MILOSAO

Vendimi

09:48 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Haifa Al SANOUSI




Isha në një gjendje trullosje të vërtetë kur shihja vajzën time të bukur të veshur me fustanin e nusërisë. Sytë m’u mbushëm me lotë. Miqtë e mi dhe të afërmit e pranonin që edhe unë gjithashtu dukesha shumë e bukur atë ditë me fustanin rozë.
“Ti je po aq e bukur sa vajza’ më tha një shoqe e vjetër me një buzëqeshje të shndritshme. ‘Duhet të përqëndrohesh tani në jetën tënde, Sarah” shtoi kushërira ime.
Lulet që porosita për vajzën time dhe burrin e saj mbërritën vonë. Sapo ia treguan Noriyah, vajzës time të vetme, ajo më kërkoi me sytë e saj të zinj të bukur për të më dhënë një falënderim të shpejtë. Ajo ishte xhevahiri i jetës time. Unë kam jetuar vetëm për të, pas humbjes së babait të saj, kur ajo ishte vetëm dymbëdhjetë vjeçe.
Kujtoj natën kur mora lajmin e vdekjes së babai të saj gjatë Luftës së Gjirit. S’mund ta imagjinoja që ai mund të ndahej nga jeta aq papritur. Ne ishim të gjithë të lidhur ngushtë dhe Noriyah e donte atë shumë. Akoma e kujtoj atë ditë kur ajo më kërkonte arsyen pse ai ishte zgjedhur për të vdekur.
Sot në fustanin e saj të martesës, ajo duket si një princeshë. Mund të shoh lumturinë që rrezëllon në sytë e saj. Psherëtiva kur e pashë duke vallëzuar me bashkëshortin e saj. Ajo po na buzëqeshte të dyve. Unë isha e emocionuar dhe e frikësuar gjithashtu kur takova për herë të parë Xhemalin (Jamal), të fejuarin e bijës time. U vura në siklet. Më habiti kur tha që ai e kishte parë atë në universitet dhe që e dashuronte atë. Po fliste për të gjithë kohën dhe s’pushonte së thëni sa vajzë e shkathët dhe e shkëlqyeshme ishte ajo. Ajo është ëndrra ime dhe unë thjesht s’mund të jetoj pa të, po më thoshte ai. E pyeta atë nëse ai kishte pasur më parë një përvojë dashurie me ndonjë vajzë tjetër të cilën ai e mohoi. Nuk e di pse ia bëra atë pyetje por një ndjenjë frike që m’u fanit në zemër më shtyri ta pyesja ashtu. Ajo është fëmija im i vetëm të cilën e dua kaq shumë. Nuk dua ta shoh atë të vuajë një ditë nga martesa e saj. Ajo është vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe. Ka jetuar me mua dhe ka përballuar ashpërsinë e jetës. E di se unë i kam dhënë dashurinë dhe përkujdesjen që s’mund të gjente në vend tjetër.
Fustani i saj i dasmës është i bërë me dantellat më të bukura të bardha që mund të gjenden në dyqane. E kujtoj atë ditë kur më lutej ta lija të vishte një fustan bojë qielli por unë refuzova. E dija se do të dukej si një engjëll me këtë fustan të bardhë të hijshëm.
Mund të shoh sytë e vjehrrës së saj që lëshojnë pak zymtësi pastaj buzëqeshin kur më shohin mua që përqëndrohem tek ajo.
Unë nuk jam aq e lumtur saqe kisha pritur në ditën e saj të martesës por nuk e di pse. Ndoshta sepse do të më mungojë apo mbase është një arsye tjetër që s‘e kap dot pikërisht tani. Në këtë moment arrij ta kuptoj çfarë do të thotë ndjenja e amësisë dhe e dashurisë gjithashtu.
Gëzimi që përshkëndit në sytë e Xhemalit më bën të ndjehem e kënaqur. Mezi marr frymë, kam një shtrëngim në gjoks dhe ndjej një peshë të rëndë që më bën të mos ndihem rehat.
Si në shumicën e dasmave kuvajtjane, ceremonia zyrtare është planifikuar më herët, para dy muajsh. Unë e vonova martesën derisa ajo të përfundonte provimet. Ajo ka qenë me të gjatë dy muajve të fundit pas fejesës por në darkë ka fjetur me mua deri këtë ditë. Tani ajo do të shkojë tek shtëpia e saj e re. Unë e ndjej me të vërtetë që po e humbas atë; e di se do të më vijë për vizitë por nuk do të fle më në një shtëpi me të.


