënyrë i ngjan një trilli virtual mediatik, që pjell vetëm gënjeshtra.
Autori me stilin e tij të jashtëzakonshëm e ka mbajtur me kadencën e duhur ritmin dhe për të gjetur detajin që do të grishë për linjën e veprës së vet. Ledia duhet përgëzuar që e ka mbajtur më së miri këtë temp me një shqipe të kuruar. Vetë autori, kohën bazike letrare në këtë libër e mban me përgatitjen e numrit dhe tollovinë e njerëzve të saj, që e presin këtë botim. Për ata që janë brenda botës së medias ky roman është shumë i afërt, por edhe tregon një pjesë të hapësirës që na rrethon të gjithëve.


“DITURIA” në zgjedhjet e saj fine të viteve të fundit duhet vlerësuar që na e dha këtë botim, që ka disa kohë që është për publikun shqiptar.
Po çdo të bëjë vallë i ashtuquajturi numri zero? Për pronarin ai duhet të trandë dhe fillimisht duhet të ç’tensionojë atë që vjen mes parisë dhe atyre që do duhet të përcjellin lajmin.
Në këtë institucion të ri, por që në thelb është çdo organ mediatik i kohës ku po jetojmë përgatitet shantazhi dhe gjithçka duhet që ta bëjë sa më të kënaqur pronarin. Teoritë e konspiracionit, që e rrethojnë Italinë dhe fantazinë e sëmurë të shumë personazheve (lexo shumicën e njerëzve tanë), ndërthuren dhe japin atë që duhet të mbahet sa më qartë në qendër të medias.
Redaktori Bragadaço, që autori shpesh e përdor si kundrapeshë të qëndrimeve të veta, jep vazhdimisht idera që e tejkalojnë mendjen e zakonshme duke dhuruar zgjidhje nga më të habitshmet, pasi në fantazinë e tij përfshin rëndom rusët, shërbimet sekrete, patjetër Andreotin e me radhë politikanët e kohës dhe mbi të gjitha Musolinin. Këtë të fundit e has kudo. Arketipi i këtij gazetari përbën një personazh tipik të mediave provinciale që kërkojnë me fantazinë e tyre të çmeritur të tërheqin dhe të tjerët në një vale të frikshme.
Në një farë mënyre ky libër është edhe një traktat kundër gazetarisë së keqe, që autori e mbulon me gjuhën e romanit, ku për t’i dhënë liri stilit përzien me të gjithë detajet e informacionit duke përfshirë horoskopin, nekrologjitë dhe parashikimin e motit (jo vetëm atmosferik: “Çështja e celularëve nuk mund të zgjasë”, shkruan një gazetar i viteve ’90). Edhe pse historia e paraqitur në libër është një histori që i qëndron disi larg në dukje Shqipërisë, botimi afrohet shumë në perceptim me kaosin tonë mediatik, pasi shpalos të vërteta universale. “Gazetat i mësojnë njerëzit sesi duhet të mendojnë”.


Dhe kjo është edhe më interesante ende: “A duhet të flasim patjetër gjithnjë për profesionalizëm?-ndërhyri Maja. Këtu që të gjithë punojnë me profesionalizëm. Natyrisht, një kryemjeshtër që ngre një mur që nuk bie, do të thotë se ka punuar me profesionalizëm. Por atëherë profesionalizmi duhet të jetë pikërisht rregulli. Ndaj duhet të flasim vetëm për kryemjeshtrin faqezi, muri i të cilit bie….”. “Pikërisht,-thashë unë duke e marrë sërish fjalën,-lexuesit mendojnë sesi rregull njerëzit punojnë shkel e shko dhe ne duhet të nxjerrim rastet e profesionalizmit, është një mënyrë më teknike për të thënë se gjithçka shoi si duhet…”.
Libri e përzien këndshëm sarkazmën, stigmën dhe paradoksin, që është aq i zakonshëm në veprën e tij, me një ligjërim gati linear. Por ne duhet të bëjmë atë që bën një lexues për të perceptuar atë që imagjinata shkon me të vërtetën dhe autori të shoqëron edhe vetë që ti ta kuptosh sa më mirë. “Asgjë nuk mund të na tronditë më në këtë vend. Në fund të fundit, kemi parë pushtimet barbare, grabitjen e Romës, masakrën e Seniglias”, e mbyll diku. Në fakt autori e mbyll shumë mirë me një dashuri, me anë të cilës na fut në rrjedhë normale të jetës sonë të zakonshme. “Jeta është e durueshme, mjafton që të jesh i kënaqur”, na thotë autori ardhur me një punë të mirë të Ledia Dushit e sprovuar edhe në një përkthim tjetër nga Eco. Ky i fundit ardhur gati me të gjithë korpusin e tij, falë “Diturisë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.