SPORT

Ish-presidenti i FSHF-së: Të mos ndryshohet skema, nuk mund të mbahet me hatër Tirana

11:03 - 30.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një ditë pas verdiktit të kampionatit ku Tirana bie për herë të parë në historinë e vet një kategori më poshtë, ka nisur menjëherë debati në rrjetet sociale dhe media për ndryshimin e formulës së kampionatit për sezonin e ri. Palët janë qartësisht të ndara, nga një anë ata që mbështesin dhe kërkojnë që të bëhet një amnisti për Tiranën dhe nga ana tjetër të tjerët që nuk e konsiderojnë dramë rënien e skuadrës bardheblu.

Miço Papadhopulli, ish-president i FSHF-së dhe aktualisht president nderi i institucionit të futbollit shqiptar, njohës shumë i mirë i rregullave dhe parimeve të lojës, është i qartë në mendimin e tij. “Nuk ka pse të bëhet amnisti për Tiranën. Ajo skuadër të vazhdojë punën e saj në Kategorinë e Parë”, flet qartë “Daja”.

FORMULA

I pyetur në lidhje me idenë më të fundit që ka nisur të qarkullojë për ndryshimin e formulës dhe rikthimin e Tiranës në Superiore, Papadhopulli shprehet: “Jo, nuk mendoj se duhet ndryshuar formula. Tirana le të vazhdojë në Kategorinë e Parë sipas verdiktit që dha gara. Tirana le të organizohet sërish, ka shumë personazhe që mund të kontribuojnë maksimalisht për këtë klub dhe të rikthehet sërish në elitë.

Nuk mund të mbahet një ekip me hatër. Kampionati dha verdiktet e veta dhe nuk ka pse të ndryshohen rregullat në fund. Është një situatë e qartë ku FSHF nuk ka pse të ndërhyjë. Ajo është puna e klubit bardheblu. Tirana kur kishte vetëm 30 mijë banorë kishte një skuadër shumë të mirë. Ndërsa, tani që ka 1 milion e shikoni vetë se si përfundoi”, u shpreh ish-kreu i FSHF-së.

IDEJA

Më tej, Papadhopulli tenton të shkojë edhe më tej duke dhënë idenë se si të punohet në Shqipëri për të ngritur nivelin e futbollit. “Fillimisht është kultura fizike dhe më pas sporti bashkë me të. Duhet baza materiale dhe fushat që janë shumë të rëndësishme. Ku janë fushat në Tiranë?! Nuk po shohim më lojtarë të mëdhenj. Harruat ju, Panajot Panon, Refik Resmjen, Loro Boriçin dhe shumë të tjerë?! Ku janë tani lojtarë të mëdhenj si ata që ishin?

Ata lojtarë dolën në sipërfaqe dhe u bënë legjenda nga masiviteti i sportit. Klubet duhet t’i japin rëndësi të madhe trajnerëve. Ai duhet të ketë një përgatitje sa më të mirë dhe të shohë lojtarët në çdo aspekt. Nuk mund të vazhdohet futbolli më kështu siç është këtu në Shqipëri. Ne shohim çdo ditë futboll europian në TV dhe loja që bëhet të jep kënaqësi.

Ndërsa në Shqipëri mezi bëjnë tri pasime bashkë, në një kohë që mungojnë thuajse plotësisht goditjet në portë. Çdo gjë arrihet me punë. Në atë kohë luanim futboll në kushte shumë të vështirë, ndërsa tani janë të gjitha kushtet. Shqipëria ka talente në futboll, por ata duhen zbuluar”, përfundoi prononcimin e tij presidenti i nderit të Federatës, Miço Papadhopulli. /PanoramaSport

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.