“Ai është shumë i pashëm, shikoje” një zë krrokëllues më ndërpret mendimet. Është nëna e tij. I jap një buzëqeshje të shtirur që nuk më del nga zemra.
“Unë e dua atë mam” zëri i hollë i Noriyah më kishte gërricur veshët një ditë. Ishim ulur në dhomën e ndjenjës dhe po bisedonim me të. I fola për të dhe i thashë që ajo ishte shumë e re për tu martuar por ajo insistonte për të hyrë në portën e martesës. Ishte hera e parë që vajza ime kishte shprehur lirshëm emocionet e saj në atë mënyrë. “Unë e dua atë” kishte thënë ajo. Nuk doja t’ia thyeja zemrën, kujtoja vuajtjet e saj pas vdekjes së babait të saj dhe fjalët më ngecnin në fyt. “A je e sigurtë?” e pyeta. ‘Po, mam, të lutem” kishte qenë përgjigjia e saj. Nuk mund të harroj sytë e saj që po më luteshin të bija dakord dhe unë pranova. Me kapluan emocione të papërshkueshme. Ajo kishte qenë një fëmijë i errësirës, pa një burrë në jetën e saj, kështu që ajo ishte aq e lumtur që dikush kishte rënë në dashuri me të. Unë isha mposhtur nga sytë e saj të bukur. Doja të refuzoja vdekjen e rinisë time pasi u bëra e vé.
Mendimet më bënin të dal nga karakteri si tingulli i një xhami që thyhet duke më shkundur nga kujtimet. Por nuk e di përse ende ndihem në ankth. Dyshoj nëse dikush mund të mposhtë fuqinë e vetmisë time. Të gjithë njerëzit që po ndjekin dasmën më rrethojnë por s’mund të ma heqin këtë vetmi.
‘Oh, do të doja që kjo gjendje të marrë fund” përshpëris ndërsa sytë e mi vërejnë me kujdes për ndonjë njeri që mund të më ketë dëgjuar.
“Ti je shumë e re dhe duhet të martohesh Sara’ më tha një kushërira ime një ditë. ‘Të lutem mos ma përmend më. Noriyah është e gjithë jeta ime dhe nuk dua të sjell një të panjohur në këtë shtëpi. Ky ishte fati im dhe duhet ta pranoj atë” kishte qenë reagimi im i vrullshëm megjithëse i shoqëruar me hidhërim dhe dhimbje.
Isha tridhjetë e dy vjeçe kur më vdiq burri dhe mendja ime ishte e cliruar kur e mora vendimin për të mos u martuar më.
“Bëhu trime” ishte një fjalë e madhe e mbushur me emocione të ngrohta, e thënë nga babai im që më kuptonte shumë mirë. Përpiqesha të tregohesha kurajoze në fytyrë për të mbuluar trishtimin dhe dobësinë sepse nuk doja t’ia thyeja zemrën. Jam i sigurtë se ai i kuptonte ndjenjat e mia megjithëse ai ishte një burrë i moshuar i verbër që e donte familjen e tij dhe i kishte kushtuar gjithë jetën për t’i sjellë lumturi gruas së tij dhe fëmijëve.
Kalova ditë dhe netë duke menduar për Noriyah dhe jetën time. Ndjehehesha e vetmuar dhe e zbrazët në zemër pas vdekjes së burrit. Askush nuk dinte për ndjenjat e mia të brendshme apo nuk kuptonte vuajtjen time.
Një burrë kishte trokitur në derën e zemrës time dy vjet pas vdekjes së burrit por unë nuk isha gati për një dashuri të re. Ndjehesha në faj ndaj vajzës adoleshente që ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeçe atë kohë. “Ti nuk do të martohesh mam apo jo?’ Sytë e saj ishin drejtuar diku që unë tashmë e dija dhe zëri i saj ishte i mbushur me trishtim. “Kurrë, e shtrenjta ime” iu përgjigja vetëm për ta qetësuar. Nuk mund ta mohoj që kisha nevojë vërtet për një burrë që të shëronte plagët e mia por nuk guxoja ti thoja asaj që doja të martohesha. E dija se ajo do të më urrente përgjithmonë. Shtrëngimi në fyt më bëri të veproja sikur isha memece. Hyra në një botë heshtjeje pas pyetjes së saj dhe reagimit tim. Refuzova dhe raste të tjera martese për shkak të lotëve që shkumbëzonin në sytë e saj atë ditë.
