MILOSAO

Tregim / Të kërkosh për asgjë

09:47 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Haifa Al SANOUSI

“Artikulli i parë që shkrove më bëri të ndihesha sikur isha përballë një shkrimtare të madhe” i tha njëri.
“Faleminderit’ tha ajo me një buzëqeshje të madhe në fytyrë.
Ajo ishte shumë e lumtur atë ditë megjithëse nuk kishte planifikuar të ndiqte konferencën sepse kishte dhimbje koke. Një prej kolegëve të saj e kishte nxitur për të marrë pjesë.
‘A mund të na thoni çfarë do të thotë për ju gazeta ‘Al Vatan’?
“Është jeta ime, e gjithë jeta ime” u përgjigj ajo me krenari. “Gazetat janë të pazëvendësueshme për mua; ato janë si ajri që marr frymë; do të vdisja nëse nuk mund të shkruaja artikullin tim të përditshëm” shtoi ajo me entuziazëm.
“Çfarë interesash keni përveç punës?”
“Të lexuarit do të thotë gjithçka për mua. Libri është burimi im për të zbuluar botën përreth. Ai është një mjet për t’ia zgjatur jetën çdo gjëje të vlefshme. Libri është elementi i ruajtjes, përcjelljes së eksperiencës, vëzhgimeve, dhe shprehjeve krijuese në një vlerë të qëndrueshme. Kam qenë e dhënë keq pas librave qëkur isha fëmijë. Kam qejf t’ju dhuroj libra, të njohurve. E kaloj kohën e lirë duke lexuar libra me tematikë të ndryshme. Gjithashtu eci buzë detit tre herë në javë. E ndjej detin si burim të frymëzimit për shumicën e ideve të mia.’
“Po për familjen tuaj, a…”
Ajo e ndërpreu pyetjen që i sillte ankth përpara se ta pyesnin për burrin dhe fëmijët “Pse erdha këtu. E dija se do të ma bënin këtë pyetje” po mendonte ajo.
“Mirë, mendoj se duhet të shkoj tani sepse po bëhet më shumë se një orë intervistë. Ju falënderoj sinqerisht për ftesën në universitet dhe pres me padurim t’ju shoh përsëri në të ardhmen.”
Ajo u përpoq t’i jepte fund takimit me studentët e profesor Faisal që e kishte ftuar atë në këtë takim të hapur me më shumë se njëqind studentë të kursit të gazetarisë.
“Dëshirojmë të falënderojmë znj. Loulha Jassem, gazetare e mirënjohur dhe autore e rubrikës ditore “ Zonë e nxehtë’ të së përditshmes “ Al Vatan”. Shpresojmë se ka mbetur e kënaqur nga ky takim me ne sot”. Profesor Faisal buzëqeshi dhe i bëri shenjë njërit nga studentët që i solli asaj një buqetë të mrekullueshme me lule dhe një student tjetër që i dha një çertifikatë mirënjohje.
Loulha i falënderoi ata përsëri për mikpritjen dhe falënderoi gjithashtu professor Faisal për ftesën. Ndërsa po përgatitej të largohej, studentët u afruan t’i bënin fotografi dhe i kërkuan t‘ju nënshkruante autografe. Sytë e saj nxorën shkëndija nga lumturia dhe entuziazmi për të shkruar në rubrikën e saj për këtë eveniment.
Ajo u largua me nxitim nga salla për të shkuar në ambjentet e gazetës për t’i dorëzuar redaktorit artikullin që ajo e kishte shkruar ditën e mëparshme. Shikoi orën.
“Oh, është ora një tashmë, duhet të shkoj në shtëpi sepse mbesa ime do të vijë për drekë sot. Ajo do të jetë aty brenda disa minutash”
Ajo nxitoi për në shtëpi dhe Liza, shërbëtorja, i dha asaj listën me njerëzit që e kishin telefonuar.
