SPORT

Starova me platformë për FSHF-në, sulm ndaj Dukës: O robo, të kam sjellë për dore të të tregoja zyrat!

12:04 - 31.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Kreu i institucionit të futbollit në vend e ka atakuar edhe një herë tjetër trajnerin e Partizanit në daljen e tij të djeshme përpara mediave. Duka i ka rikujtuar trajnerit të të kuqve objektivat personalë për t’u rikthyer në FSHF, duke u shprehur se ish-zyrtari i FSHF-së ngatërron objektivat e ekipeve me ato personalë.

Në lidhje me këtë, “Panorama Sport” ka kontaktuar me teknikun e të kuqve, i cili ka replikuar me presidentin e FSHF-së. Përgjigjja e Starovës është e artikuluar si në formën e një letre publike, me anë të së cilës i rikujton Dukës qeverisjen që nga momenti i parë i mbërritjes në FSHF deri te ngjarja e pak ditëve më parë. Sipas Starovës, titulli u vendos me urdhër të kreut të institucionit të futbollit.

REAGIMI I STAROVËS

“Duke parë shfaqjen e shëmtuar të radhës, kur përgjegjësi kryesor i gjendjes aktuale të futbollit shqiptar, z.Armand Duka, bën SHOË para gazetarëve, shumicës prej të cilëve i ka të punësuarit e tij, detyrohem t’i kthej një përgjigje meqë është marrë sërish me emrin tim….

Zotëri ose “Robo” më mirë, se ti as zotëri nuk je…

Kam kaq vite që të kërkoj të përballemi në një debat televiziv, një tavolinë të rrumbullakët, në çfarë studio të duash dhe më fshihesh… Që pas emisionit “Opinion” të viteve të shkuara ke filluar e përzgjedh edhe të ftuarit e emisioneve ku merr pjesë se ke frikë. Pikërisht të njëjtën frikë ke edhe aty, brenda në Federatë. Ke frikë nga demokracia, ke frikë se ka zëra kundër, ke frikë se ca mendojnë ndryshe nga ty dhe prandaj e ke çuar futbollin në këtë pikë…

Unë vazhdoj ta kem ftesën e hapur, ku dhe si të duash. Të debatojmë përse ka mbërritur futbolli në këtë pikë. Përse ke zhdukur emrat historikë të futbollit nga elita. Ku e ke Elbasanin e Gogunjës, Besën e Bajazitit, Dinamon e Demollarit, Apoloninë e Majacit?! E zhyte Tiranën… Harrove?! Mos i ik përgjegjësisë se arbitri yt ishte ai që nuk akordoi penallti në Korçë. Po ku ka shanse të gabojë njeri aty pa urdhrin tënd… Unë të njoh mirë, mos harro…

Të kam sjellë për dore të të tregoja zyrat. Besoja se do sillja një biznesmen që të investonte për futbollin, por gabova rëndë. Gabimin më të madh të jetës kam bërë. Pa dyshim që i kam informuar të gjithë presidentët që kam qenë dhe punuar me ta, që kjo është një familje e madhe që i përket futbollit dhe duhet të ishin prezentë në këtë familje, t’i dëgjohej zëri, të kishin mendimin e tyre edhe në Komitet Ekzekutiv, por ty kjo të tremb shumë.

Siç të trembin klubet me histori të madhe, me tifozë shumë. E kujton kur të ka vërshëllyer një popull i tërë në shesh?! Sapo ishim kualifikuar në Europian dhe përsëri kishe vetëm vërshëllima në shesh… Prandaj i ke alergji tifozët ti. Prandaj do mbahesh mend si presidenti që hodhi në kategoritë inferiore Partizanin, Tiranën e Dinamon. Këtë damkë do ta kesh tërë jetën…

Tani edhe diçka për Partizanin. Ia ke hequr titullin ‘robo’. Ke dhënë urdhër që Partizani nuk duhet të dalë kampion. Partizani ty të tremb. Partizani ngriti zërin për Fondin e Solidaritetit, që e kishe fshehur për vite me radhë. Partizani të kërkon transparencë për fondet që vijnë nga UEFA sepse janë para për familjen e madhe të futbollit jo të tuat personale.

Je aty vetëm për të menaxhuar lekët, mos e harro këtë. Partizani të kërkoi në Asamble të kishte komisione të pavarura të Federatës, jo komisione që mbajnë të njëjtin emër dhe mbiemër, ARMAND DUKA. Këto janë gabimet e Partizanit. Partizani mund të kishte ulur edhe kokën siç bëri ndonjë klub tjetër, por nuk do quhej Partizan nëse e bënte.

Në fund, po shtoj… Unë kam të drejtë të jap mendimin tim në këtë familje që quhet ‘futboll’ nga çdo lloj pozicioni. Mos harro, kam 40 vjet këtu unë… Kam hyrë me këmbët zbath si futbollist, jam rritur dhe jam krenar që kam qenë pjesë e një prej ekipeve Shpresa më të mirë të historisë së futbollit dhe pastaj më vonë lojtar i kombëtares.

Kam qenë futbollist kampion, kam qenë trajner kampion fare i ri dhe pastaj kam provuar edhe pozicionin e zyrtarit, edhe aty për t’i shërbyer futbollit, jo për ta rrjepur atë. Pikërisht, ky është ndryshimi mes nesh ‘robo’… Tani, bëhu burrë dhe dil t’u përgjigjesh pyetjeve dhe argumenteve:

  1. Përse nuk dënon të njëjtin arbitër (Jeminin) kur i anulon gol të rregullt Partizanit në Elbasan kundër Kukësit, që nuk do ta kishte kolonën Zero të humbjeve nëse akordohej goli i Ekuban dhe shkon e dënon se jep një karton kundër Luftëtarit?!
  2. Përse nuk dënon arbitrin Meta kur i mohon dy penallti në Shkodër Partizanit, por e dërgon pas dy javësh në Kukës për të masakruar Laçin dhe për të falur kartonët për Kukësin meqë do të luante me Partizanin?! Të kujtohet kush është Meta?! Është ai arbitri që ish-miku tënd dhe miku im Mond Hasanbelliu e çoi në Prokurori për penalltinë që i dha kur luante me Kukësin…
  3. Si i jep të drejtën Enea Jorgjit të bëjë moviolën e ndeshjes së vet dhe pastaj e dërgon në Kukës me mision dhe pa arbitra linje për të bërë masakër që se kemi parë që prej vitit ’97?!
  4. Si më kujton penalltinë e parë të Partizanit dhe harron 10 penallti në favor të rivalëve tanë, 10. Aq sa nuk ka marrë Reali i Madridit, Barcelona, apo Juventusi…
  5. Si e dënon vetëm PARTIZANIN me 5 ndeshje pa tifozë kur edhe klubet e tjera rivale ishin përsëritës dhe kanë marrë vetëm gjoba?! Aty kam qenë, në Kukës kur na dënoje 8 javë. Unë kam edhe më shumë. Të gjitha i kam parë nga moviolistët e tu nëpër ekrane. Peshorja anon shumë. Këtë kampionat e vendose ti! Nuk do të rresht pa sensibilizuar gjithë familjen e futbollit dhe opinionin publik që të të heqë pronësinë mbi futbollin shqiptar.

Demokraci do të thotë qeveri me kryeministër, pra Federatë që drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm me kompetencat që ja ke hequr ti. Me parlament që kontrollon qeverinë që do të jetë Komiteti Ekzekutiv. Të kthesh ligën amatore siç duhet të jetë, jo siç e ke bërë ti me punonjës që edhe të votojnë në Asamble”, ka deklaruar Starova për “Panorama Sport”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.