E kalova jetën time duke pritur për asgjë. Isha një grua plot me përgjegjësi dhe obligime. Isha në një dilemë; ndërmjet një jete të realitetit dhe imagjinatës. Mendoja për refuzimin e Noriyah për tu martuar. A ishte xheloze ajo apo egoiste?
Çdo mëngjes do të takoja rrugës fqinjen time Buthainah. Ajo ishte e divorcuar me dy fëmijë. Burri i saj e kishte lënë atë dhe ishte martuar me një tjetër. Buthainah më thoshte shpesh se unë isha shumë e bukur dhe nuk kisha humbur sharmin madje edhe afër të dyzetave. Një ditë ajo u martua përsëri dhe i la dy fëmijët me nënën e saj. “Dua të jetoj jetën time Sarah. Nuk mund ta ndryj jetën në këtë shtëpi. Vetmia ma ka pushtuar shpirtin çdo ditë. E ndjeja se kam nevojë për dashuri dhe shoku i vëllait më propozoi për martesë dhe pranova”, po thoshte ajo e lumtur.
E ndjeja se Buthainah kishte të drejtë që vendosi të martohej nëntë muaj pas divorcit ndërsa unë kisha kaluar më shumë se gjashtë vjet pa marrë një vendim. A po hapërdarem kështu? A po i rrënoj emocionet e mia duke i thyer rrahjet e zemrës drejt dashurisë? Këto ishin pyetjet torturuese që nuk pata guxim asnjëherë tu përgjigjesha.
Kur Noriyah dëgjoi thashethemet e fejesës time me vëllain e Buthainah, ajo iku nga shtëpia dhe e kaloi natën tejk shtëpia e babait tim. I lutesha të kthehej në shtëpi mëngjesin tjetër dhe t’i betohesha që asgjë nuk do të ndodhte dhe kurrë nuk do ta lëndoja në atë mënyrë. I premtova se nuk do të martohesha dhe ai ishte premtimi im i dytë. Ajo ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme dhe unë isha atëhere tridhjetë e shtatë vjeçe.
Hareja që ka pushtuar Noriyah dhe Xhemalin më zgjojnë nga mendimet. Duke e parë që po më shikon, vras mendjen nëse do të mërzitej po të martohesha tani? Shpresoj se ajo do të japë një shenjë pohuese pas gjithë asaj çfarë kam bërë për të.
Disa vajza të bukura filluan një vallëzim tradicional kuvajtjan dhe nëna e Xhemalit iu bashkua. Shikoj veten time. Po nëse dal edhe unë? Jam akoma e re dhe e bukur. Jam e sigurtë se do t’i tërheq të gjitha gratë me vallëzimin tim.
Një ndjesi e veçantë më shtyn drejt Noriyah dhe e puth atë me dashuri. Do të ishte një moment perfekt për të vallëzuar tani por diçka më frenon. Jam ulur në një karrike, e topitur dhe e mpirë, me sytë ngulur vajzave që vallëzojnë, e pazonja për të marrë vetë ndonjë veprim.  Papritur ngrihem në këmbë, krahët e mia dhe koka lëvizin dhe mund të dëgjoj reagimin e mysafirëve të tjerë.
”Shikoni sa e bukur është!”
‘Çuditem pse nuk është martuar gjithë këtë kohë pas vdekjes së burrit”
Nga drithërimat që më kaplojnë në atë moment të parë, doja të ndaloja por duke parë lumturinë në sytë e Noriyah vazhdoj të kërcej. Eci më tej, sytë e mi shohin në dysheme nga turpi. Kam krijuar portretin e një gruaje të heshtur për kaq shumë kohë, çdo të thonë ata tani?
Kujtimet më pushtojnë përsëri. Ulem në një karrike e zhytur në botën e fantazisë dhe ëndrrave. Pa diskutim e ndjej se diçka po lëviz në zemrën time, pesha në gjoksin tim po lehtësohet ngadalë. Një ndjesi shërimi del në pah në atë moment të çuditshëm. Më duket vetja si një pilot që drejton një avion bosh dhe zbarkon në një botë të shkretë. Pastaj e shikoj veten në një pasqyrë zmadhuese. Mund ta dalloj atë duke buzëqeshur pas një periudhe kaq të gjatë hidhërimesh. Ngadalë, ndjenjat e lumturisë më pushtojnë.  Nuk mund t’ju rezistoj. Ngrihem përsëri, e çliruar që enigma tashmë është zgjidhur. Më në fund kam vullnetin për të bërë diçka për tu kthyer përsëri në jetë.
Përkthyer nga Kujtim Morina


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.