SPORT

Duka: Starova ngatërron klubet me synimet e tij për t’u kthyer në Federatë, lë të vijë se ndoshta ka mësuar

12:34 - 30.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një bashkëbisedim me mediat në lidhje me sezonin që lamë pas, u ndal të komentojë disa çështje të rëndësishme të futbollit shqiptar.

Çështja “Skënderbeu”

“Skënderbeu është analizuar dhe pezulluar nga UEFA për pjesëmarrje në kupat e Europës. Këtë dënim e apeloi dhe shkoi në KAS. Kam thënë që qëndrimi i KAS-it ishte i njëjtë me UEFA-n dhe për një çështje të mbyllur në KAS nuk ka të drejtë njeri ta diskutojë.

Pasi lexuam arsyetimin e vendimit të plotë, KAS-i i lë shteg hapjes së çështjeve disiplinore. Dënimi i parë nuk është disiplinor. Ka diçka të rëndësishme në këtë çështje sepse ndodh për herë të parë në Europë dhe në botë. Gjithë bota merr raportet që vijnë nga monitorimi i tregut te basteve, kur përqindja më e madhe e tyre është e suksesshme, atëherë kjo ndeshje konsiderohet e dyshuar, ose shumë e dyshuar apo manipuluar.

Sipas Komisioneve të Disiplinës, nga sot e tutje, përderisa KAS-i pranoi i pranoi këto raporte, atëherë ato do të konsiderohen prova edhe në të ardhmen, por kjo është çështje juridike. Përderisa ka ndeshje të kampionatit shqiptar në raport, po heton Etika për ta zbardhur. Se çili do të jetë vendimi nuk e di. Bëhet fjalë për kampionate të shkuara.

Nuk është vetëm Skënderbeu, janë të gjitha skuadrat me të njëjtat raporte. Komisioni i Etikës mblidhet sot, ndoshta del me vendim ose jo. Në UEFA deri më sot nuk ka filluar një çështje disiplinore, por në çdo kohë ata kanë të drejtë ta fillojnë.”

Për gjyqtarët

“Unë nuk besoj se ky edicion apo ai më parë ka pasur gabime më shumë apo më pak. Dihet mënyra si merret vendimi, koha, presioni i atmosferës. Gabimet kanë ekzistuar dhe do ekzistojnë edhe në të ardhmen.

Interesat në këtë garë janë edhe më të mëdha, njerëzit apo aktorët që duan më shumë, apo ato që duan të fshehin paaftësitë, manipulojnë edhe më shumë. Nëse ka penalizuar më shumë apo më pak nuk di të them.

Nëse marrim më të diskutuarën, në radhë të parë duhet të mësohemi ta pranojmë fituesin, ta urojmë, nëse e pranojmë ne si aktorë, do të rritim interesin për atë garë dhe për ta fituar. Jo për të fshehur gabimet tona, apo tentativën e pakufijtë për të marrë diçka nga gara. Duke e bërë pis atë, presim degën ku jemi ulur vetë.

Kam dëgjuar së fundmi presidentin e Skënderbeut, që e kam mik të vjetër, që thotë që i vjen turp që është pjesë e këtij futbolli. Këto janë gabime arbitrare. E di që do të hapë diskutime por një javë më parë, gabimet arbitrare në Skënderbeu-Tirana e penalizuan shumë Tiranën.

Kjo është loja, gabimet kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, të gjithë pjesëmarrësit kanë mundësi t’i ndihmojnë arbitrat. Sa më shumë presion, dhunë psikologjike ndaj tyre, i çon më afër gabimeve.

Nuk mendoj që ka gabime me shumë apo më pak. Edukimi i arbitrave, të gjitha përgatitjet bëhen në mënyrën më të mirë nga FSHF. Me zhvillimin e futbollit edhe niveli do jetë më i lartë.”

Tirana në Kategorinë e Parë

“Më vjen shumë keq si president i FSHF-së, do të më vinte edhe po të mos isha president sepse bëhet fjalë për një klub me shumë histori, por nuk e quaj dramë. Tirana mund të riorganizohet dhe të rikthehet siç u rikthye Partizani, që për më tepër ra deri në Kategorinë e Dytë, dhe sot është pretendent për titull.

Përveç keqardhjes nuk ndjej as më të voglën përgjegjësi. Atë e ka klubi dhe futbollistët për rezultatet që kanë marrë në fushë, nuk mund të bëjmë gjë për Tiranën sepse s’ja fitojmë dot ne ndeshjet. Mund të ndodhte që të binte Vllaznia dhe do të ishte njësoj. Tirana të bëjë terapi vetë, të organizohet sepse dihen problemet që kanë. Kam besim se presidenti Halili do dijë ta rikthejë në nivele të larta. Një vit do kalojë shpejt dhe uroj që Tirana të rikthehet si Partizani, Juventusi apo Zyrihu.”

Ndryshimi i skemës së Superiores

“Skemë më të mirë se kjo nuk ka, sepse të gjitha ekipet ishin në garë deri në javën e fundit apo të parafundit. Kjo skemë i ka eliminuar maksimalisht aleancat ndaj nuk kemi pse ta ndryshojmë.”

Sulmet e Starovës

“Starova ngatërron objektivat e tij me klubin. Ai që bën teknikun nuk duhet të ngatërrohet edhe me politikën. Objektivat e tij për t’u kthyer në FSHF s’ka pse i ngatërron me klubin. Të njëjtën gjë ka bërë edhe te Tirana, te Kukësi dhe tani te Partizani. Starova mund të rikthehet në FSHF, qoftë edhe si president sepse nuk është pozicion privat.

Meqenëse e ka ëndërr mund të kthehet sot, tashmë ka bërë njëherë trajnerin njëherë politikanin, mbase ka mësuar më shumë se në kohën kur ishte. Ambicia e Starovës nuk është e fshehtë. Ka bërë fushatë për Halilin, për Kuqin, mund ta bëjë dhe për veten tani.”/ PanoramaSport

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.