AKTUALITET

Policia: Ku po hetojmë pas helmimit të 140 qytetarëve në mitingun e PD, ja me sa burg dënohen shkelësit

11:06 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Policia e Tiranës ka njoftuar që ka nisur hetimet pas incidentit të ndodhur të shtunën mbrëma në mitingun e PD-së, ku sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, janë 140 persona që kanë shfaqur simptoma të helmimit, nga shkaqe deri më tani ende të paidenfitikuara. Po punohet për gjetjen e shkakut dhe autorëve, pas regjistrimit të procedimit për veprën penale parashikuar nga Neni 201 i Kodit Penal, ndotja e ajrit. Po çfarë parashikon neni 201? Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

 NJOFTIMI I POLICISË

“Më datë 27.05.2017, nga ora 19:00, deri në orën 20:30, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, ka filluar aktivitetin elektoral të “Zgjedhjeve Parlamentare 2017″, rreth dy orë pas mbarimit të aktivitetit, disa pjesëmarrës kanë pasur skuqje të syve, fytyrës dhe qafës, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në spitalin Francez pranë Q.S.U.T., janë larguar për në banesë.

Punohet për përcaktimin e shkakut të ndotjes së ajrit dhe identifikimin e kapjen e autorëve përgjegjës. Parashikuar nga Neni 201 i Kodit Penal”.

DYSHIMET

Paraprakisht dyshohet se mund të ketë qenë ndonjë lloj substance kimike e shpërndarë në ajër ajo që ka sjellë helmimin e disa prej pjesëmarrësve në miting. Fakti që shenja helmimi ka shfaqur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sipas burimeve tregon se lënda e dyshimtë mund të jetë hedhur pranë podiumit e më pas është shpërndarë në ajër. Një mundësi është që substanca kimike mund të ketë qenë në ndonjë prej tullumbaceve të hedhura gjatë mitingut, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë hedhur nga ndonjë person që është përfshirë mes njerëzve që merrnin pjesë aty.

Por derisa të dalë një ekspertizë përfundimtare nga analiza që u është bërë pacientëve dhe ekzaminimi i rrobave të tyre, nuk mund të përcaktohet një shkak i saktë apo substanca konkrete e përdorur. Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, edhe pse nuk bëhet ende e ditur se për çfarë vepre penale janë referuar materialet e Policisë. Megjithatë, burimet thanë se nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë akti terrorist, nisur edhe nga përfshirja e oficerëve të Antiterrorit në hetimin e ngjarjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.