“A thirri mbesa??” pyeti ajo në ankth.
“Jo, mam, nuk mori.” u përgjigj shërbëtorja, “ Kam gatuar gjellë të shijshme dhe sallata do të jetë gati tani”
“Faleminderit Liza. Mos harro të bësh ca lëng të freskët portokalli. E di se Hendi i pëlqen lëngjet e freskëta”
“Po, mam” u përgjigj Liza.
Loulha shkoi në dhomën e gjumit ndërsa ndjente paksa marrje mendsh. Kishte nevojë të çlodhej për disa minuta për ta marrë veten. “Po për familjen tuaj, a…?’ Kjo ishte njëra nga pyetjet që iu duk si një gjemb i ngulur në zemër. Pse duhej domosdo të ishte e martuar!! Pse nuk e kuptonin ata se ajo ishte ende beqare? Ajo ishte afërsisht 45 vjeçe dhe ende beqare. Ky ishte fati i saj dhe ajo s’mund t’i shmangej. Ajo do të donte të ishte martuar dhe shtëpia e saj të ishte plot me fëmijë por ky ishte një mirazh tani; ajo ishte viktimë e destinit të saj.
Ora po shkonte 2 mbasdite dhe nuk dukej shenjë se Hendi po vinte. “Nuk e di pse ajo po vonohet, ajo është e rregullt gjithnjë në orare” mendonte.
Loulha kujtoi artikullin që do të botohej ditën tjetër. Ishte për ndjenjat e brendshme të njerëzve. Ajo kishte pasqyruar edhe ndjenjat e saj të brendshme gjithashtu. Ajo do të donte që dikush të kishte qenë në dijeni të flakës në kraharorin e saj të shkaktuar nga vetmia. Ëndërronte gjithnjë që një burrë do të vinte dhe ta çlironte nga vuajtja.
Solli ndër mend fëmininë e saj dhe vuajtjet e adoleshencës. Ajo nuk mund të harronte kurrë çfarë i kishte ndodhur në të kaluarën. Fati e kishte vënë atë në një botë brengash dhe trishtimi. Nëna e saj kishte vdekur ditën që ajo kishte lindur. Ajo ishte rritur nga njerka që e urrente atë dhe merrej me të si me një vajzë të dorës së dytë. Babai i saj kishte një personalitet të paqëndrueshëm që nuk mund t’i rezistonte ligësisë së gruas së tij. Ai kurrë nuk arriti të mbronte fëmijën e tij.
Ajo ishte larguar nga shtëpia e babait të saj për të shkuar të jetonte me vëllain e saj më të madh Nauaf që ishte dhjetë vjet më i madh. Kjo lëvizje kishte qenë e detyruar pas vdekjes së babait të saj. Nuk ishte shumë e mirëpritur as në banesën e re. Nauaf nuk ishte i kënaqur me këtë gjendje sepse ai e dinte se gruaja e tij nuk e donte Loulhan aty, megjithëse mbesa dhe nipi i saj Hend dhe Helal ishin shumë të gëzuar të kishin dikë që kujdesej dhe kalonte ca kohë me ta. Të dy ishin nën 10 vjeç ndërsa ajo ishte njëzet, në vitin e dytë të kolegjit. Ajo bënte në shtëpi rolin e tezes së dashur dhe të kujdestares për fëmijët e vëllait. Nëna e tyre e kalonte shumicën e kohës jashtë.
Ajo kujtonte skenën e tmerrshme që e detyroi të largohej përsëri nga shtëpia. Ajo ishte viktimë e gruas së vëllait të saj Fatima, që kërkonte me insistim divorc nëse Loulha nuk largohej menjëherë. Ajo ishte xheloze me Loulhan sepse ajo ishte shumë e cekët. Ajo ishte dy me trup dhe një me mendje. Kishte dështuar në shkollë dhe nuk kishte gjetur një punë kështu që bënte me faj Loulhan për kompleksin e saj të inferioritetit, që e kishte tejkaluar për gjithçka.
Loulha kishte ikur nga shtëpia dhe kishte kaluar disa javë me një kushërirën e saj përpara se të lëviste në banesën e vet.  Ishte e detyruar tani të mbështetej në forcat e veta. Ky ishte largimi i dytë që e la atë me plagë në zemër që nuk do të shëroheshin kurrë. Ajo lidhej rrallë me vëllain e saj Nauaf por Hend dhe Helal pyesnin vazhdimisht për të. Helal ishte martuar dhe kishte udhëtuar për të ndjekur studimet në Universitetin e Hauardit ndërsa Hend u diplomua në Institutin tregtar të Kuvajtit dhe punonte në Bankën Kombëtare.
Ora ishte dy e gjysëm dhe Hendi nuk kishte ardhur akoma. Loulha po bëhej merak për të, ‘Ok, ku je Hend? Jam vërtet e shqetësuar?’
Ca minuta më vonë Hendi e mori në telefon,
“Hello teze, më vjen me të vërtetë keq. E di se duhet të të kisha telefonuar por isha shumë e zënë dhe harrova fare. Kërkoj falje”
‘Oh, nuk mund ta besoj që po ta dëgjoj zërin tani. Shyqyr Zotit qenke mirë. Vetëm nxito, jam me të vërtetë e uritur”
“Kam frikë se nuk do të mundem të vij. Nuk kam mbaruar punë akoma. Bosi im thotë se nuk mund të largohemi derisa t’i mbarojmë dosjet kryesore. Më vjen me të vërtetë keq por të premtoj se do të takoj javën tjetër. Kalofsh mirë dhe mirupafshim”
“Mirupafshim Hend, shihemi javën tjetër” Loulha e uli receptorin duke u ndjerë e mërzitur vetëm.
Ajo la dhomën e gjumit dhe shkoi në zyrë ku po shikonte librat e saj, gazetat dhe artikujt por nuk kishte asgjë që ta gjallëronte disi. Po meditonte për hallin e saj, “Kush ka nevojë për mua? Kush mendon për mua? Kam qenë e ndruajtur për të hyrë në lidhje me njeri sepse parandjej që gjithnjë do të më lërë në fund. Ata mendojnë vetëm për veten e tyre. Askush nuk kujdeset për njeri, askush’ po mendonte Loulha.
Ajo preku fytyrën e saj dhe u shikua në pasqyrë në tavolinën e saj të zyrës. ‘Oh, të gjitha rrudhat ulërijnë për moshën time. E kam humbur jetën time duke e kaluar vetëm megjithëse e rrethuar me njerëz. Askush s’e di tragjedinë time. Ajo vuri kokën mbi tavolinë dhe filloi të qajë. E gëlltiti brengën e saj, u kthye në shtëpi dhe kërkoi në çantë për tabletat. “Duhet t’i ndaloj këto” po mendonte.
Një ndjenjë e çuditshme paniku e shtyu të kërkonte një takim me terapistin, ditën tjetër.

Cila është Haifa Al Sanousi
Haifa Al Sanousi është një shkrimtare kuvajtjane. Ka kryer doktoraturën për letërsi moderne arabe dhe kritikë në Universitetin e Gllasgout në Skoci, Mbretëri e Bashkuar. Aktualisht punon si Profesore e Asociuar për gjuhë dhe letërsi arabe në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Kuvajtit. Ka botuar një përmbledhje me tregime të shkurtra në anglisht të titulluar “Gratë në një shtjellë” (Women in a Swirl) dhe dy përmbledhje të tjera në arabisht përkatësisht  “Zhurma” dhe “Ikja e detit”. Ka botuar gjithashtu një libër me proza poetike në anglisht të titulluar “Momenti i heshtjes” (The Moment of Silence). Haifa është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kuvajtit dhe asaj të Mbretërisë së Bashkuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.